Prof. Dr. Elmas Leci: Mbi gjithçka, akreditimi i universitetit dhe statuti i pedagogut

870
Sa shpejt na ikën 4 vjet nga zgjedhjet e kaluara, ku projektuam shumë gjëra dhe së bashku përgjithësisht i arritëm ato, në pozicionet që na u besuan nga zgjedhësit. Sërish në fushatë zgjedhore, por këtë radhë synojmë në një fushatë akademike, ku të vlerësojmë e respektojmë njëri- tjetrin, ku të konsiderojmë arritjet e deritanishme dhe të projektojmë të ardhmen,drejtimin dhe menaxhimin rezultativ të universitetit.
Siç edhe është njoftuar, unë kandidoj për Rektor të Universitetit tonw “Aleksandër Moisiu” Durrës. Së bashku, jam i bindur se do t’ i rrisim vlerat e universitetit, që ta bëjmë atë të barasvlershëm me universitetet e vendeve euroatlantike. Puna dhe drejtimi im akademik, një eksperiencë me kontributet e mia në institucionet shtetërore dhe private dhe në vijim edhe impenjimi i mëtejshëm individual e në ekip me ju, padyshim janë baza më e mirë për të arritur rezultatet e universitetit tonë, në kuadrin e reformimit konceptual të Arsimit tonw të Lartë, me akreditimin në ekonominë e tregut. Ku e mbështes programin tim të drejtimit të ardhshëm të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe garancitë e bazimit të këtij programi: 
Ku e mbështes kandidimin për autoritet drejtues të universitetit 

Te eksperienca ime drejtuese, te CV-ja ime, te drejtimi im që kam bërë në institucione të ndryshme, në më se 25 vjet të karrierës time drejtuese dhe akademike, te sukseset menaxheriale që kam patur, te performanca ime e përgjithshme publike, që kam manifestuar nëpër vite.
Kam kryer detyra të ndryshme drejtuese dhe akademike, kam patur disa funksione menaxhuese, këto të vlerësuara me disa dekorata deri; me Urdhrin e Lartë “Naim Frashri” i Klasit të Parë. Në këto 20 vitet e fundit kam qenë drejtor në pozicione të ndryshme, deri në institucionet e larta shtetërore. Në procesin akademik kam qenë Zv.Dekan Fakulteti dheDekan. Kam kryer edhe detyrën e rektorit, po ashtu në Universitet shtetërore e private. Si pedagog dhe Profesor kam një veprimtari akademike, më se 35-vjeçare. Kam veprimtari të dendur kërkimore e shkencore, ku vetëm monografi e libra të fushës së historisë e të marrëdhënieve ndërkombëtare kam shkruar e botuar 16 libra. Kam udhëhequr disa tema doktoraturash, dhjetëra punime masteri, kam botuar qindra artikuj, kam mbajtur dhjetëra kumtesa, si dhe kam marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume. Jam dy herë Doktor i Shkencave, pasi kam mbrojtur dy disertacione, në dy fusha të ndryshme e të rëndësishme, në atë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe në Historinë e Shqipërisë. Mbaj disa grada dhe tituj nderi dhe shkencorë si: Gazetar, Kandidat i Shkencave, Doktor i Shkencave (2 herë), Ambasador i Paqes, Profesor i Asociuar, Qytetar Nderi, Profesor. 
Ku do të synojë drejtimi im si Rektor për universitetin
Deviza ime e drejtimit si Rektor i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, do të jetë: Progresi i dy shtyllave kryesore universitare: Në zhvillimin e procesit cilësor akademik dhe në rritjen e fushave kërkimore shkencore. Për këto vëmendja ime apo programi im dhe i strukturave, dhe organizmave të universitetit që do të udhëheq, do të përqendrohen:
Së pari, në aspektin akademik, i cili do jetë profesional, duke patur në qendër të vëmendjes studentin, si dhe rritjen e pandërprerë të vlerave akademike të pedagogëve.
Së dyti, në akreditimin e universitetit, si nevojë imediate e performancës dhe e vlerave konkurruese me partnerët dhe për tregun e punës.
Së treti, në përmirësimin e kurrikulave dhe në organizimin profesional të departamenteve e të fakulteteve, mbi bazën e funksionalitetit të kërkuar nga komunitetet dhe lirisë së plotë akademike.
Së katërti, në zgjerimin e marrëdhënieve akademike me partnerët, kryesisht me ato europiane-perëndimorë e euroatlantikë, larg shabllonizmave e inaktivitetit.
Së pesti, në krijimin e hapësirave menaxheriale, me synimin kryesor decentralizimin ekonomik por edhe administrativ dhe integrimin e veprimtarive kërkimore shkencore me atë të mësimdhënies.
Së gjashti, në sigurimin e brendshëm të cilësisë, si barometri i vlerësimit dhe i ballafaqimit me vlerat më të mira të standardizuara akademike dhe institucionalizimin e dhënien e rëndësisë së duhur praktikave studentore.
Së shtati, në bashkëveprimin e organizimin e punës në ekip, për konsolidimin e cilësisë së mësimdhënies dhe për sigurimin e burimeve financiare mbi bazën e vlerësimit të procesit akademik dhe të kërkimit shkencor.
Së teti, në trajtimin e burimeve financiare të siguruara nga shërbimet dhe veprimtaritë kërkimore shkencore të universitetit, për shpërblimin e personelit sipas performacës akademike.
Së nënti, në sigurimin e granteve në komunitet e së bashku me komunitetin e për komunitetin për mbështetjen e infrastrukturës së auditorëve dhe hartimin e projekteve bashkëkohore e konkurruese për universitetin.
Së dhjeti, në mbështetjen e vazhdueshme të studentëve për ndihmë në përballimin e kostos së studimeve përmes ekselencës, por edhe të aplikimit të kredisë masive studentore.
Këto ishin telegrafisht, disa nga mendimet e opsionet e mia, të nderuar pedagogë, për drejtimin e universitetit, pjesë e një programi të tërë, që do të zbatohet, sepse unë mendoj se mbi çdo gjë ky universitet ka nevojë për drejtim, për drejtim e drejtues me vizion, për menaxhim akademik, për bashkëveprim në ekip. E di që më e mira do të ishte t’ju takoja secilin nga ju dhe të shkëmbenim mendime, por mundësitë, koha dhe preokupacionet janë kufizuese, ndaj ju drejtohem kështu me mjetet elektronike, që mundësojnë në kohën tonw çdo gjë. 
Ju ftoj dhe ju kërkoj votën tuaj, nëse krijoni bindjen se vërtet mendimet e mia janë vizionare, se me mua dhe së bashku do ta bëjmë universitetin të kërkuar. Vota juaj vendos! 
Sigal