Reagon filiali i Postës, vendosen stolat për qëndrimin e publikut

500
Sigal

SARANDË/- Shkak i këtij shkrimi është komunikimi që u arrit me drejtorin e Filialit të Postës Shqiptare në Sarandë, zotin Thoma Kordha, i emëruar vetëm dy muaj më parë në këtë detyrë. Komunikimi erdhi pas publikimit në “Telegraf” më 26 shkurt 2014 të situatës në ambientet e shpërndarjes së asistencës për invalidët, verifikuar në datën e 25 shkurtit 2014. Në komunikim me autorin e shkrimit, drejtori i ri i filialit të Postës Shqiptare në Sarandë, Thoma Kordha, ka pranuar problematikën e ngritur nga gazeta duke dhënë edhe sqarimet përkatëse se, pse ka ndodhur kjo. Aktualisht, që ditën e djeshme kanë filluar të vendosen stolat në mjediset e shërbimit kryesor publik. Zoti Kordha nënvizon faktin se, pas marrjes së detyrës si drejtor, ka filluar menjëherë inspektim-verifikimin e situatës në institucionin që ai do të drejtojë. Dhe problematika ka qenë alarmante dhe me detaje të shumta, ashtu si ky drejtor denoncon në shtyp. Për sa i përket shkrimit të “Telegraf”, zoti Kordha thotë se: “Rastisi kur u shkrua shkrimi, pasi nga inspektimi vendosa t’i hiqja ato stola, që ishin për turp të ndodheshin në mjediset e postës dhe qysh dje janë vendosur të reja. Kjo ka qenë në kuadër të reformave të mia. Dhe këto janë të shumta, si rehabilitimi i mjediseve të brendshme e të jashtme (kjo nga vet kontributi i punonjësve), por edhe problemi i infrastrukturës së brendshme. Pasi po të përmend vetëm një fakt, si mosfunksionimi i një aparature print-fotokopje me vlerë rreth 5 milionë lekë të reja dhe defektet e automjeteve në shërbim të postës dhe në inventar të postës, është për t’i rënë me grushte kokës. Po mundohem të rehabilitoj gjendjen. Dhe disa nga masat janë edhe shpërndarja e kartolinave në operatorët turistik. Kjo të kuptohemi, bëhet me krijimin e një kutie postare, pasi ata turistë që shkelin qytetin, blejnë edhe kartolina. Po u dërgojnë fëmijëve dhe të afërmve me kutinë postare edhe pamje të vendit, ku shkelin dhe eksplorojnë. Kështu promovojmë edhe qytetin, edhe Shqipërinë”. Kordha, pohon për “Telegraf” se kjo vjen edhe pas një pune që bën grupi i ngritur për kualifikimin dhe përsosjen e etikës së punonjësit, sidomos në shërbimin e klientit  në përsosjen dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientit, sidomos atij delikat, siç është kategoria e moshës së tretë dhe invalidët. Për këtë, ai përmend edhe faktin se ka dhënë urdhër që asnjë pensionist të mos largohet nga sporteli pa kuponin përkatës të shërbimit, kjo për të ndalur abuzimin nga punonjësit, dhe dhënien e mundësisë për të kontrolluar pagesën vetë pensionistët, shërbim ky i munguar. Thoma Kordha, vetëm dy muaj pasi ka marrë detyrën, ka filluar të identifikojë veten, pas një inspektim –verifikimi të situatës, dhe duke falënderuar edhe gazetën “Telegraf”, shton se filiali i Postës së Sarandës shumë shpejt do të jetë një model i shërbimeve ndaj publikut.