Miliona lekë shpenzime për kompanitë e Zotos dhe Gugalles nga ‘inceneratori’ i Tiranës

172
Sigal

Administratorja e kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV”, Ariola Kodra pranoi të hënën para komisionit hetimor për inceneratorët se ka kontrata me kompanitë në zotërim të Klodian Zotos dhe Stella Gugalles, se janë shpenzuar 84 milionë lekë të reja për udhëtime dhe se babai i deputetit Alqi Bllako ka qenë i punësuar pranë kësaj kompanie.

Komisioni hetimor parlamentar për inceneratorët i nisi seancat e thërritjes së dëshmitarëve me administratoren e kompanisë koncensionare të inceneratorit të Tiranës, “Integrated Energy BV SPV”, Ariola Kodra, e cila pranoi se kjo kompani ka bërë pagesa disa milionëshe për Klodian Zoton, Stella Gugallen si dhe për babanë e deputetit socialist, Alqi Bllako.

Për shumë nga pyetjet e deputetëve, përgjigjet e Kodrës ishin “nuk e di, nuk mund të përgjigjem për momentin ose nuk e kam memorizuar”, duke deklaruar se kishte ardhur e papërgatitur, pasi nuk e dinte për çfarë do të pyetej në komision. Po ashtu, Kodra nuk kishte marrë me vete dokumentacionet e shoqërisë, për të cilat tha se i ka sekuestruar SPAK.

“Dua të bëj me dije se i gjithë dokumentacioni teknik, ligjor dhe financiar është marrë në dorëzim nga SPAK-u dhe disponojmë proceverbalet e urdhrave të sekuestrimit të dokumentacionit të gjithë shoqërisë,” tha Kodra.

Gjatë seancës, Kodra u pyet për marrëdhëniet e kompanisë me shtetasit Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stella Gugallja, dy prej të cilëve në kërkim ndërkombëtar me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Kodra pranoi se i njihte nga afër dhe kishte komunikuar me ta për marrëdhënie pune dhe se kompania koncensionare kishte kontrata pune me dy kompani konsulence, që drejtoheshin nga Zoto dhe Gugallja.

Deputeti Belind Këlliçi tha në komision se “nga verifikimi i pagesave që shoqëria Integrated Energy BV SPV ka kryer, rezulton se ndër të tjera ka paguar në shumën rreth 65,8 milionë lekë të reja, Zoto Consulting Shpk dhe Consulting SE Partners, në pronësinë e Klodian Zotos dhe Stela Gugalljes.

Ai e pyeti Kodrën nëse mund të tregonte se për çfarë shërbimesh ishin paguar Zoto dhe Gugallja.

Kodra pranoi kontratat, duke sqaruar se “shoqëria Integrated Energy BV SPV ka marrëdhënie kontraktuale dhe jo nga vetvetja, siç ju e përmendët, me Zoto Consulting, e cila ofron konsulencë ligjore dhe me Consulting SE Partners, e cila ofron konsulencë financiare”.

Këlliçi tha se Zoto rezulton të jetë aksioner në shoqërinë koncensionare dhe paguan një shoqëri tjetër ku është po vetë aksioner, por Kodra këmbënguli se “Klodian Zoto nuk është aksioner i shoqërisë”.

E pyetur nëse shoqëria koncensionare kishte marrëdhënie financiare me dy kompani të tjera, PIVOT 04 dhe A.S Group, të cilat figurojnë në skemën e mashtrimit financiar të ish-Ministrit Lefter Koka, Kodra tha se nuk mbante mend emrat e kompanive me të cilat kishte kontrata.

“Shoqëria ka marrëdhënie me disa shoqëri dhe nuk mund ti mbaj mend, mund të jenë 30-40 kompani nënkontraktorë që kryejnë punime,” tha ajo.

Këlliçi po ashtu citoi planin e shpenzimeve të kompanisë, ku sipas tij zëri i udhëtimeve nuk rezulton, por nga verifikimi i shpenzimeve rezulton se është shpenzuar një shumë prej 84 milionë lekësh të reja.

Kodra tha se nuk mund të verifikonte shumën e saktë të shpenzimeve, por shtoi se punonjës të ndryshëm të shoqërisë kanë bërë “udhëtime në shtete të ndryshme për të takuar kompani të mundshme që do të marrin pjesë në realizimin e veprave në Sharrë”.

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku e pyeti për marrëdhënien e kompanisë me shtetasin Edmond Bllako, që rezulton të jetë babai i deputetit socialist, Alqi Bllako, i cili ka mbajtur detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit gjatë kohës që është dhënë ky koncension.

Kodra pranoi se Edmond Bllako ka punuar për këtë kompani, por ajo nuk ishte e qartë se ku ishte ndërprerë marrëdhënia e tij e punës, ndërsa shtoi se nuk e njihte personalisht as atë dhe as të birin deputet.

Kodra pranoi dhe pagesat për mediat për marketing dhe marrëdhëniet me Universitetin Bujqësor të Tiranës në sponsorizime projektesh.

“Në rastin e Tiranës, ne kemi mbi 1 milionë e 300 mijë euro shpenzime për sponsorizime shkollash, kontrata konsulence të cilët kanë paguar individë pedagogë për të shkruajtur shkrime pozitive për inceneratorin, nga të cilat shpenzime marketingu 450 mijë euro për mediat,” tha Tabaku duke e pyetur Kodrën se pse një kompanie të tillë i ishte dashur të bënte pagesa për mediat.

Administratorja tha se shoqëria është private dhe si e tillë ka të drejtë të bëjë kontrata publicitare dhe se me universitetin bujqësor të Kamzës kishin marrëveshje bashkëpunimi. “Landfilli është kthyer në një auditor për studentët,”tha ajo.

Deputetët demokratë i vunë në dukje administratores se kompania që ajo përfaqësonte e rriste fitimin çdo vit sipas të dhënave dhe kërkuan të dinin se si ishte arritur ky fitim që në vitin 2020 kapte sipas tyre shifrën 774 milionë lekë.

“Fitimi ynë vjen nga shërbimet që ne ofrojmë,” tha jo, duke përmendur shërbimin e depozitimit të mbetjeve nga bashkitë si dhe depozitimit të dherave nga kompanitë e ndërtimit.

Jorida Tabaku tha se kompania ka pasur një garanci bankare prej 100 mijë lekësh dhe kompania ka marrë një kredi bankare të cilën e ka përdorur të gjithën për investimin dhe nuk ka pasur asnjë kapital të vetin.

“Unë kam marrëveshjet e kredisë dhe barrë siguruese është vendosur kontrata koncesionare. Ne këtu duam të provojmë që kompanitë me zero eksperiencë pa capital, pa investime në këtë fushë, kanë marrë një kontratë koncesionare pa pasur as fonde për t’i investuar,” tha Tabaku.

Kodra pranoi se janë marrë dy kredi, por tha se nuk i kujtohej shifra e saktë dhe se do ia sillte komisionit me dokument.

“Investimi është tërësisht privat,” tha ajo duke ripërsëritur se kompania nuk funksiononte me para publike, ndërsa milionat e buxhetit të bashkisë që shkojnë për kompaninë ajo i referoi si tarifa për shërbimin e marrë.

Grafiku i punimeve

Deputetët e opozitës i kushtuan vëmendje pyetjeve lidhur me realizimin e punimeve sipas kontratës, duke theksuar disa herë se shteti paguan një tarifë 29 euro për incenerim të mbetjeve, një shërbim që nuk e merr.

“Tarifa 29 euro për ton përfshin një kompleks shërbimesh,” pretendoi Kodra, që nga hyrja në landfill, depozitimi, diferencimi dhe deri tek incenerimi, proces për të cilin ajo pranoi se nuk kryhet akoma.

Sipas administratores së kompanisë koncensionare, vonesat e punimeve kanë ardhur për faj të Autoritetit Kontraktor dhe se për këtë arsye kompania nuk kishte marrë penalitete për vonesat. Ajo solli si argument vonesën e lejes së ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit, e cila është zbardhur vetëm në nëntor 2020.

“Ne kemi bërë punime me një deklaratë paraprake të punimeve të nxjerrë nga Bashkia Tiranë deri në zbardhjen e lejes,” tha ajo, por nuk pranoi të quante si datë zyrtare të fillimit të punimeve periudhën para nëntorit 2020.

“Të gjendur në kushte të vështira ku ndodhej venddepozitimi i Sharrës, nisëm menjëherë rehabilitimin e zonës. Ishte emergjencë mjedisore,” tha ajo.

Deputetët e opozitës kërkuan të dinin se mbi çfarë dokumenti e bazonte ajo “emergjencën mjedisore”, pasi nuk dihet të ketë një vendim të tillë në rastin e Tiranës. Kodra një herë tha e ka shpallur qeveria, pastaj tha se nuk ishte e qartë për këtë por do t’ia vinte në dispozicion komisionit dokumentin të cilit i referohej.

Për shtyrjen e punimeve ajo tha se ishte bërë një kalendar i ri punimesh pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, të cilin e ka miratuar Njësia e Zbatimit të Projektit.

Shumë nga pyetjet e deputetëve mbetën pa përgjigje, gjë që sipas deputetit Luçiano Boçi është “pengim i hetimit”.

Në komision dëshmoi dhe ish-administratori i kompanisë konçnesionare të inceneratorit të Fierit “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier”, Arenc Myrtezani, gjatë vitit të parë të zbatimit të kontratës.

Edhe Myrtezani tha se kishte ardhur me nxitim dhe nuk ishte përgatitur për t’u përgjigjur pyetjeve. Lidhur me periudhën kur ai ishte administrator tetor 2016-shtator 2017, ai tha se ishte vonuar nisja e punimeve për shkak të probleme që kishin dalë me studimin e fizibilitetit dhe protestave të banorëve. Myrtezani pranoi se i njihte nga afër Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Stela Gugallen para se të punonte në inceneratorin e Fierit, pasi kishte punuar për Integrated Technology Services.

Myrtezani tha se e kishte lënë punën si administrator pasi nuk e përballonte dot rrugën nga Tirana në Fier, por Tabaku i nxori një dokument pagese që tregonte se ai vijonte të punonte pranë kësaj kompanie dhe mbante titullin drejtor.

“Ju paguheni me pagë 3-fish më të lartë se administratori aktual,” i tha ajo, duke iu referuar shifrës 9 milionë të vjetra në muaj. Myrtezani tha se nuk kishte marrë kurrë kaq pagë nga kompania dhe tentoi ta kthente me humor situatën, duke u shprehur i habitur se “ku kishin shkuar lekët e tij”.

Anëtarët socialistë në Komision patën shumë pak pyetje dhe vazhdimit kundërshtuan pyetjet e kolegëve të tyre demokratë, duke i cilësuar jashtë objektit të hetimit marrëdhëniet mes kompanive private dhe kërkuan që dëshmitarët të mos mbahen më shumë se një orë në pyetje.

Pas mbledhjes, Tabaku mbajti një konferencë për shtyp, ku deklaroi se se gjatë marrjes në pyetje të dy dëshmitarëve ishin evidentuar shkelje shumë të rënda dhe se bëhej fjalë për “një skemë të pastrimit të parave dhe të pagesave që kanë shkuar në duart e zyrtarëve shtetërorë”.

Të parashikuar për të dëshmuar të hënën ishin dhe Faraudin Arapi, administratori aktual i kompanisë “Albtek Energy” dhe Loran Dusha që administron kompaninë koncesionare të Fierit, të cilët nuk u paraqitën. Arapi dhe Dusha kërkuan një seancë tjetër dëshmie në ditët në vijim.