Opozita largohet nga Komisionin për ref. në drejtësi. EURALIUS: Përbërje e re për KLD

491
Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi është mbledhur paraditen e sotme, dy javë pas arritjes së marrëveshjes mazhorancë-opozitë. Por pas debateve mes të majtëve e të djathtëve, këta të fundit janë larguar nga mbledhja.
Në fillim të mbledhjes, deputeti Xhafa tha se për herë të parë të pranishëm janë edhe deputetët e opozitës.
Fatmir Xhafa tha se në këtë takim do të bëhet shqyrtimi i një sërë dokumentesh me rëndësi, ndërsa pika e parë e diskutimit është paraqitja e një projekti paraprak.
Por deputeti demokrat Eduard Halimi ka ngritur disa pikëpyetje lidhur me dokumentin analitik, ndërsa për planin e veprimin kanë shprehur dakordësi.
Halimi tha strategjia duhet të jetë e konsultuar me grupet e interesit.
Lidhur me këtë pyetje, Fatmir Xhafa tha se dokumenti analitik është bërë publik në qershor, dhe sipas tij në këto 8 muaj ka qasje të panegociueshme.
“Grupi i ekspertëve të lartë nuk është partiak. Procesi bazohet te konsulenca dhe produktet e punës. Dokumenti analitik është bërë publik në qershor dhe 7 tryezat e organizuara janë të regjistruara”, tha Xhafa.
Në vijim të debateve në Komisionin për reformën në drejtësi, deputeti i majtë Pandeli Majko tha se anëtarët duhet të jenë bashkëpunues dhe të sinqertë me njëri-tjetrin në funksion të punës. Ndërsa deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi tha se është me rëndësi që puna e Komisionit të bazohet tek transparenca.
Të pranishëm në mbledhjen e sotme të Komisionit për reformën në drejtësi janë edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj.
Rendi i ditës i mbledhjes së sotme, i publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit, parashikon prezantimin e procesit të reformës nga nëntori i vitit të kaluar e deri më sot.
Më pas mbledhja vijon me miratimin e analizës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri, strategjisë së reformës së sistemit të drejtësisë dhe miratimin e planit të veprimit.
PËRFAQËSUESIT E EURALIUS: PRESIDENTI DHE MINISTRI I DREJTËSISË, JO PJESË E KLD
Përfaqësues të EURALIUS të pranishëm në Komisionin për reformën në drejtësi janë ndalur tek pjesa për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke kërkuar që Presidenti dhe Ministri i Drejtësisë të mos jenë pjesë e këtij institucioni.
“Duhet menduar përbërje e re e KLD-së. Shumica në këtë institucion duhet të jenë gjyqtarë. KLD përbëhet nga 11 anëtarë, 6 gjyqtarë, dhe të tjerët janë jashtë sistemit”, u shprehen përfaqësuesit e EURALIUS.
Sigal