Erion Kristo: Kryeministri do bëjë mirë të pranojë ndonjë vërejtje, ndonjëherë. Qoftë dhe për të mashtruar turmat

540
Sigal

Çfarë po ndodh me politikën shqiptare? Që, edhe në një fatkeqësi të madhe natyrore, sikurse përmbytjet dhe nga na tjetër, një terror tritoli në qendër të Tiranës,  politikanët harxhuan ditë të tëra për të akuzuar dhe kundërakuzuar njëra-tjetrën dhe vetëm zgjidhje problemit nuk i dhanë, duke mbjellë panik dhe mosbesim te qytetarët. Në intervistën për “Telegraf” aktivisti i shoqërisë civile dhe pedagog i Filozofisë, Erion Kristo, me satirën dhe batutën e vet, fishkëllen politikën, duke e portretizuar me fjalën e urtë popullore, që  “U tundën malet dhe pollën një mi”,  por, kur thotë, që për punët e mira,  asnjëherë nuk ka lekë, ndërsa për të vjedhë, ne jemi si shpella e Ali Babës. Ndërkohë, zoti Kristo pohon se intelektualët flasin, por nuk i dëgjon politika, por nuk është e largët dita që edhe intelektualët do të rebelohen.

– Zoti Kristo, në Kuvend, maxhoranca dhe opozita harxhuan shumë energji politike për të akuzuar njëra-tjetrën. Sipas jush, a kanë substancë, akuzat dhe kundërakuzat maxhorancë-opozitë për krimin dhe drogën?

-Të dy palët nuk harxhuan aspak energji. Energji harxhuan qytetarët që mbajtën ndezur televizorët gjithë ditën e ditës, duke pritur se mos mali i mbarsur pillte ndonjë mi. Të gjitha akuzat janë substancë. Të dy palët nuk gënjejnë. Më kujton atë humorin, kur pasi pogradecari u mburr për liqenin e vet se kishte shumë peshk, shkodrani i tha se në Shkodër, në fillim duhej të hiqje peshqit që të shikoje ujin. Edhe në këtë rast, jam më tepër i interesuar për pjesën e gënjeshtrës, se në gjykimin tim, ka shumë substancë. Me një fjalë, Prokuroria duhej të punonte në përjetësi, vetëm për llogjet e Parlamentit.

– Ne, shqiptarët, duke dëgjuar kështu politikanët tanë në Parlament, a mund të shpresojmë se problemet që përcaktojnë jetën dhe të ardhmen tonë vihen në shinat e zgjidhjes?

-Ne shqiptarët po presim të shikojmë ku janë shinat, se s’ka shina fare. Pastaj do shpresojmë për tramvajin.

– Përse ndodh kështu me politikën tonë, duke e bërë shterpë edhe shpresën e ndryshimit në të mirë?

– Sepse shprehja popullore, “bërtet hajduti: kapeni hajdutin!”, është një shprehje që nuk ka lindur kot.

– Përse politika nuk kishte një paqe, për të pasur një kontribut të përbashkët në fatkeqësinë e përmbytjeve, por edhe aty u luajt komedi politike?

– Sepse shqiptarët nuk duhet ta marrin vesh me saktësi se kush është autori i përmbytjeve. Dhe ky, natyrisht, që nuk është Zoti. Zoti u ka dhënë mend njerëzve, që ata t’i përdorin në kohën e mirë, pa ardhur koha e keqe.

– Mos vallë fatkeqësia e përmbytjeve ishte një lloj hakmarrje e natyrës për shkak të keqtrajtimit që i bëjmë mjedisit, ne, si individ, shoqëri dhe si shtet?

– – Njeriu që bie pre e natyrës, ka probleme të mëdha me natyrën. Natyra është e pashpirt. Njeriu ka shpirt. Shpirti edhe mund të hyjë në punë.

– Është kaq i varfër shteti ynë, sa qeveria ende nuk dha ndihmesa ekonomike për të përmbyturit, përveçse disa pako ushqimesh?

-Shteti shqiptar është shteti më i çuditshëm në botë. Nëse bëhet fjalë për punë të mira, asnjëherë s’ka para. Nëse bëhet fjalë për të vjedhur, ne jemi si shpella e Ali Babës.

– Përballë këtij realiteti, a ka motiv qytetari që të kontribuojë në pagimin e taksave, kur shteti nuk i gjendet pranë në fatkeqësitë më të mëdha natyrore, pa përmendur politikën sociale qeverisëse?

– Nuk duhet t’i nxisim qytetarët në mosbindje civile, edhe pse është një rrugë e drejtë. Ne duhet t’i nxisim qytetarët të kërkojnë llogari.

– Më bëri përshtypje që qytetarët, shoqëria civile, heshtën dhe nuk kanë reaguar fare për terrorin e tritolit. Mos vallë kanë frikë të reagojnë, apo janë të ndërgjegjshëm që kot të flasin?

-Shoqëria civile nuk heshti. Shumë qytetarë u rreshtuan në krah të shtetit. Terrori ka prodhuar gjithmonë efektin e kundërt. E tregon historia. Shpesh ekziston frika se mos flasim kot. Po më mirë të flasim kot, se sa të rrojmë kot.

– Kemi dhjetëra universitete, mijëra tituj akademikë që zbukurojnë CV-të e emërimeve, por kemi boshllëk të madh në shoqëri dhe në politikë për zërin dhe rolin e intelektualëve. Përse ndodh kjo?

-A i kemi ne? Apo thjesht janë? Përdhosja e shkencës është hapi i parë i pushtetmbajtësve në rrugën e uzurpimit të pushtetit. Pushteti i përket popullit, po ushtrohet nga politikanët. Nëse mungon zëri i shkencës, mungon zëri i së vërtetës. Paskëtaj mbretëron gënjeshtra.

– Përse heshtin intelektualët dhe nuk kanë aspak ndikim në jetën shoqërore, por as në vendimmarrjet politike?

– Intelektualët flasin. Intelektualët nuk dëgjohen. Duhet të flasin më shumë dhe në kor. Politika i ka përçarë. Po pikërisht te kjo pikë fillon të funksionojë intelektualizmi. Ka plot të tillë që nuk kanë çfarë të humbin. Sepse kanë humbur aftësinë e të ushtruarit të intelektit. Ky është krimi më i madh që mund t’i bësh një intelektuali. Dhe ky krim ka ndodhur. Tani duhet të presim rebelimin.

– Ju si e gjykoni nismën e Kryeministrit për të penalizuar edhe shpifjen politike?

– Mllefet kurrë nuk kanë çuar në zgjidhje reale. Ato thjesht kanë shërbyer si spektakël për të argëtuar turmat. Kryeministri do bëjë mirë të pranojë ndonjë vërejtje ndonjëherë. Qoftë dhe për të mashtruar turmat.

– Ndodh për herë të parë, që në ditët që qeveria greke negocion në Bashkimin Europian, në Bruksel borxhin e saj, qytetarët grekë, në të gjitha qytetet solidarizohen me qeverinë e tyre. Cili është mesazhi që mund të kuptojmë edhe ne shqiptarët, nga ky fenomen shoqëror-politik i ri?

– E kam thënë më kohë: shqiptarët kanë shumë për të mësuar nga grekët. Mbase do vijë ndonjë ditë që kjo fjalë e imja të dëgjohet, pa më akuzuar si progrek. Grekët janë kujdesur gjithmonë për veten e tyre. Ata nuk dorëzohen si ne. Ata reagojnë.

– Përse te ne, te qytetarët, politika qeverisëse nuk ngjall ndjenjën e besimit, shpresës dhe të ndryshimit, të gjërave në të mirën tonë?

– Sepse shkaktarët e së keqes nuk e kanë brenda vetes farën e së mirës.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA