Sarandë/ Këshilli bashkiak mocion mosbesimi kreut të tij

113

Dje Këshilli Bashkiak i Sarandës ka zhvilluar mbledhjen e radhës me rend dite masat e mara për sezonin turistik dhe ato në urbanistikë si dhe miratim i vendimeve të ndryshme. Por këshilltarët e Majtë kanë këmbëngulur tek futja në rend të ditës dhe votimi i mocionit mosbesues ndaj kryekëshilltarit av.Ilir Nikolla. Vet Nikolla dhe këshilltarët e djathtë kanë këmbëngulur se duhen dy të tretat për votëbesim. Pas debatit disaorësh, këshilltarët e Majtë kanë vendosur fuqinë e kartonit. Pas kësaj kryekëshilltari av.Ilir Nikolla dhe këshilltarët e Djathtë janë larguar nga mbledhja. Në këtë mënyrë në sallë kanë ngelur vetëm 15 këshilltarë të koalicionit të majtë dhe me propozim të këshilltares Lindita Kondi është votuar për kreun e Këshillit Bashkiak këshilltari socialist, Krenar Islami. Nga ana e tij Islami ka falënderuar këshilltarët që i dhanë votëbesimin të drejtojë këshillin e qytetit dhe ka ftuar këshilltarët e djathtë të marrin pjesë në organin vendimmarrës të qytetit të Sarandës si detyrë qytetare në të mirën e qytetit dhe zgjedhësve të tyre. Pas kësaj ka paraqitur dorëheqjen edhe sekretarja e këtij këshilli, Plokseni Ikonomidhi, akt i cili ka gjetur përshëndetjen e kryetarit të sapozgjedhur si një veprim qytetar dhe teksti i dorëheqjes që bart edhe arsyet e sajë, do t’u lexohet këshilltarëve në mbledhjen e radhës. Islami gjithashtu e ka përshëndetur zonjën Ikonomidhi për qëndrimin në detyrë deri në përfundim të procesit të mbledhjes së djeshme.

E Majta blindon pushtetin e saj në qytetin jugor

Kështu e majta blindon pushtetin e sajë në qytetin jugor. Islami ka drejtuar me përshëndetje nga karrigia e kryetarit pas votëbesimit, votëbesim që merr fuqi pas miratimit ligjor nga n/prefektura e Sarandës. Pra e majta do të qeverisë pa opozitë në vendimmarrje. Më herët akoma mund të kujtojmë se pikërisht para dy viteve, kohë kur mori konstituivin këshilli i ri pas zgjedhjeve lokale, av. Ilir Nikolla u zgjodh kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit me një votë plus të demokristianëve. Ndonëse, vet Ilir Nikolla vinte si këshilltar i pavarur, ai u propozua dhe fitoi si kryetar i këtij këshilli. Dy vitet e drejtimit të këshillit nga z.Nikolla kanë qenë vite të një debati të papërfunduar mes këshillit dhe Kreut të Bashkisë Stefan Çipa, duke i hequr këtij të fundit të drejtën e administrimit nga Ujësjellësi dhe sporti si dhe mos miratuar shumë vendime që sipas maxhorancës së këshillit kur drejtonte z.Nikolla, binin ndesh me ligjshmërinë dhe interesat qytetare. Por kjo maxhorancë lëvizi në krah të kundërt me largimin e LSI-së në krah të PS si koalicion i përbashkët, kjo solli dhe mocionin e votëbesimit dhe shkarkimin e z.Nikolla dhe zgjedhjen në krye të këtij këshilli z.Krenar Islami./ Agron Mema