Pesë shtator, ditë behari, zonë e lirë u gdhi Skrapari

397
Enver CAKAJ

Malet thërrisnin me zë të trembur. Dikush po na cenon, dikush po na shkel atje ku s’mban skraparasi! Ishte thirrje e dhimbshme. E dëgjuan skraparasit dhe po u dukej sikur ato këmbë shkelnin mbi zemrat e tyre. Ca i quajtën miq ata që ishin pushtues. Por populli u tha shkoqur:

“Pyesni baballarët tuaj,
Ç’domethënë mik i huaj?
Mik i mirë është babai.”
Ata nuk hoqën dorë, po u mbeti turpi. Skraparasit vendosën: Edhe pa pushkë e pa bukë, do të heqim nga një brinjë nga trupi dhe ta bëjmë pushkë. 

“Më mirë arat t’i lëmë djerr,
Se të luftojmë për të tjerë.” 

Nga malet erdhi sërish zëri i trembur: “Ku jeni,u thirri nëna?” Dhe nënat e dhimbshme u përgjigjën të parat: “Do t’i bëjmë djemtë kurbanë!” Kaq e lehtë ishte?! Jeta e atyre djemve kishte lidhje me Atdheun. Po të mos merrte frymë atdheu, edhe ata do të merrnin frymë me supe. A thua ta kishin lexuar nënat tona thënien e Maksim Gorkit: “Kur do të kemi nëna që t’i dërgojnë djemtë me dëshirë drejt vdekjes?” U dha një shifër: Mbi dymijë djem e vajza skraparase u hodhën në Luftë. A thua të jetë e vërtetë kjo shifër? Po ato dymijë e ca nëna,që ngrinin nga acari dritareve për të pritur e përcjellë djemtë e Luftës, çfarë ishin? Po ata djem të rinj, që u quajtën debatikas, në ç’grup hynin? I ndjeri Kolë Jakova pati shkruar për një skraparas me emrin Ajolin Muzaka, që ka luftuar përkrah Skënderbeut dhe ka rënë në Fushën e Torviollit në vitin 1444. Ai ra, po populli e futi në këngë, edhe pse nga strukturat e shtetit nuk u kujtuan kurrë: 

“Ju lindët Ajolin Muzakën,
Që në Torvioll derdhi gjakun.
Skënderbeut s’iu tretën sytë,
Se s’bën nëna Ajolin të dytë.” 

Po të mos ishte i gjithë Skrapari në luftë,nuk do të vinte kurrë, as ai 5-shtator i vitit 1942, as ai 29-Nëntor i vitit 1944. I gjithë Skrapari ishte në pozicione luftarake. Strukturat e shtetit kanë vlerësuar 124 shtëpi si baza të Luftës, por ne do të pranonim këto vargje të poetit skraparas:

Dhe kjo pllakë në shtëpi,
Si bazë luftë për liri.
Do të ndriste e kish hije,
Po t’i vihej çdo shtëpije.

Në një bisedë me veteranin Mehmet Braçaj, dëgjova një shprehje burrërore: “Ishim dhe mbetëm të plumbit!” Përse na i tha këtë? A e dini që arat e malet edhe sot janë të mbushura me plumba e kapsolle? Në kapsollat e luftës i hedhin rrënjët bimët e arave dhe bari i lëndinave. Dhe nuk thahen, se vaditen me gjakun e djemve skraparas. Atje është e do të mbetet përjetësisht gjaku i tyre. Që nga lindja deri në vdekje djemtë jetuan me pushkë në duar. Ata që erdhën triumfalisht në Shqipëri, ikën pa frena. Në vitin 1928 Serasqeri i Rumenlisë, që pa tmerrin me sy në Skrapar, i drejtohej Stambollit: “Sikurse kemi raportuar dhe herë tjetër, ky popull i mallkuar nuk mund të krahasohet për trimëri e burrëri me asnjë popull tjetër!” Edhe akademiku botanist,Atonio Baldaçi, që erdhi ne malin e Tomorit për të studiuar bimësinë, na mbresat e tij historike: “Këta banorë i sheh gjithmonë me armë në dorë. E njohin dhe duan atë si hostenin”. Dhe këto raportime bëheshin kur skraparasit nuk kishin asnjë lloj arme. I provuan skraparasit të gjithë pushtuesit. Njëri vidh e tjetri vra e digj. Premtuan rrugë e ura, po bënë vetëm krime. Në vitin 1931 iu drejtuan popullit fukara për të ndërtuar rrugën Berat-Skrapar. U caktuan dhe sa metra do të bënte një punëtor. Afati i përfundimit u caktua 31 dhjetori i vitit 1933. Edhe pse i bënë një farë thirrje dhe e detyruan popullin, ajo rrugë nisi vetëm në vitin 1933. Por edhe këtu bënin një hile. Në kontratë është vënë ky shënim: “Zyra e Punëve Botore rezervon të drejtën me ba shtimin e pakësimin e punës së kubaturës simbas llojit dhe gjendjes së natyrës së tokës.” Pra, ata i kthenin të gjorët punëtorë aq herë sa të donin dhe rruga nuk u bë. Këtë dokument e ka mbajtur si kujtim të hidhur Jonuz Pema nga Slatinja, që i ranë brinjët rrugëve dhe rrugë nuk pa me sy. Në vitin 1937,zotërinjtë u kujtuan sërish për rrugën e lënë në mes.Ata iu drejtuan sërish popullit të punonin sejcili nga dhjetë ditë në rrugë. Nuk u mor vesh ku filloi e mbeti kjo rrugë,se në Skrapar nuk erdhi,as rruga as makinat. Të huajt që hynin e dilnin në Shqipëri si në shtëpitë e tyre,lanë pas pesimizmin e tyre. Në vitin 1940,nuk dihet kush e solli në Skrapar një gjeograf të huaj,që bëri ç’deshi dhe na la pakënaqësitë e tij: “Prapambetja e krahinës së Skraparit, është rrjedhim i relievit malor ,që pengon zhvillimin e bujqësisë dhe komunikacionit”. Këtë përcaktim e mbajti për vete, se skraparasit e njihnin tokën dhe forcën e tyre. Ajo donte mekanikë bujqësore që të lëviznin shtresat e thella të tokës. Skraparasit do të kishin dëshirë, që gjeografi me shokë të vinin e ta shikonin cilët ishtin Skrapari dhe skraparasit e vërtetë.
Çorovoda ishte i vetmi qytet pa qytetarë. Kur e shikon për herë të parë këtë qytet të rrethuar me male e kodra, të duket sikur ato kanë shkundur supet dhe e kanë hedhur në këtë thelluke. Skraparasit paguan për të ngritur godinën e parë, e cila ishte nënprefektura. Do të kalonin vite pa të merrte formën e një rrethi dhe qyteti të plotë. Skrapari u njoh si rreth i veçantë në vitin 1925, por nuk binte ‘erë’ rrethi. Asnjë shërbim shëndetësor e arsimor. Asnjë rrugë. As drita, as mjete transporti, as industri. Skraparasit u kishin besuar krahëve të tyre. Gjithçka ishte primitive. Njerëzit iknin ose i dërgonin në kurbet, ku nuk ktheheshin kurrë. Shtypi i kohës i trajtonte hallet e tyre, po kush i dëgjonte. Gazeta “Drita” e 26 shkurtit të vitit 1903, shkruante: “U këput populli së paguari për udhë e udhë s’ka…Kush vete në Jemen, le të marrë një qefin që ta ketë për në xhehnem. Prej një tabori të Skraparit, që ishin 840, vetëm 120 janë të gjallë!” Ai e plotësoi portretin e tij, kur u njoh si qytet Çorovoda në vitin 1965. Rruga e vetme e tyre ishte lufta. Andej do t’u vinte liria. Skraparasit i mbushën formacionet partizane, por më parë hapën dyert e shtëpive, që djemtë e Shqipërisë të gjenin një mbështetje. Në Skrapar u krijuan Çeta e parë, Brigada e 7-të, Brigada e 16-të, Divizioni i Parë, Arma e Xhenjos dhe ndërlidhjes, Batalioni “Riza Cerova”, Batalioni “Rinia”, Grupi i Tretë i Skraparit, Batalioni territorial i krahinës së Potomit. Në mes të luftës u mblodh Kongresi i Parë i BRASH-it dhe Plenumi i Parë i Komitetit Qendror të Partisë. Nuk kishte evenimente që bëheshin në Shqipëri, ku të mos vinin skraparasit. Që nga Prizreni,Kongresi i Lushnjes,Sinja e Beratit. Ngritja e flamurit në Vlorë. Hekuran Zhiti,aktor i Lushnjes, me taban skraparasi, shkroi atëherë kur skraparasit u nisën në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës:

Nga ky vend trimat po venë,
Mahmuti dërgoi Hysenë.
Dëgjo,Hysen,bir, o djalë.
Po s’qe Kongresi i qetë,
Dërgo një letër përpjetë.
Kështu puna po ta dojë,
Kongresit t’i bëjmë rojë.

Skrapari kishte burra të mençur e patriot në të gjitha sistemet.Kush i harron,Riza Cerovën, Hasan Koprënckën,Mustafa Kapinovën,Sinan Leshnjen, Mestan Ujanikun, Asllan Gudën, Dule Koprënckën Mahmut Zaloshnjen, Servet Zaloshnjen, Riza Vërzhezhën, Meleq Staraveckën, Adem Radëshi, Hysein Prishta, Kasëm Vëndresha, Sulejman Spathara, Bido Buzuqi, Refat Vëndresha, Ahmet Nishica, Hysen Zaloshnja, Riza Vlusha, Selam Koprëncka, Riza Çepani, Qazim Çerenishti, Taulla Leshnja, Mehmet Radëshi, Dervish Iljaz Qafoku, Riza Radëshi, Ali Vërzhezha, Jaçe Vëseshta, Tefik e Kajmak Rogu, Shefqet Melcka, Ahmet Bala, Rrapo Çela, Zenel Caka, Sulejman Qafa, Zeqir Lame, Sakul Radëshi, Ali Farmaqi…Ishin këta burra, që me njëmijë mënyra u futën tmerrin pushtuesve. Ata e kishin kthyer Skraparin në një fortesë, ku gjenin mbrojtje të gjithë patriotët që luftonin për Shqipërinë. Këtë e tregon edhe një raport i Konsullit të Rumanisë,i cili shkruante: “Skrapari Përmeti,Kurveleshi, Dukati…ndodhen të vendosura në male pothuajse të paarritshme dhe që paraqesin strehime të sigurta për kryengritësit. Në këto vende ata disponojnë sasi të rëndësishme armësh moderne. Kundër rebelëve në këto krahina u dërgua një ekspeditë ushtarake prej 1500 milicë nën komandën e kolonel Selim Kaloshi, nga të cilët disa qindra kanë rënë rob në duart e rebelëve.” Këta e të tjerë burra i hodhën themelet e patriotizmit në Skrapar.
Nurihanë Bilimani Nadire Visocka Rrahime Lazaj Nerënxë Caka
Strukturave të shtetit u kishin mbetur të informonin njeri-tjetrin me letra e telegrame. E kërcënuar seriozisht nënprefektura e Skraparit i drejtohej me këtë telegram Prefekturës së Beratit më 26 dhjetor 1915: “Siç ju kemi raportuar Don Quishotët të Koprënckës, të cilët përgatitën humnerën e tmerrshme të Atdheut, arritën me sjellë një anarshi. Pasi paria largoi nënprefekturën dhe komandën e gjindarmërisë më 24 të këtij muaji,ditën e enjte,në orën 12,çetat e Xhelal Koprënckës, Hysni Vëndreshës, Sakulit e Zenel Braçit, hujnë në qendër nga Zhabani e ajo e Ali Koprënckës nga Vërzhezha… Përmes brohoritjeve frenetike, Sakuli hyri në një zyrë të gjindarmëve dhe me dorën e tij prej bishe,u ngre i pafati flamuri kombëtar.” Atëherë patrioti Sulejman Qafa pati deklaruar: “Një qeveri që nuk eleminon dot dy çeta,ka mbaruar. Luftën e kemi të fituar.” Por ai brez luftëtarësh nuk e shpuri dot deri në fund atë që nisi dhe mbajti derisa humbën jetën. I takoi brezit tjetër ta merrte këtë mision final. Dhe ata ishin të gatshëm e u betuan: “Ti baba i dashur,Në ke mall për mua,/Djalin tënd kërkoje,Gjurmëve të tua.” I lanë qetë në parmëndë, i lanë nënat e fëmijët vetëm dhe ikën t’i shërbenin nënës së madhe. Ajo ishte edhe për ata që s’kishin nëna e baballarë. Nuk pyetën ku do të flinin e ku do të hanin,nuk u trembën as nga plumbat.Pas lanë një front tjetër të rëndësishëm,që s’kishin armë,po të vrisnin.Ishin nënat,që nuk u terën kurrë sytë. Kështu ishte lufta, lotë e gjak.

Dëborë,breshër apo llohë,
I thanë vendit:ku më do?
Ku e deshi atje vajti,
Fjalën si burrat e mbajti.
Gjak e djersë tok i përzjeu,
Ashtu siç e desh Atdheu! 

Ikën djemtë e nënave,por mbetën dhe betejave. Të shumtit erdhën,se i priste një luftë tjetër më e rëndë se e para. Nëpër fshatra gjetën tym e hi në vend të shtëpive. Duheshin hedhur themele të reja.Po kush t’i ngrinte? Vetëm 24 muratorë dhe 12 marangozë do të ringrinin shtëpitë e reja. Ku të vinin më parë? I gjithë populli ishte pa strehë e pa bukë. Kërkesat pa fund i drejtoheshin Komitetit Ekzekutiv dhe Qeverisë. Fillimisht u ngritën brigadat e punës. Rinia mori përsipër djegien e furrave të gëlqeres. Zot i qytetit ishte lumi. Në dimër kishin vënë një tra për të kaluar njerëzit,por kur binin shirat trarin e merrte lumi dhe komunikimi ndërpritej. Do të bëheshin zotër të qytetit njerëzit pa të ndërtohej ura. Luftën e dytë botërore dhe rindërtimin e vendit e morën përsipër Kahreman Ylli, Zylyftar Veleshnja, Taip Metani, Estref Caka, Riza Kodheli, Mane Nishova,Hetem Kapinova, Riza Kuçi, Sulo Koprëncka, Avni Kondi, Bedri Lumani, Asllan Lumani, Xhafer Kuçi, Dilaver Radëshi, Pëllumb Qazimi, Ilir Meta, Rustem Çepani, Tomorr Cerova, Nure Dobrusha, Reshat Gërmënji, Rushit Dervishi, Njazi Çepani, Xhevo Çepani, Vaip Gogo, Dilaver Radëshi, Demir Nuellari, Muhamet Laze, Izet Koprëncka, Asllan Musai, Nevruz Greva, Safet Hatellari, Enver Naska, Zylyftar Dyrmishi, Mendu Backa, Neshat Hysi, Izet Hysi, Xhevahir Spathara, Tajar Grepcka, Mustafa Bakiasi, Ajli Alushani, Jaçe Lulo, Kujtim Basho, Yzedin Basho, Izet Dashi, Skënder Bega, Qemal Bega, Nevruz Gogo,
Populli ankohej për tri gjëra: bukë, kripë dhe vajguri. Komiteti Ekzekutiv i drejtohej 
Prefekturës së Beratit dhe Ministrisë Tregtisë Tiranë: “…Në datën 24.7.1948 na u grumbulluan mjaft popull,që kërkonin bukë. Na u tha që plani do të shtohej, po as u shtua,as na u njoftua. Në lidhje me bukën kemi pasur dhe kemi akoma pakënaqësi nga populli,kanë qëndruar nga 4-5 ditë pa bukë fare,kanë ngrënë barishte.” Nga qeveria nisën të vinin kërkesa për të dërguar djem ose vajza për në shkolla profesionale,që t’i shërbenin popullit. Por nga Skrapari niseshin përgjigje të tilla: “Me gjithë kërkimet dhe shpalljet e bëra deri më sot, nuk u shfaq ndonjë kandidat për kursin në fjalë. Kjo vjen të kuptohet nga mungesa që nuk kanë bërë shkollë.” Do të kalonin vite,që Skrapari të merrte formën e një rrethi të vërtetë,ku u vendosën të gjitha shërbimet që i duheshin popullit. Mirëpo e gjithë ajo punë e bërë erdhi e u shkatërrua nga e ashtuquajtura demokraci. Në Skrapar vetëm lumi mbeti pa prishur. Madje edhe lulet kishin frikë të çelnin. Skrapari me ato rrugë e ndërtime u izolua plotësisht. Në vitin e mbrapsht 1997, në Skrapar u ringritën spitalet partizane dhe kurset kundër analfabetizmit! Tani ka nisur rindërtimi i shkatërrimeve dhe Çorovoda është stolisur si një nuse. U mbushën 75-vjet nga dita e çlirimit. Skraparasit do të festojnë për këto që kanë bërë, por kanë frikë se mos vjen ndonjë rrymë tjetër dhe ua u prish të gjitha. Kështu u kuptua demokracia,prish, vra e vidh!