Shëndeti Publik i Librazhdit, vendi ku qytetarëve u grabisin edhe qindarkën e fundit

782
Sigal

LETËR NË REDAKSI/ Spitali i Librazhdit, vendi i korrupsionit. Drejtori e ka shndërruar nga spital shtetëror në spital privat

Një pacient i shtruar për disa ditë në Spitalin e Librazhdit tregon për “Telegraf” të gjitha peripecitë që ka hequr, në atë vend që të gjithë mjekët po bëhen të pasur në kurriz të vuajtjeve njerëzore. Ja çfarë shkruan ai: “Jam një banor i qytetit të Librazhdit. Marr kemp. Doja t’ju bëja të ditur shqetësimin tim në lidhje me Spitalin e Librazhdit dhe në veçanti strukturat drejtuese. Deri, ku arrin korrupsioni, ku spitali shtetëror është kthyer totalisht në një spital privat. Isha para disa ditësh në urgjencën e Spitalin të Librazhdit. Kisha marrje mendsh, dhimbje koke dhe temperaturë. Pas vizitës me thanë se duheshin disa medikamente për të më qetësuar dhe që duhet t’i blija tek farmacia pran spitalit, sepse nuk gjendeshin në urgjencën e spitalit. Pasi i bleva dhe i përdora, më thanë që duhet të vija nesër për t’u vizituar nga mjeku neurolog. Të nesërmen u vizitova tek mjeku neurolog, i cili është edhe drejtori i spitalit, Veiz Boja. Pasi më bëri vizitën më tha: Kushton 10 mijë lekë. Njëkohësisht më tha që duhet të bëja një ezhe, të cilën e bënte ai dhe që e kishte private në dhomën e tij në spital dhe kushtonte 40 mijë lek. Pasi bëra këtë më tha që duhet të bëja edhe analizat dhe që nuk duhet t’i bëja tek laboratori i spitalit në katin e parë, por tek banka e gjakut në katin e dytë, të cilat i bënte nën drejtori. Pasi vajta me rekomandim sipas rregullit ai me tha se kushtonte 10 mijë lekë, sepse e kishte private. Më tha që laboratori i spitalit është poshtë dhe pa pagesë. Vajta poshtë dhe aty nuk bëheshin analizat, sepse nuk kishte solucione. Pas këtyre vizitave duhet të shtrohesha, ku është turp të thuhej që në spital nuk gjendet asnjë ilaç përveç serumit. Mjeku (drejtori) më tha që ilaçet duhej t’i merrja tek farmacia pranë spitalit, ku drejtori e kishte mik të ngushtë për mos të thënë bashkë pronar. Në këtë farmaci, në të cilën bëheshin të gjitha blerjet e ilaçeve që nevojiteshin për të sëmurët, thoshin se mjekët me në krye drejtorin merrnin përqindje për çdo ilaç të shitur dhe kështu nuk kishte interes pse të ketë ilaçe farmacia e spitalit dhe godina e spitalit ishte kthyer në një qendër strehimi që vetëm mund të strehoheshe se çdo gjë tjetër blihej. Në shtëpi, jemi unë, gruaja dhe dy fëmijë dhe mbahemi me pensionin tim. Problem kemi se me çfarë do të ushqehemi dhe çfarë të veshim, por më e tmerrshme është nëse do të duhet të vizitohesh nga një sëmundje se është e pa përballueshme. Është shumë e vështirë. Unë nuk mund të prezantohem, sepse siç ju thash jam me kemp dhe drejtori i spitalit është dhe anëtar i komisionit të kempit dhe kam bërë një sakrificë shumë të madhe për ta fituar. Kam paguar edhe pse un e meritoja, por nëse nuk paguan atë të thonë se “nuk e meriton” edhe pse mund të jesh sakat”.