Shërbimi Psiko-Social, në punë intensive për të rikthyer gjendjen normale

681
Sigal

Punonjës të shërbimit Psiko-Social janë angazhuar në të gjithë vendin për të rikthyer gjendjen normale emocionale të fëmijëve dhe nxënësve të shkollave.

Në shkollat ku mësimi ka nisur rregullisht më datë 5 dhjetor, punonjësit e shërbimit psiko-social ishin prezent në të gjitha klasat për të diskutuar me nxënësit. Gjendja psiko-emocionale-sociale e nxënësve duket e qetë dhe normale në zonat më pak të prekura nga tërmeti.

Para fillimit të shkollës në disa zona, puna dhe raportimi intensiv i shërbimit psiko-social ishte përqendruar në zonat ku ishin akomoduar banorë të prekur nga tërmeti, ndërsa pas fillimit që shkollës në 9 qarqet e Shqipërisë, kjo punë vazhdon të kryhet edhe në të gjitha shkollat.

Më herët, të gjithë punonjësit e shërbimit psiko-social nga DRAP Durrës, Lezhë dhe Korçë i janë nënshtruar trajnimeve intensive nga ana e pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës mbi Udhëzuesin “Ndërhyrja e parë psikologjike në kontekstin shkollor”.

Shërbimi psiko-social është një element mjaft i rëndësishëm i institucionit shkollor dhe ka rol primar në këtë situatë. Ndërhyrja e parë psikologjike në shkollë shikohet si një alternativë me efektivitetin më të lartë për përballimin e asaj çfarë ka lënë pas, në mendjen e mësuesve dhe nxënësve.