Inflacioni në BE arrin në 4.4%, niveli më i lartë i dekadës, çfarë ndikimi do të ketë te çmimet në Shqipëri

251
Sigal

Çmimet në shtetet e Bashkimit Europian u rritën me shpejtësi në muajin tetor, të ndikuara nga energjia, shërbimet, mallrat industriale që nuk lidhen me energjinë dhe ushqimet.

Norma vjetore e inflacionit të zonës së euros ishte 4.1% në tetor 2021, nga 3.4% në shtator, duke arritur në nivelet më të larta në më shumë se një dekadë. Një vit më parë, norma ishte -0.3%. Inflacioni vjetor i Bashkimit Europian ishte 4.4% në tetor 2021, nga 3.6% në shtator. Një vit më parë, norma ishte 0.3%. Këto shifra janë publikuar nga Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Europian.

Normat më të ulëta vjetore u regjistruan në Maltë (1.4%), Portugali (1.8%), Finlandë dhe Greqi (të dyja 2.8%). Normat më të larta vjetore u regjistruan në Lituani (8.2%), Estoni (6.8%) dhe Hungari (6.6%). Krahasuar me shtatorin, inflacioni vjetor u rrit në të njëzet e shtatë shtetet anëtare.

Në tetor, kontributi më i lartë në normën vjetore të inflacionit të eurozonës erdhi nga energjia (+2,21 pikë përqindje, pp), e ndjekur nga shërbimet (+0,86 pp), mallrat industriale joenergjetike (+0,55 pp) dhe ushqimi, alkooli dhe duhani. (+0,43 pp).

Si do të ndikohen çmimet në Shqipëri

Në vend, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të mallrave kryesore të shportës së konsumit ishte 2.4%, me një rënie të lehtë në krahasim me muajin e mëparshëm, kur arriti në 2.5%. niveli më i lartë në katër vjet.

Por, rritja e çmimeve në shtetet e Europës rrezikon të rrisë të ashtuquajturin inflacion të importuar, pasi importuesit do të blejnë mallrat më shtrenjtë. Në Itali, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, inflacioni arriti në tetor në 3.2%.

Banka e Shqipërisë raportoi së fundmi se pesha e inflacionit të importuar në rritjen totale të çmimeve në Shqipëri u rrit ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit.

Banka e Shqipërisë llogarit se kontributi i inflacionit të importuar në inflacionin total rezultoi 54%, kundrejt një mesatareje prej 40% të dy tremujorëve të mëparshëm të vitit.

Banka qendrore parashikon se, në një perspektivë të afërt, presionet e shtuara inflacioniste nga çmimet e huaja parashikohet të jenë të pranishme në inflacionin mesatar në Shqipëri edhe gjatë 2-3 tremujorëve në vijim, për t’u qetësuar gradualisht gjatë vitit të ardhshëm.

Presionet inflacioniste nga jashtë u rritën ndjeshëm në tremujorin e tretë të vitit, duke paralajmëruar një rritje të afërt të inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare. Pritshmëritë për inflacionin në të ardhmen e afërt maten kryesisht nëpërmjet Treguesit të Presioneve të Huaja Inflacioniste (TPHI) u zgjerua me 9.3% në terma vjetorë gjatë tremujorit të tretë 2021. Ky tregues llogaritet si rritja vjetore e indeksit të çmimeve të huaja dhe indeksit të Kursit Nominal Efektiv të Këmbimit për muajin përkatës.

Rritja e këtij treguesi është përshpejtuar dukshëm krahasuar me tremujorin e mëparshëm, kryesisht nën ndikimin e zgjerimit të fortë të çmimeve të huaja, me rreth 12.6% në terma vjetorë.  Kjo dukuri ka qenë e theksuar kryesisht gjatë muajve gusht dhe shtator. Nga ana tjetër, dinamika mbiçmuese e kursit të këmbimit paraqitet lehtësisht më e ngadaltë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. Në terma vjetorë, mbiçmimi i kursit nominal efektiv të këmbimit vlerësohet në 3.3%, nga 4.9% në tremujorin e dytë të vitit. Kjo tregon se në tremujorin e tretë kursi i këmbimit e ka amortizuar më pak efektin e rritjes së çmimeve të importit.

Nga analizat historike, është konstatuar se TPHI paraprin zhvillimet në komponentin e inflacionit të importuar me rreth 3-5 muaj. Rrjedhimisht, rritja e fortë e tij në tremujorin e tretë pritet të sjellë një kontribut në rritje të inflacionit të importuar sidomos duke filluar nga tremujori i parë i vitit të ardhshëm. Rritja e fortë e çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve ushqimore në tregjet botërore ka nisur të reflektohet në rritje të indeksit të çmimeve të konsumit në Shqipëri, vlerëson BSH.