Skandali, Korça nën tmerrin e rrezikut të qenve të tërbuar dhe sëmundjeve

772
Sigal

Bashkia e kthen qytetin 100 vjet më pas. Qeni i tërbuar i një drejtori ka dërguar disa njerëz në spital, situata vazhdon të jetë kritike

Tashmë nuk është më e lehtë të kalosh përgjatë pedonales së famshme të qytetit të Korçës e cila mban emrin bulevardi i “Shën Gjergjit”. Që në krye të saj të presin tufa të mëdha qensh; jo një e dy, por disa. Të vështrojnë drejt e në dritë të syrit, herë të habitur, herë me kureshtje dhe herë gjithë mirënjohje, sikur dëshirojnë të të thonë: “Mirë se erdhët në strehën tonë vorfnore!.. Kjo është shtëpia jonë luksoze e ndërtuar me shumë art, enkas për ne nga Bashkia e Korçës… Edhe për ne paska pasur një ditë të bardhë… Këtu ndihemi mjaft komod, jemi si në shtëpinë tonë”… Në raste të tilla je gati të pëshpëritësh: “Ah, qentë e Korçës janë vërtetë të edukuar, nuk ngjasojnë aspak me qentë e qyteteve të tjera, mbi të gjitha nuk të kafshojnë…”. Mirëpo koha bën të veten, ditët kalonin dhe qentë shtoheshin. Sot ata janë shndërruar në një lukuni të stërmadhe. Askush nuk mund të ndihet më i sigurt nga kafshimi i tyre. Tmerri bëhet edhe më i madh në rast se merr gëzimin të mendosh mos vallë ndonjë prej tyre është i tërbuar… Zoti mos e dhëntë të jetë kështu, sepse për banorët e Korçës, do të ishte një tmerr vërtet i madh, sepse nuk ka shumë rëndësi nëse qeni është i madh apo sa një kone, nëse është zagar, apo qen stani. Qeni i tërbuar të vjen drejt e pa u ndalur nga asnjë gjë, me dëshirën për të ngulur qoftë edhe një dhemb të vetëm të tij në trupin tënd.

Qentë e tërbuar   

Të gjitha këto i dinë mirë banorët e qytetit të Korçës, sepse i kanë vuajtur mbi kurrizin e tyre. Rreth një shekull më parë, ose më saktë, 86 vjet të shkuara, çuditërisht në qytetin e Korçës nuk mbeti qen pa u tërbuar. Ditë më të vështira e më të frikshme nuk kishte kaluar ndonjëherë ky qytet. Nuk guxonte as plaku, as fëmija, as burri dhe as gruaja të dilte në rrugë pa u siguruar më parë, nëse aty pranë nuk ndodhej ndonjë qen i tërbuar, të cilët ishin të gatshëm të sulmonin pabesisht në çdo kohë. Sigurisht, tërbimi i qenve të Korçës nuk ka ndodhur vetëm një shekull më parë, por edhe herë të tjera, por ndoshta në përmasa më të vogla. Megjithatë, mund t’iu duket e pabesueshme, por qentë e tërbuar gjithnjë janë pikasur vetëm në lagjet e “Varoshit”, të cilët, në raste tërbimesh e bënin rrugën e “Shën Gjergjit” aq të frikshme sa ia kalonin edhe llahtarit. Çuditërisht. qenë të tërbuar nuk pati qoftë edhe në një rast të vetëm në lagjet e “Kasabasë”, ku jetonin myslimanët. Pse ka ndodhur kështu nuk e dimë. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë studim për të kuptuar arsyet. Specialistët edhe mund të japin ndonjë mendim.

Tmerri

Tmerrin e viteve të shkuara nga qentë e tërbuar nuk ka njeri të mos e kujtojë sapo gjendet në pedonalen bulevardi i “Shën Gjergjit”, sepse brenda një çasti të shkurtër gjendesh i rrethuar prej qenve nga të gjitha anët. Dikush prej tyre të del në krah të majtë apo të djathtë dhe të shoqëron gjatë gjithë rrugës më shumë përkushtim; një tjetër të vjen pas si një bodigard i vërtetë që ka për detyrë të të mbrojë krahët, ndërsa të tjerët të paraprijnë si truproja të gatshme për të sakrifikuar me jetën e tyre. Por të gjendesh mes qenve është si të gjendesh mes qenve. Askush nuk beson dot se ndonjërin prej tyre nuk e ka marrë malli të kafshojë. Kafshimi është profesioni i vjetër i qenit. Dhe është kjo arsyeja që kalimi në atë rrugë po bëhet gjithnjë edhe më i rrallë nga njerëzit. Madje nuk ka grua që të kalojë atje në orët e para të mëngjesit kur rruga është pa njerëz dhe tufat e qenve, gjenden kudo; nën tavolinat e lokaleve të vendosura në rrugë, poshtë karrigeve, nëpër dyert e lokaleve, dyqaneve dhe institucioneve që gjenden aty. Kur sheh këtë mori qensh, të krijohet përshtypja se në këtë rrugë nuk ka nevojë për polic. Gjithçka është nën mbrojtjen vullnetare (pa pagesë) të qenve. Të pasigurt ndihen vetëm njerëzit. Gjithkush prej tyre lutet: “Do Zoti të mos ketë në mes tyre ndonjë të tërbuar!” Frika bëhet edhe më e madhe, kur shohin se nga Bashkia nuk po merret asnjë masë.

86 vjet më parë

Kështu ndodhi edhe 86 vjet më parë. Edhe Bashkia e asaj kohe nuk mori asnjë masë për qentë që po shtoheshin rrugëve të qytetit, veçanërisht në lagjet e “Varoshit”, ku jetonin ortodoksët. Befas, një ditë, nga një qen i tërbuar u shënua viktima e parë. Shtypi i kohës i alarmuar nga ajo që kishte ndodhur shkruante: “Pardje u dërgua n’ Institutin Antirabik të Durrësit një i quajtur Koço Todi nga ky qytet për të bërë shërimin e duhur me q’ është kafshuar prej një qeni të tërbuar. Gjithashtu para pak ditësh shkoj në Durrës edhe drejtori i degës së këtushme të “Bankës Kombëtare” për t’ ekzaminuar qenin e tij në Institutin Antirabik, i cili veç të zot ka kafshuar edhe disa të tjerë dhe prandaj, Prefektura kërkoi telegrafisht përfundimin e ekzaminimit që në rast q’ ay është vërtetë i tërbuar të dërgohen atje edhe njerëzit që u kafshuan prej tij. (“Gazeta e Korçës”, e enjte, 8 mars 1928). Qeni i drejtorit të “Bankës Kombëtare” u shndërrua në një tmerr të vërtetë. Nëse shihnin qenin e drejtorit njerëzit nuk dinin ku të fshiheshin. Mbeteshin të gjithë të lebetitur.

Qeni i drejtorit

Dhe ndërsa qeni i tërbuar ndodhej për ekzaminim që të gjithë prisnin përfundimet. Qeni i drejtorit ishte përkëdhelur nga shumë njerëz, ndaj që të gjithë ata që kishin pasur kontakt me këtë qen, prisnin në ankth e frikë. Më në fund, edhe përfundimi i analizave u bë i ditur për të gjithë: Gazetat përsëri e sollën si një nga lajmet më të rëndësishme: “Instituti Antirabik i Durrësit lajmëroi Prefekturën tonë (Korçë) se pas ekzaminimit q’ iu bë qenit të drejtorit të degës së këtushme të “Bankës Kombëtare”, u kuptua se ay vërtet ishte i tërbuar. Kështu, dje u dërgua në Durrës Kristaq Loni, kasapi, i cili ishte kafshuar prej atij qeni. Gjithashtu, dje shkuan dhe tre nëpunës të bankës z. Çezare Quereci, Vangjel Treska dhe Mihal Kristo. Pasi të zëvendësohen, do të shkojnë edhe gjithë të tjerët që të bëjnë shërimin kundër tërbimit, sado që asnjë nuk është kafshuar dhe vetëm kanë dyshim me që qeni i drejtorit sillej gjithnjë në zyrat e Bankës. Para disa ditësh shkoj edhe nënkonsulli anglez, John Pursell, i cili ishte lëpirë edhe ai prej atij qeni. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 10 mars 1928). E pra, kishte mjaftuar vetëm një qen që të mbante nën tmerr dhe ankth shumë njerëz. Por nuk kishte qenë i tërbuar vetëm qeni i drejtorit, edhe qenë të tjerë kishin pësuar të njëjtin fat. Ditë më vonë u bë i njohur një lajm tjetër: “Sot u dërgua në Institutin Antirabik të Durrësit i quajturi Apostol Adham Panariti, i cili është kafshuar prej një qeni të tërbuar. Pardje u kthyen nëntë veta pasi mbaruan kurën e tërbimit”. (“Gazeta e Korçës”, e martë 13 mars 1928)

Njerëzit e frikësuar

Banorët e qytetit të Korçës kishin filluar të ndiheshin edhe më të shqetësuar. Kërkonin të gjendej një zgjidhje me patjetër. Jeta e tyre po bëhej e pasigurt, jo vetëm nga qentë e tërbuar, por edhe nga epidemitë që po përhapeshin. Sipas shtypit të kohës, për këtë gjendje të krijuar nuk kishte faj vetëm Bashkia, por edhe banorët e saj: “Bashkia e Korçës ka shfarosur shumë qenër, bënte të ditur shtypi, por duhet që edhe populli të tregojë lehtësira të plota që qentë që kanë nëpër shtëpitë të mos i fshehin po t’ia dorëzojnë bashkisë për t’i shfarosur”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë 17 mars 1928). Lajmi i radhës ishte përfshirë nga shqetësimi që po vinte në rritje. Dukej sikur asnjë qen nuk do të mbetej pa u tërbuar: “Gjithashtu shihen edhe shumë qenër nëpër rrugët pa hallka, pa vizën (lejen) e Bashkisë e pa ndonjë shenjë të taksës. S’është çudi që për së shpejti kur të nxehet koha mirë të tërbohen dhe këtu, siç janë tërbuar gjetkë. Pse të mos zbatohet ligji kur është koha”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë 24 mars 1928).

Arsyet e tërbimit të qenve

Gjithë fajin e tërbimit të qenve, banorët e qytetit të Korçës ia vinin papastërtisë që ekzistonte në këtë qytet. Gazetat e shpjegonin kështu këtë fenomen: “Edhe vjet kur ishte inspektori i shëndetësisë, edhe sivjet veterineri i qarkut të Gjirokastrës, thanë dhe e konstatuan me fakte se tërë sëmundjet që përhapen këtu në Korçë e kanë burimin nga vaditja e keqe e zarzavateve me ujin që rrjedh prej kanaleve. Për këtë gjë janë bërë shumë mejtime po prapëseprapë ka mbetur në pikën e vdekjes, se askush nga ata q’ u takon kjo punë nuk tregon ndonjë interes. (“Gazeta e Korçës”, e enjte, 23 gusht 1928). Megjithatë, pavarësisht nga ankesat e njerëzve, duket se Bashkia nuk mundi ta zgjidhte dot këtë problem. Gazeta  “Zëri i Korçës”, 26 gusht 1930, një vit më vonë vinte në dukje të njëjtin shqetësim: “Prapë po dëgjojmë ankime kundër Bashkisë sonë që nuk merr masat e duhura kundër bostanxhinjve, të cilët përdorin ujin e gjirizeve për vaditjen e bostaneve. Nga ana tjetër na thonë që shkaku i epidemisë, diarrea, që është përhapur në këtë qytet janë zarzavatet”.  Ngaqë Bashkia e Korçës po vonohej në veprimet e saj, situatën e mori në dorë Prefektura e Korçës: “Me qenë se në qytetin tonë është përhapur një sëmundje epidemike, sot në mëngjes të gjithë mjekët patën një mbledhje në zyrën e Prefektit për të caktuar cilësinë e saj dhe masat që duhen marrë”. (“Gazeta e Korçës”, e martë, 2 tetor 1928).

8 veta të kafshuar nga qeni i tërbuar

Korçës nuk po i ndaheshin më as qentë e tërbuar dhe as sëmundjet epidemike. Mëngjeset po bëheshin edhe më të frikshëm nga sa më parë. Qentë e tërbuar po shtoheshin në numër. Një qen i vogël kishte mundur të infektonte tetë persona nga qyteti i Korçës. Lajmi ishte ky: “Pardje, të martën, policia e qytetit u lajmërua se një qen i tërbuar dhe pa zot është duke u vërtitur nëpër qytet dhe ka kafshuar disa veta. Pas pak orësh organet e policisë mundën të zbulojnë se qeni i tërbuar ishte një kone dhe kishte kafshuar tetë veta, që të gjithë nga ky qytet. Sipas raportit zyrtar të mjekut të Bashkisë njerëzit e kafshuar janë të quajturit Angje Lubonja, vjeç 15, Stavre Papa, vjeç 18, Naçi Shipcka, vjeç 50, Viso Koço, vjeç 14, Loni Perika, vjeç 15, Pandi Llazar, vjeç 11, Vangjel Dhami, vjeç 10 dhe Viktor Naum, vjeç 45. Dje, nën përkujdesin e z. Kristo Adham, të dëmtuarit u dërguan nga ana e Bashkisë në Institutin Antrabik të shtetit në Durrës, ku do tu bëhen mjekimet e duhura. Qeni në fjalë ishte zhavalitur edhe me qenë të tjerë dhe u gjet prej policisë i ngordhur jashtë qytetit nga lagjja “Penço”. Nga sa morëm vesh, bashkia e këtushme do të porositet prej Prefekturës të zhdukë qentë që nuk kanë zotër. Gjithashtu të ndiqen edhe ata që dyshohen”. (“Zëri i Korçës”, e shtunë 25 shkurt 1928).

Qentë e ngordhur nëpër rrugë

Shtypi i kohës gjithashtu bëri të ditur edhe një lajm tjetër po kaq të frikshëm. Qentë e ngordhur po gjendeshin gjithandej. Jeta e qytetarëve nuk mund të ishte më e sigurt. “Zëri i Korçës”, e martë 20 mars 1928, shkruante: “Qentë e ngordhur janë hedhur andej-këtej si këtu në qytet, ashtu edhe jashtë nëpër katunde, është e mira që të mbulohen me dhe, (baltë), dhe të mos lihen zbuluar se përveçse sjellin kundërmime dhe sëmundje, kufomat e tyre po shkaktojnë përhapjen e tërbimit me që mund të  venë në kërmat kafshë të tjera të hanë mish prej tyre. Prandaj i kujtojmë Bashkisë tonë dhe gjithë kryepleqve të katundeve të kujdesen për gjithë kufomat e kafshëve të tërbuara, të cilat duhet të mbulohen mirë dhe me kujdes….”.

E njëjta gjë po ndodh edhe sot e kësaj dite, pas rreth 100 vjetësh. Nuk ka asnjë dyshim që një ditë qyteti i Korçës do të ndodhet përballë një situatë të padëshiruar, ku jo vetëm tërbimi i qenve nuk do të jetë i pamundur, por edhe përhapja e sëmundjeve epidemike do të jetë e pashmangshme. Kjo është bashkia e Korçës, e cila nuk po merr asnjë masë kundër qenve që banojnë në pedonalen “Shën Gjergji”. A mund të konsiderohet kjo bashki si një institucion i përgjegjshëm?! Sigurisht, nesër do të jetë vonë.

Vepror Hasani