Qeveritë mashtrojnë ish-të dënuarit politikë, i ‘ngopin’ me letra me vlerë!

687
Sigal

Flet Llambro Nesturi, kreu i Degës së Shoqatës së të persekutuarve dhe të përndjekurve politikë të Sarandës

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Sarandës, ish i burgosur politik, Llambro Nesturi, ka paraqitur një problematikë për këtë shtresë shoqërore që aktualisht numëron 1440 anëtarë, pa futur këtu pjesëtarët e familjeve që nuk janë anëtarësuar nga mos qenia në Shqipëri, apo zhgënjimi nga premtimet e pa mbajtur. Zoti Nesturi, thotë për “Telegraf” se, ‘aktualisht janë trajtuar me dëmshpërblim monetar rreth 60% e anëtarësisë, po këtu nuk duhet keqkuptuar, se kemi një fakt shqetësues, pasi dikush ka marrë një këst të shpërblimit, dikush dy, e shumica asnjë’. Pra?! Na le të mendojmë se përveçse kush ka miqësi ka marrë lekët, por edhe paragjykimi i korrupsionit, për këtë shtresë, është vazhdim i persekucionit. “E them se burgu i njëjtë për gjithë bashkëvuajtësit tanë. Në të njëjtat qeli, me të njëjtët persekutorë. Pse ky ndryshim dhe selektim?! Nuk them se nuk u takojnë se kanë vuajtur ditët e burgimit, por selektimi çon ose tek shërbimi i persekutorëve, ose tek përçarja e shoqatës nga ish- persekutorët. Premtimet e fushatave elektorale nuk janë mbajtur. Ndërsa tani po hiqen të gjithë trashëgimtarët tanë nga puna dhe shpallja e konkurseve është vetëm për miqtë e tyre, pasi shtresa jonë shoqërore dhe politike tanimë pas 23 viteve, ka intelektualë të shkolluar dhe të profesionalizuar jo vetëm në shkollat e Shqipërisë, por edhe në universitete të njohura të botës”,- pohon ai. Por të gjithë janë pa punë e të papërfillur. Ndaj themi se, vërtetë kjo është rilindje, dhe rilindje e persekucionit ndaj klasës sonë politike”. Më tej z.Nesturi shprehet i indinjuar se politika e pas komunizmit vepron me strategji përçarëse tek ish të persekutuarit, na përdorin vetëm për vota dhe hegjemoni… Madje, mllefi i tij shkon më tutje se e djeshmja, kur thotë se, edhe përfaqësuesit e sotëm të përzgjedhur nga qeveria për ish-të përndjekurit politikë, janë hedhur në afera korruptive dhe të harresës së halleve të shtresës së tyre politike. “Pra, sa hipin në pushtet, të gjithë harrojnë hallet tona. Ashtu si bëri Kurt Kola që shoqatën e ka kthyer në çiflig të tij dhe të thjeshtët e kësaj shtrese i ka lënë të harruar e në mëshirë të fatit. Djemtë e tyre kanë marrë rrugët e botës, janë shkolluar e kanë bërë kapital, por kanë frikë të kthehen në Shqipëri, në radhë të parë nga përfaqësuesit e klasës sonë në qeveri dhe këtyre u tremben më shumë, dhe e them me bindje”,- vazhdon Nesturi. Më tej ai shton se, këto probleme i ngre jo për interes të tij, pasi ekonominë e ka të rregulluar dhe madje, ka shpenzuar nga xhepi për varrimin e ish- bashkëvuajtësve që janë larguar nga jeta në varfëri e skamje. Dhe për këtë ai shprehet se, “si kjo politikë nuk na dha një mirënjohje për sakrifica demokratike, si nuk dha një shesh ndërtimi në Sarandë, kur kanë marrë edhe të huajt, si nuk dha një shpërblim për një ceremoni përkujtimore e sa e sa si…., por kanë dhënë vetëm letra me vlerë, që në fakt janë të pa vlera, se janë mykur në sirtarët e mobilieve të grirë nga mola e viteve”. Në zyrën time,-vijon zoti Llambro,- vijnë përditë me dhjetëra qytetarë që janë me statusin e ish-të persekutuarit dhe ish-të përndjekurit, të gjithë të zhgënjyer, por u them të kenë shpresë se nuk do na gënjejnë, nuk kam çfarë t’u them tjetër. Nuk e kuptoj se pse kjo histeri ndaj nesh?-përfundon bisedën me “Telegraf” z. Llambro Nesturi, Kryetar i Degës së Shoqatës së ish-të Përndjekurve dhe të Burgosurve Politikë të Sarandës, njëherazi edhe anëtar i kryesisë së përgjithshme të kësaj shoqate.