Qytetarët: Po blejmë ilaçe në farmacitë e Maqedonisë

566
Sigal

Miqtë e “ministrit” mbushin farmacitë me barna pa pullën fiskale, farmacistët: Na bëjnë presion, pranojmë nga halli

Maksim TUFA

 

Pothuajse çdo ditë automjeteve të tre firmave farmaceutike nga kryeqyteti, vijnë në Elbasan dhe shkarkojnë qindra kuti me barna të cilat nuk kanë pullën fiskale dhe realisht konsiderohen si “mallra kontrabandë”. Një farmaciste në lagjen “Vullnetari” dhe dy të tjera në lagjen ‘5 Maj’ deklaruan për “Telegraf” se “njerëz të panjohur na vijnë me automjetet dhe atributin e firmave dhe kompanive farmaceutike, na bëjnë presion dhe na japin pothuajse me detyrim barna, të cilat nuk e kanë pullën e Ministrisë Financave, pra rezultojnë se janë mallra kontrabandë, kurse ne detyrohemi dhe i shesim me frikë edhe për qytetarët por edhe për ndonjë kontroll të mundshëm nga Tatim-Taksat”. Barna të tilla si shurupe për fëmijë të moshave 0 deri 12 vjeç, si dhe barna për të rritur duke nisur nga ato për tensionin, diarenë, alergjitë, zemrën, dhe mjaft antibiotikë, po qarkullojnë dhe po shiten në farmacitë e Elbasanit, Cërrikut, Librazhdit dhe krejt qarkut, nga persona që prezantohen se “jemi miq të ministrit”. Një hapësirë e madhe antiligjore, e cila administrohet nga persona të veshur me pushtetin e ministrit apo zv/ministrit, duke abuzuar hapur me barnat e futur kontrabandë dhe duke mbushur xhepat me para qytetarësh hallexhinj, të cilët duke mos patur rrugë tjetër detyrohen të marrin ilaçe të cilat nuk dihet se nga vijnë. Miqtë e “ministrit”, kështu e quajnë veten personat që vijnë, shesin dhe ikin duke mbushur farmacitë me barna të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me recetat e lëshuara nga mjekët. Një qytetar nga Elbasani u shpreh se “të tjera barna kisha në recetë, të tjera më dhanë në farmacinë e lagjes time, po ashtu edhe vajzës time 10 vjeçe, tjetër shurup i dhanë në farmaci, ku emri recetës, nuk korrespondonte me atë që blemë ne, nuk kishte fare as pullë fiskale dhe as date skadence, pasi ishte fshirë”. Problemi i barnave kontrabandë, që shiten pa pullën fiskale dhe pa datën e skadencës, ka vite që shqetëson qytetarët e Elbasanit, pensionistët dhe moshat e reja. Prindërit ankohen sepse muajt e fundit, pothuajse të gjitha barnat e marra në farmacitë e qytetit, rezultojnë të paefektshme, japin shpesh reaksion tek foshnjat e tyre, dhe komplikacione të tjera. Qindra nëna dhe baballarë nga Elbasani, detyrohen të porositin ose të shkojnë vetë me autobusët e linjave në Strugë, Ohër ose Shkup, për të blerë barna të recetave të lëshuara nga mjekët e tyre. sipas tyre “në Maqedoni janë edhe më të lira, edhe më të sigurta barnat, ndërkohë që kur u tregojmë ambalazhin e ndonjë ilaçi që kemi blerë në farmacitë në Elbasan, ata shqyejnë sytë dhe na përgjigjen se “këto tek ne përdoren për bagëtitë”. Rruga qorre, në të cilën e ka futur kjo qeveri dhe këta ministra vendin, po sfilit dhe shpërfytyron hallexhinjtë, të papunët, të sëmurët dhe të shëndoshët. Mungesa e zbatimit të ligjit dhe fusha e hapur e paligjshmërisë e cila menaxhohet nga njerëzit dhe sekserët e pushtetit, ka degjeneruar gjithçka humane në këtë vend. Njerëzit kanë frikë të denoncojnë, kanë frikë të kërkojnë, kanë frikë të vizitohen, kanë frikë të jetojnë. Frika dhe paligjshmëria janë sinonimi i kësaj qeverie, e cila nën platformën e “Rilindjes” dhe ripërsëritjen e përditshme të refrenit 4 vjeçar të “Rilindjes Urbane”, veç shtrimit me pllaka të shesheve qendrore të qyteteve dhe ndërtimit të shatërvanëve të rinj, asgjë nuk ka rilindur për shpresën, jetën, sigurinë dhe të ardhmen e shqiptarëve, duke i “vrarë” së fundi ata, ngadalë edhe me barna të skaduara.