Mbyllet kopshti në Berat / 5 edukatore në karantinë, prindërit të frikësuar

315
Sigal

Kopshti “Çlirim 1” në Berat është mbyllur nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Inspektorati i Higjienës, pas dezinfektimit që është kryer në të gjitha ambientet e brendshme dhe të jashtme të tij. 5 edukatore të këtij kopshti janë vendosur në karantinë, pas shfaqjes së shenjave të dukshme të infektimit me Covid-19.

Dy prej edukatoreve janë konfirmuar sot zyrtarisht “pozitive” nga tamponët e kryer, ndërkohë që tre edukatoret e tjera janë në pritje të përgjigjeve. Në karantinë ndodhet edhe i gjithë stafi i kopshtit, përfshirë 4 edukatore të tjera, sanitaret dhe kuzhinieret, që edhe pse nuk kanë shenja të infektimit do të qëndrojnë të izoluara dhe do ti nënshtrohen tamponimit.

Njoftimi për mbylljen për një afat të papërcaktuar të kopshtit që ndodhet në një nga lagjet më të mëdha të qytetit, në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, iu është komunikuar edhe prindërve të fëmijëve, që tashmë janë në panik për fëmijët e tyre që e kanë frekuentuar kopshtin deri ditën e mbylljes së tij. Mjekët epidemiologë u kanë këshilluar prindërve që ti mbajnë fëmijët në banesa, t’u matin rregullisht temperaturën dhe në rast të shfaqjes së ndonjë shenje infektimi ti drejtohen menjëherë mjekut të familjes.

Kopshti “Çlirim 1” është i treti institucion parashkollor që mbyllet në Berat për shkak të infektimeve nga Covid-19,pas mbylljes së kopshtit “10 Korriku” dhe çerdhes në lagjen “Donika Kastrioti”. Ndërkohë që numri i të infektuarve nga Covid-19 është rritur nga dita në ditë, aktualisht në qarkun e Beratit konfirmohen zyrtarisht 492 raste aktive.