Pragkatastrofë. Aksidentohet treni i mallrave në linjën Durrës-Elbasan

516
Sigal

Shkak, amortizimi i tejskajshëm dhe mungesa e investimeve për 25 vite

Gjendja në të cilën ndodhet hekurudha shqiptare është pothuajse jashtë funksionit. Edhe ato pak pjesë të hekurudhës dhe të trenave të cilët lëvizin, janë të dëmtuara dhe të amortizuara. Si pasojë e kësaj situate, një prej vagonëve të trenit të mallrave të linjës Durrës – Elbasan ka dalë nga shinat gjatë udhëtimit. Aksidenti u shënua në afërsi të Shkëmbit të Kavajës në Durrës, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, me përjashtim të dëmeve materiale.

AKSIDENTI

Dalja e vagonit nga shinat ka shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të transportit hekurudhor funksional në këtë zonë. Ndërsa grupi i avarive ka bërë të mundur vënien brenda një kohe të shkurtër në funksion të linjës hekurudhore. Në momentin që treni doli nga shinat, po udhëtonte me shpejtësi të ultë, çka nënkupton se shkak i aksidentit ka qenë amortizimi i linjës hekurudhore. Shqipëria renditet me treguesit më të ultë në rajon sa i përket sistemit hekurudhor. Kjo, pasi politika nëse ka investuar në infrastrukturën rrugore, infrastruktura e hekurudha është lënë në harresë prej më shumë se 10 vitesh.

ZGJIDHJA

Përtej pushteteve që ikin e vijnë, hekurudha shqiptare, në këto 25 vite të tranzicionit, pothuajse i ka humbur dy funksionet e saj, përkatësisht transportin e pasagjerëve dhe atë të mallrave. Nga viti në vit, rendimenti në këtë shërbim ka ardhur në ulje, sa numri i pasagjerëve që lëvizin me trena, është krejt i papërfillshëm, ndërsa vagonët e mallrave, numërohen me gishtat e dorës. Si pasojë e mungesës së investimeve, shumë segmente e pika nevralgjike të trasesë si në Qafë Tahnë, Xibrakë, etj, shpesh janë dëmtuar e kanë shkaktuar avari të rënda. Gjithashtu, numri i punëtorëve ka ardhur duke u shkurtuar dhe stacionet e trenave, aktualisht i ngjajnë varrezave të hekurishteve. Është folur shumë për reformë në sektorin hekurudhor, por për gati 25 vite, ajo është rrënuar dhe ka ardhur drejt degradimit të plotë.

 Dorentina HOXHAJ