Petro Kaça/ Sarandë, Policia fsheh dhe mbron dhunuesin e varrezave, reagon komuniteti

83

Ngjarjen që do përcjellim më poshtë, të ndodhur para një viti për dhunimin e varrezave të Mursisë dhe zhvarrimin e të vdekurve, e kemi trajtuar në faqet e gazetës “Telegraf” edhe kur ndodhi një vit më parë. Por këtë radhë, për faktin dhe arsyen se në redaksi ka mbërritur ankesa dhe një letër e qytetarit Petro Kaça, drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, lidhur me fshehjen dhe mbrojtjen e autorit të kësaj ngjarjeje ç’ njerëzore e kriminale, dhe kjo për vetë faktin se autori i denoncuar është punonjës i një prej institucioneve shtetërore ku drejtuesi i tij mbahet si i fuqishëm dhe i lidhur me pushtetin e pushtetarët. Petro rrëfen me lot ndër sy se nuk ka fyerje më të madhe se të të zhvarrosin pjesëtarin e familjes, ta identifikosh, dhe policia mos të veprojë, por përkundrazi ta vërë edhe në dijeni e ta mbrojë. Nuk ka shkelje më të rëndë të ligjit policor dhe etikës profesionale për policinë se të nxjerrë sekretin e denoncimeve qytetare, por kjo vjen nga që policia është mbushur me ordinerë që e braktisin dhe rikthehen kur të duan dhe nuk kanë as pikat elementare të profesionit, se po tu bëhet vlerësimi i personalitetit, dalin me probleme të shumta që nuk meritojnë uniformën e shenjtë të policisë. Ja ç’ farë u shkruan Petro kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri:

“Të nderuar zotërinj! Së pari ju uroj shëndet familjar dhe suksese në punën tuaj! Ajo që më bën tu drejtohem juve publikisht nëpërmjet shtypit, është fakti që ndihem për ç’ ka më ka ndodhur, sa i fyer, aq edhe i përbuzur e i mospërfillur nga institucionet shtetërore dhe sidomos nga policia.

Që të jem korrekt me juve, po ju përmend ato që më kanë ndodhur mua dhe familjes sime: Dy herë më kanë vjedhur shtëpinë. Megjithëse kam denoncuar me fakte konkrete të identifikuarit, autorët e grabitjes së banesës, policia dhe pikërisht inspektorët e rendit LN dhe KS(në letër është emri dhe mbiemri i plotë i inspektorëve të rendit, por gazeta për etikë nuk i përmend të plotë), nuk kanë denjuar të respektojnë dhe zbatojnë ligjin për të vënë para përgjegjësisë ligjore grabitësit e banesës sime. Por përtej këtyre ndodhive, më ka ndodhur gjëja më poshtëruese, jashtë ç’do logjike njerëzore dhe tradite shqiptare. Të më zhvarroset vëllai dhe ti grabiten sendet personale, por që në fakt motivi i këtij veprimi nuk ka qenë ai i grabitjes dhe motivin e vërtetë të kësaj ndodhie ja kam bërë prezent policisë, në denoncim me fakte, ku përsëri ra në vesh të shurdhër të inspektorit të policisë së rendit LN. Këto, të nderuar zotërinj kryeministër Edi Rama dhe Ministër i Brendshëm Saimir Tahiri, më shtynë tu drejtohem juve me besim të plotë se do të përdorni autoritetin ligjor dhe institucional për të më vënë në vend dinjitetin, dhe shkaktarët dhe mbrojtësit e tyre të marrin ndëshkimin sipas ligjeve në fuqi të shtetit shqiptar.

Me besim dhe respekt