Rrugët e tenderëve korruptiv të klanit Haxhinasto-Xhika, po vrasin njerëz, prokuroria të veproj

93
Vetëm dy ditë më parë, në aksin rrugor në Kavajë-Rrogozhinë ndodhi një aksident i rëndë që vrau gjysmën e një familjeje, konkretisht 2 fëmijë 3 e 5 vjeçar, si dhe plagosi një fëmijë 1 vjeçar e nënën e tyre! nuk ishte aksident për shkak të drejtueses së mjetit, por për shkak të rrugës së ndërtuar e të futur në shfrytëzim (përdorim) pa asnjë element sigurie e sinjalistike, lejuar kjo prej autoritetit Kontraktor që është Drejtoria e Rrugëve, firmosur për t’u marrë në dorëzim si “në rregull e me standarde” prej drejtorit Dashmair Xhika, inauguruar si “rrugë moderne me standarde evropiane” prej Ministrit Haxhinasto! Por ja që rruga ku ndodhi aksidenti që u morri jetën të fëmijëve, rezulton se është rrugë pa asnjë siguri! Kush e lejoji firmën ndërtuese të mos kryente punimet sipas projektit? Kush ia firmosi marrjen në dorëzim? Kush heshti? Kush e bëri kolaudimin e rrugës? Çfarë sigurie qarkullimi automjetesh, kishte rruga që vrau dy fëmijë e që ka varrë shumë të tjerë? përse ndodhin aksidente për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe sigurisë vetëm në këtë aks rrugor e jo në segmentin Plepa-Golem? Përse prokuroria nuk arreston “bandën” korruptive të krimit inxhienierik e financiar në ndërtimin e kësaj rruge, që ka si “anëtarë” edhe drejtorin e Rrugëve Dashamir Xhika dhe ministrin Edmond Haxhinasto? Po përse ndodhi ky krim njerëzor i shkaktuar prej kësaj rruge? Pa bërë komente, po citojmë argumentimin e ekspertëve të sigurisë rrugore
Ekspertët: Aksidentin e shkaktoi, mungesa e plotç e sinjalistikçs rrugore
“Aksidenti ndodhi për shkak se ky segment rrugor ka mungesë të plotë të elementëve të sigurisë në rrugë dhe ndërprerja e barrierave pikërisht në këtë segment është bërë shkak për një aksident tragjik. drejtuesja e automjetit, u përplas me automjetin e saj teksa po udhëtonte nga Durrësi në drejtim të Kavajës, për pasojë dy fëmijët e saj humbën jetën”. Edhe pse punimet sipas letrave të drejtorisë së rrugëve, thuhet se “kanë përfunduar”, barrierat anësore të sigurisë mungojnë pothuajse përgjatë gjithë rrugës, ose janë të shkëputura, ç’ka e bën qarkullimin të rrezikshëm në një segment të shpejtësisë së lartë, ku nuk lejohet lëvizja me më pak së 60 kilometër në orë. Edhe në këtë vend mungojnë barrierat anësore, të cilat që prej fillesës se rrugës, nuk janë vendosur. Kjo hapësirë shërben për të komunikuar me rrugën kryesore me atë dytësore, ç’ka në jo pak raste është bërë shkak për aksidente. 
Prokuroria nisi hetimet, me motivin: “Mungesë e sigurisë rrugore”
Referuar mungesës së elementeve të sigurisë, prokuroria e Kavajës, ashtu sikurse edhe ekspertë rrugorë mendojnë se aksidenti i një ditë më parë nuk do të kishte këtë bilanc tragjik, nëse barriera anësore prej metali nuk do të ishte e ndërprerë. Nëse shkaku për t’u lënë i hapur ky shteg, ka qenë lidhja me zonën e shërbimit, atëherë edhe kjo pikë nuk është respektuar pasi Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar në 2014 ,e thotë qartë që hyrje-daljet në zonat e shërbimit duhet të kenë korsitë e ngadalësimit duke lejuar ngadalësimin në mënyrë të sigurt të mjetit që shkëputet nga karrexhata. Aq më tepër, në këtë rast, dalja nga autostrada në këto vende ku barrierat nuk janë vënë, nuk të çon në njësi shërbimi, si karburantet, por në rrugën dytësore, fakt ky që e bën mungesën e tyre edhe më të rrezikshme.
——————————————–
Korrupsioni me tenderët dhe projektet e rrugëve/ 80% e akseve pa sinjalistikë të kompletuar
Sipas të dhënave e vëzhgimeve të ekspertëve, në 80% të qendrave të banuara të qyteteve dhe 40% të rrugëve të vendit, nuk ka orientime për qarkullimin, ndërkohë që në zonat rurale sinjalistika orientuese e rrugëve brenda e jashtë qendrave të banuara mungon totalisht. Në shumicën e akseve rrugore nacionale në vendin tonë, gjendja e sinjalistikës rrugore është ose krejtësisht e munguar, ose në gjendje të mjerë. E keqja është se kjo situatë po vijon të sundoj e praktikohet dhe në akset rrugore të ndërtuara, apo rikonstruktuara kohët e fundit. Nuk bëhet fjalë për sinjalistikë të standardeve evropiane, por thjesht për sinjalistikë horizontale, me vijëzime të rrugëve, për t’i bërë të dukshme për përdoruesit e rrugës korsitë për çdo sens lëvizjeje. Po kështu, duhet të ketë vijëzime të pandërprera, ku ndalohet parakalimi dhe vijëzime të ndërprera, ku lejohet parakalimi, apo dhe vijëzime të kontureve ndarës të karexhatës me bankinat etj, elementë këto që faktikisht mungojnë në rrugët shqiptare. Sinjalistika vertikale është gjithashtu, në gjendje të mjerë, ose më mirë duhet thënë, që është krejt e braktisur dhe inekzistente, ndërkohë që për sinjalistikë të ndritshme as që bëhet fjalë fare. Në shumicën e akseve nacionale, mungojnë tabelat, ose janë vendosur tabela jo sipas standardeve, jo fosforeshente, nuk respektohen përmasat e përcaktuara në aktet ligjore dhe më shqetësues është ky fakt: kjo sinjalistikë edhe kur vendoset nuk mirëmbahet. Shembulli më i dhimbshëm janë dëmtimet e trasesë dhe shkatërrimet barbare të elementëve mbrojtës e të sinjalistikës në “Rruga e kombit”. Sinjalistika, shpesh vendoset e pa kombinuar dhe në mënyrë te gabuar, lejohet parakalimi me sinjalistikë horizontale dhe kufizohet shpejtësia me tabelë.