Elvis Rroshi: Hedhin baltë se nuk e pranojnë dot ndryshimin!

534
Sigal

Kreu i Bashkisë së Kavajës: Çfarë ka ndodhur për një vit në Kavajë

Zoti Rroshi a mund në na thoni se çfarë po ndodh me qytetin e Kavajës?

Kavaja është në ndryshim të përditshëm. Me një dinamikë zhvillimi dhe investimesh që  e bën të konkurrueshme edhe me qytete të mëdha. Kavaja, që nga viti i kaluar kur vendosi për ndryshimin e madh pas 22 vitesh, ka një shpërthim të dukshëm në investime infrastrukturore. Qendra e qytetit do ndryshojë dhe po ashtu është rregulluar hyrja e qytetit. Janë mbjellë me qindra pemë dhe janë krijuar hapësira të gjelbra për qytetarët. Janë rregulluar akse të brendshme rrugore me asfaltim, ndriçim, trotuare, gjelbërim. Është gjallëruar jeta kulturore e sociale e qytetit. Njerëzit janë më shumë të përfshirë në punët që ka nisur bashkia dhe për projekte të ndryshme ata pyeten dhe japin mendimin e tyre. Për qytetin nuk mund të flasësh vetëm me një intervistë.

Faleminderit për këtë ekspoze që bëtë, por në fakt e kisha fjalën për sherret dhe debatet që janë përfolur në media se kanë ndodhur mes jush dhe disa drejtuesve të PS…

Këto ditët e fundit e kam dëgjuar shumë shpesh këtë pyetje. Çfarë ka ndodhur në asamblenë e PS…Ju them me bindje se nuk ka ndodhur asgjë e veçantë sesa po ndodh me qytetin tonë. Janë mbledhje partie dhe debatet Brenda strukturave janë krejt normale. Për një qytet që ndryshon pamjen çdo ditë është normale që të ketë edhe xhelozi, të të gjithë atyre që nuk e pranojnë dot ndryshimin, ashtu sikurse nuk e pranojnë dot mënyrën sesi qeveriset qyteti. Me dorë të fortë, dhe kjo në kuptimin e administrimit sa më cilësor, për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kavajës.

Po ju pyesim për sherrin brenda PS-së, zoti Rroshi…

Personalisht nuk kam kohë të merrem me sherre, dhe as nuk bie në provokimin e askujt që mendon se me shpifje dhe insinuata të paqena të kërkojë të më përfshijë mua dhe qytetarët e Kavajës në një vorbull debati shterpë, pa vlerë dhe që nuk prodhon asnjë të mirë për qytetarët e Kavajës. Në mbledhjen e asamblesë së PS pati debate për mocionin e shkarkimit të ish kryetarit të rrethit. Padyshim debatet forcojnë punën e një force politike, por kjo nuk do të thotë se në PS ka përçarje. Ne kemi një  “luftë” të madhe përpara, është lufta me korrupsionin e varfërinë, është lufta me skamjen me të cilin ka jetuar ky qytet për 22 vite me radhë. Në këtë kuptim, nuk mund të mohoj se mund të ketë edhe individë, të sponsorizuar nga humbësit dhe ata që nuk e pranojnë dot ndryshimin e madh të qytetit që duan ti japin zë debateve të tilla. Unë nuk kam kohë për këtë sepse të tjera projekte më presin përpara. Është projekti i fitores dhe ndryshimit për gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e përgjithshme të 2013. Qytetarët e Kavajës po e shohin ndryshimin këtu përditë, e në këtë kuptim do e mbështesin edhe ndryshimin e madh që do të vij në zgjedhjet e përgjithshme të 2013.

Por kohët e fundit që kur ju jeni vendosur në krye të bashkisë, ka pasur shumë akuza personalisht për ju…

I kam dëgjuar dhe jam krejt indiferent. Sigurisht humbësit nuk mund të pranojnë se çfarë po ndodh me qytetin. Por ju garantoj, nuk kam kohë të merrem me to. Unë mund të dëgjoj hallet e çdo qytetari të Kavajës dhe të përpiqem me të gjitha mënyrat që ta zgjidh bazuar në ligjet e këtij vendi. Por nuk kam kohë të tepërt të harxhoj me të gjithë ata që shpifin kundër Kavajës, bashkisë dhe qytetarëve të saj.

Por nuk akuzojnë Kavajën, ju akuzojnë ju personalisht…

Po kjo nuk është e rastësishme apo jo. Mua për të drejtuar këtë qytet më kanë zgjedhur qytetarët e Kavajës. Dhe për shkak të ndryshimit të madh që ndodh në qytet duan të më godasin dhe mua personalisht. Kam menduar se me punë mund të shuhej çdo lloj debati nga kundërshtarët por edhe ata që janë të sponsorizuar nga kundërshtarët. Por sa më shumë gjëra të mira bëjmë për qytetin, aq më shumë duan të flasin për të hedhur baltë mbi qytetin. Kjo nuk është fare shqetësuese për mua personalisht. Çdo qytetar i Kavajës e sheh përditë ndryshimin e qytetit dhe për mua kjo është më e rëndësishme. Janë me dhjetëra letra falënderimi, telefonata, sms, qytetarë që më ndalojnë në rrugë dhe më falënderojnë për punën e madhe që është bërë në këtë qytet vetëm në një vit. Jam shumë i lumtur kur dëgjoj vlerësimin e qytetarëve që më kanë dhënë votën, dhe nuk kam kohë të mendoj se çfarë thonë ata që nuk duan të shohin ndryshimin e qytetit.

Pse ju thoni që gjithçka është tendencioze?

Kjo është fare e kuptueshme. Asnjëherë më parë nuk është folur në gazeta e televizione për qytetin sa është shkruar e është folur gjatë këtij viti. Dhe  mirë bëjnë sepse në këtë mënyrë shohim veten përballë qytetarëve dhe të shohim sesi mund të bëjmë më mirë punën për qytetarët. Ajo që unë garantoj dhe e kam bindje është se populli i Kavajës, si kurrë ndonjëherë më parë në historinë 22- vjeçare të këtij tranzicioni të vështirë, do të votojë për ndryshimin e madh në 2013.