Rezervuarët e Beratit po bëhen të rrezikshëm, shkak digat e dëmtuara

893
Sigal

Flet për “Telegraf”, drejtori i Bordit të Kullimit, Artur Çepani: “Do të bëjmë rehabilitimin e tyre!”

Në Qarkun e Beratit numërohen 40 rezervuarë, të cilët gjatë stinës së dimrit bëhen të rrezikshëm për shkak të digave dhe portave shkarkuese të dëmtuara. Për rehabilitimin e tyre drejtori i Bordit Kullues është shprehur se, masat vazhdojnë të merren në mënyrë që në Berat të mos përsëriten përmbytjet e zonës së veriut.

Situata

Drejtoria e Bordit të Kullimit në Qarkun e Beratit ka marrë dhe vazhdon të marri masa për rehabilitimin e rezervuarëve të mëdhenj, të cilët mund të shkaktojnë përmbytjen e shumë zonave në Berat dhe Skrapar. Sipas të dhënave nga kjo drejtori, do të rehabilitohen digat e këtyre rezervuarëve dhe të gjitha portat shkarkuese, të cilat prej vitesh nuk kanë pasur asnjë lloj ndërhyrjeje. Portat ekzistuese në raste të mbimbushjes duhet të hapen për të shmangur pasoja, të cilat dihen. Lajmin për rehabilitimin e tyre e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, drejtori i Bordit Kullues për Qarkun e Beratit, Artur Çepani, i cili theksoi se, ndërhyrja është e nevojshme. “Ndërmarrja jonë për të shmangur përmbytjet gjatë stinës së dimrit mori masa për të gjithë rezervuarët. Ne ushtruam kontrolle dhe deri tani kemi riparuar disa diga, të cilat e kishin të nevojshme ndërhyrjen, ndërkohë që, do të vazhdojmë punën për pjesën tjetër të mbetur. Për këtë ndërmarrja ngriti një grup kontrolli, i cili kaloi në “sitë” të gjithë rezervuarët në Qarkun e Beratit, për të parë më shumë gjendjen e tyre teknike aktuale. Pas kontrollit u vu re se disa rezervuar e kishin të domosdoshëm ndërhyrjen në digat e tyre. Duke u nisur nga ky fakt menjëherë ka filluar puna që shirat e dimrit të mos na gjenin të papërgatitur dhe të marrim masa në kohë për të mos u përsëritur përmbytjet e zonës së veriut”, tha Çepani.

Gjendja

Sipas drejtorit, Artur Çepani bëhet e ditur se, rezervuarët, të cilët nuk ishin në gjendje të mirë teknike ishin ata në zonat e Vëndreshës, Duhanasit, Shpiragut dhe Starovës. Ne si ndërmarrje me ato fonde që kishin rezervë kryem punimet si në diga ashtu dhe në portat elektrike dhe mekanike. “Rezervuari i Duhanasit që ndodhet mbi qytetin e Beratit të dyja portat i kishte të amortizuara dhe të bllokuara, ku në rast se rezervuari nga ujërat e shirave do të mbushej, këto prurje nuk kishin mundësi shkarkimi, pasi portat ishin të dëmtuara dhe të bllokuara. Kjo gjendjeje do të krijonte premisa për përmbytjen e disa zonave në Berat”, tha Çepani. Në Qarkun e Beratit ka 40 rezervuarë, të cilët do të vihen në gatishmëri të plotë në raste se shirat do të mbushin ata.