Premtimi për ulje të naftës 35 %, u konkretizua me 100 lekëshin e litrit

510
Sigal

Fermerët zhgënjehen nga fjalët e Gramoz Ruçit, për uljen e çmimit të karburantit

Kryeministri Rama, e cilësoi 100 lekëshin për litër të çdo karburanti, jo taksë, por si një e mirë që bën qeveria për shëndetin e miletit.

Nuk përmbyset Shqipëria nga …taksat e reja

Sipas Kryeministrit Rama, qeveria, duke vendosur taksë për karburantet, do t’i detyrojë qytetarët, që të lënë makinat e të marrin rrugët me…këmbë. Dhe kjo, po sipas Kryeministrit Rama, do ta bëjë miletin, të ketë më shëndet, pasi dihet, që shëtitja me këmbë, i bën mirë edhe zemrës.  Sipas kryeministrit “…Nuk mund të themi se u përmbys Shqipëria, për 100 lekë që shtohen, jo vetëm që nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë për çmimet, por përkundrazi, këto shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve….Nuk shkon si barrë në xhepat e atyre që nuk marrin makinën, për të bërë xhiro në bulevard, apo në distanca të shkurtra brenda qytetit. …Kjo në të mirë të shëndetit publik, që të lëvizin më shumë në këmbë”.

Ruçi u ka premtuar fermerëve  para 23 Qershorit: 35 % ulje të karburanteve

Para 23 Qershorit PS-ja kishte në programin e saj elektoral, uljen e çmimit të karburantit për fermerët deri në masën 35 %. Dhe, kjo ulje e çmimit të karburantit për fermerët, sipas programit të PS-së, do të bëhej brenda 100 ditëve të qeverisjes së PS-së. Gramoz Ruçi, kryesuesi i listës të PS-së, për Qarkun e Fierit, në një takim elektoral me fermerët e Cakranit, para 23 Qershorit, u ka thënë shprehimisht fermerëve: “ Çmimet e plugimit, të frezimit, të korrjes të bien 35%, duke ulur çmimin e naftës për fermerët në bujqësi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, ndaj  votoni numrin 29, votoni Partinë Socialiste të Shqipërisë. Do të merrni 35% më lirë litrin e naftës se sa ai që e merr për veturën e tij Saliu”,- u angazhua Ruçi në këto takime.

Premtim apo demagogji?

Në projektbuxhetin e 2014-s, që qeveria “Rama 1” e ka çuar dhe diskutohet në komisionet parlamentare, nuk parashikohet fare, që të ketë një diferencim të çmimit të karburantit që përdorin fermerët nga çmimi i karburantit që përdoret për makina e të tjera. Madje,  projektbuxheti nuk parashikon asnjë subvencion në favor të fermerëve, për të rimbursuar karburantin që përdorin në fermat e tyre. Jo vetëm kaq. Por Kryeministri Rama, edhe në festën e madhe të 100 ditëve të qeverisjes së kabinetit të tij, “harroi” dhe nuk e kujtoi fare këtë premtim  elektoral të PS-së,

për të ulur çmimin e naftës për fermerët. Jo vetëm kaq, por Kryeministri Rama nuk tha se, as kur do të mundet që qeveria e tij ta bëjë realitet këtë premtim elektoral. Apo, duke e anashkaluar kështu, Kryeministri, do të japë mesazhin, që përfundimisht, ky premtim elektoral i PS-së për fermerët është braktisur…përgjithmonë?

Fermerët reagojnë

Rritja e akcizës së naftës ka shqetësuar fermerët. Ata, në reagimet e tyre thonë se, kjo do të ndikojë direkt në rritjen e çmimit të produkteve të tokës. Puna e tokës po paguhet me shtrenjte që tani, edhe për shkak te manipulimit. Fermerët thonë se me rritjen e çmimit të naftës në treg, e kanë të pamundur të nxjerrin edhe atë pak fitim si më parë, pasi automatikisht do të ketë edhe rritje të çmimeve të plehrave dhe farave.