Sarandë, ja dëmet e shkaktuara nga 71 vatra zjarri

537
Sigal

Vera e thatë, temperaturat e larta e i nxehti afrikan kanë ndikuar ndjeshëm si faktorë aktivizues i vatrave të zjarrit edhe në Nënprefekturën e Sarandë-Delvinës, në të dy rrethet e saj. Burime nga zyra e emergjencave të kësaj nënprefekture bëjnë të ditur për “Telegraf” se gjatë periudhës korrik-gusht (deri në periudhën e deritanishme) në rajonin Sarandë-Delvinë janë regjistruar 71 vatra zjarri, kundrejt 200 të tillave të shkaktuara vitin që kaloi, 2011. Por me gjithë numrin në rënie të vatrave të zjarrit gjatë verës së sivjetshme dëmet ekonomike të shkaktuara në pyje, kullota e pemtari kanë qenë të konsiderueshme, ku nuk janë përjashtuar as banesat e qytetarëve dhe disa qendra biznesi numri, i të cilave shkon në 13 për këtë periudhë. Ndërsa në drejtim të dëmeve të shkaktuara rezultojnë 2500 rrënjë ullinj të djegur, kurora me pisha e Delvinës e djegur tërësisht, ku u rrezikuan seriozisht edhe banesat e disa fshatrave, 60 ha pyll në Komunën e Lukovës, 10 nga të cilat janë të rivlerësueshme. Bashkëpunimi me institucionet e tjera në marrjen e masave parandaluese, në bazë të Plan-Veprimit  të hartuar nga nënprefekti, Gjergji Mano, ka funksionuar dhe ka dhënë rezultatet e duhura, por ende mbetet ngërçi i identifikimit dhe ndalimit të autorëve si zjarrvënës. “Ky vit,- thotë nënprefekti Mano,- ndryshon nga vitet e kaluara përsa u përket shpërthimit të vatrave të zjarrit dhe masat kundër tyre. Por duhet bërë akoma më shumë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe mjeteve të punës, pasi vihet re konsumimi i plotë i tyre, deri në mospërballim të situatave emergjente”, përfundon nënprefekti i Sarandës Gjergji Mano prononcimin e tij për gazetën “Telegraf”.