Prof.Aliq Naqellari/ Tronditja e ekonomisë shqiptare nga kriza e gjithanshme greke

516
Pas vitit 1990, në pamjen e parë dukej se populli grek i drejtuar prej 60 vjetësh nga familjet Papnadreu-Karamanlis, ishte me mirëqenie të lartë dhe ky grup njerëzish që drejtonin qeveritë dukej se ishte i kënaqur me qeverisjen e tyre. Në fakt nuk ka qenë kështu. Greqia ka qenë që pas viteve 90 kandidate për të hyrë në recesion por ҫelja e dyerve për emigrantët shqiptarë bëri që ajo ta shtynte këtë afat deri në futjen në zonën e euros. Nga ana tjetër, gjatë vizitës në Shqipëri, Zonja Merkel la disa mesazhe politike dhe ekonomike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Ballkanin e më gjerë. Ajo i tregoj Shqipërisë destinacionin e investimeve gjermane që janë hidrokarburet, Këto tema do tarjtohen në këtë intervistë
-Përse u godit Greqia nga recesioni global dhe nga kriza financiare dhe jo përshembull edhe Shqipëria?
Greqia historikisht është udhëhequr nga dy parti ose nga dy familje, Papandreut dhe Micotaqit. Për vite të tëra nëpërmjet evazionit fiskal, korrupsionit, shpërdorimeve dhe mënyrave të tjera jo ligjore në raport me shtetin u krijua një shtresë shumë e pasur njerëzish, një shtresë miliarderësh. Në pamjen e parë dukej se edhe populli grek ishte me mirëqenie të lartë dhe ky grup njerëzish që drejtonin qeveritë dukej se ishte i kënaqur me qeverisjen e tyre. Në fakt nuk ka qenë kështu. Greqia ka qenë që pas viteve 90 kandidate për të hyrë në recesion por ҫelja e dyerve për emigrantët shqiptarë bëri që ajo ta shtynte këtë afat deri në futjen në zonën e euros. Me futjen në zonën e euros filluan të dilnin një nga një të gjitha problemet e mbartura.
Greqia ka pasur një borxh historikisht të lartë, ashtu si dhe disa vende të Europës, por ka disa Banka Tregtare që kanë bërë këmbime me këto vende pa bërë regjistrime në bilancet e tyre, pra banka që kanë blerë përkohësisht borxhin e Greqisë dhe të vendeve të tjera. Kjo gjë ka ndodhur edhe në momentin e pranimit të Greqisë në zonën e euros. Asokohe kërkohej që Greqia ta kishte borxhin 60% të PBB-së dhe inflacionin 3%. Këto ishin të pa mundura për të, prandaj bëri veprimin e shitjes së borxhit. Në këtë mënyrë borxhi grek është i mbartur dhe i thelluar për periudhën 2008-2015. Të mos harrojmë se në 2010 deficiti buxhetor grek ka qenë 13.6% e PBB-së greke nga 3.5% që kërkohej dhe që kërkohet edhe sot.
Faktor i dytë përveç borxhit të mbartur të krijuar nëpërmjet abuzimeve që sot reflektohen në reformat e “Qeverisë Greke” ka pasur edhe një sërë faktorësh të tjerë që e kanë bërë ekonominë greke shumë të ekspozuar ndaj botës.
-Struktura e ekonomisë greke dhe vartësia e saj nga bota.
Ekonomia greke bazohet në tre shtylla:
-Sektori shërbimeve që jep 80% të PBB-së dhe mbulon 76% të forcave të punës. Sektorët bazë në këtë zë janë:
– Flota Tregtare Civile Greke që zë vendin e parë në botë për tonazh dhe vendin e 4 në botë për numrin e anijeve pas Kinës, Japonisë dhe Gjermanisë me 3695 copë. Që nga lufta e Gjirit kjo flotë që ka 22% të cisternave naftë mbajtëse të botës është goditur rëndë. Luftërat në Gjirin Arabik dhe në vende të tjera të botës kanë dhënë ndikimin e tyre negative në këtë zë të rëndësishëm. Flamuri grek është i 7 në botë që përdoret dhe i 2 ti në Europë. Në këtë shërbim punojnë mbi 160 mijë persona. Kështu ecuria e këtij sektori nuk varej shumë nga qeveria greke por nga ecuria e ngjarjeve botërore që përgjithësisht kanë ndikuar negativisht.
-Turizmi. Turizmi grek bazohet përgjithësisht në turizmin elitar të huaj sepse Greqia ka me mijëra ishuj dhe vijë bregdetare. Në këtë sektor janë të punësuar mbi 840 mijë persona. Kjo degë jep mbi 20% të PBB-së greke. Edhe ky sektor u godit rëndë nga recesioni global dhe kriza financiare. Nga rreth 20 milionë turistë që e vizitonin Greqinë në vitet 2006-2007 sot ky numër është ulur në mënyrë drastike. Jo vetëm për llogari të rënies së turistëve përgjithësisht nordikë por edhe sepse vende të tilla si Turqia, Mali Zi, Kroacia etj janë bërë konkurrentë të fuqishëm të turizmit grek. Kështu edhe ky sektor përgjithësisht ishte i varur nga gjendja e ekonomisë botërore e cila ndikoj negativisht.
Bujqësia nuk ka ndonjë peshë të madhe nuk jep më shumë se 4% të PBB-së, ndërsa industria jep rreth 16%. Kështu në përgjithësi ekonomia greke me këtë strukturë PBB-je është e varur më së shumti nga ekonomia botërore. Në këto dy sektorët e fundit Greqia duhet të investojë. Ajo ka burime të mëdha gazi në Kretë, burime të mëdha nafte në detin Egje, në detin Jon etj. Nuk duhet që të shikojë më turizmin dhe flotën tregtare por të zhvillojë degë që nuk varen nga faktorët e jashtëm. Të zhvillojë degë që varen nga faktorët e saj të brendshëm. Duhet të diversifikohet PBB-ja. Vetëm në këtë mënyrë dhe duke thelluar luftën ndaj korrupsionit, në mbështetje të reformave të marra ajo do të arrijë ndonjë rezultat faktik.
-Ҫfarë mendime keni për vizitën e zonjës Merkel, a la ajo ndonjë mesazh ekonomik për Shqipërinë dhe rajonin?
Zonja Merkel la disa mesazhe politike dhe ekonomike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Ballkanin e më gjerë. Për gjykimin tim Merkeli nuk luajti shah me Ciprasin por me Putinin. Ajo i tregoi Putinit se Ballkani dhe Greqia janë Europë, i tregoi Greqisë se pa Europën nuk bën dot asnjë hap para. I tregoj Shqipërisë destinacionin e investimeve gjermane që janë hidrokarburet, energjia, në përgjithësi pasuritë e parikuperueshme si dhe në krahun tjetër i kërkoi luftë pa kompromis ndaj korrupsionit.
-Si e gjykoni mendimin e ish ministrit të financave zotit Varufakis i cili kërkoi daljen e Greqisë nga euro dhe futjen në qarkullim të një monedhe të re krahas euros?
Më duket një mendim racional në krahasim me të gjitha mendimet e dhëna deri sot. Varufakis është ekstremist, me shprehjet “do pres dorën, apo do pres këmbën dhe nuk firmos, ose kjo marrëveshje është Versaja e dytë, ose këta janë vampirë etj etj thënie të tilla. Por, mendimin e tij për futjen e një monedhe të re në qarkullim dhe daljen nga euro unë e mbështes si të vetmen të keqe më të vogël që duhej të kishte pranuar qeveria greke.
-Pse ku është logjika e kësaj teze?
E para, Greqia bëri një gabim që u fut në zonën e Euros sepse humbi një sërë avantazhesh krahasues. Gjithsesi sot nuk e gjykojmë këtë sepse është faji i saj dhe faji i Europës që e pranoj, Them faj sepse sot Greqia nuk është në Recesion por është në Depresion me 26% të papunë dhe me rreth 36% të popullsisë që i qaset nivelit minimal të jetesës. Futja e dhrahmisë në mënyrë graduale dhe qarkullimi i përbashkët për një periudhë kohe të caktuar me euron do kishte një sërë avantazhesh me masat e pranuar sot nga Ciprasi. Ciprasi me veprimin që bëri sepse”doli si shpëtimtar i Greqisë” duhet të japi dorëheqje. Me firmën që hodhi ai nuk është më përfaqësues i interesave të qytetarëve grekë por është përfaqësues i kapitalit të madh europian.
Futja e dhrahmisë:
-Do eleminonte lehtësisht borxhin e brendshëm.
-Do nxirrte jashtë Greqisë dhrahminë dhe jo euron ashtu sikundër e kemi sot këtë fenomen. Europa furnizon bankat dhe bankomatët, qytetarët e marin dhe e nxjerrin jashtë Greqisë duke e vendosur në banka të tjera të huaja. Ky fenomen i nxjerjes jashtë të euros ka filluar që me largimin e dhrahmisë nga tregu. Pikërisht ky ishte edhe një nga shkaqet e rënjes së Greqisë.
-Dalja e dhrahmisë në vendet e tjera do detyronte këta tregëtarë të bënin tregëti me Greqinë sepse kursi euro-dhrahmi do ishte tejet në favor të euros. Pra Greqia do fillonte të ngrinte eksporte e saj duke përfituar valutë që do ta përdorte më së shumti edhe për shlyerjen e borxheve të jashtme.
-Rritja e kursit të euros ose zhvlerësimi i dhrahmisë do nxiste prodhimin vendas dhe do ndikonte në uljen në masë të importeve duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregëtar.
-Duke future dhrahminë Banka Qëndrore e Greqisë do hartonte politikat e saj të mbështetura në politikat fiskale të qeverisë për të stimuluar rritjen e biznesit dhe krijimin e ndërmarrjeve të reja.
-Greqia do ishte më e pa varur nga ndikimi europian në shumë fusha të ekonomisë. Ajo do të rriste marrëdhëniet tregtare me ato vende që kishte interes dhe jo të blinte avionët ushtarakë të Europës, etj, etj. Prandaj theksoj se mendimi i Varufakis për rifutjen e dhrahmisë është e keqja më e vogël midis këtyre të këqijave që kanë pllakosur mbi ekonominë greke.
-A do ketë ndikim gjendja e ekonomisë greke mbi atë shqiptare?
Po pa dyshim por kjo meriton një analizë më vete. Gjendja e ekonomisë Greke i ka dhënë një pjesë të pasojave të saj në ekonominë shqiptare. Një shembull konkret: janë 60 biznese fason që veprojnë në jug të Shqipërisë, Korҫë, Gjirokastër dhe Sarandë. Thuajse të gjitha janë prekur nga mospagesat e blerësve grekë të cilët nuk kanë likuiditete. Mospagesat ҫojnë në ndërprerjen e punës dhe ndërprerja e punës do të thotë rritje e numrit të të papunëve.
Sigal