Për monitorimin eficient të prokurimeve publike

623
Sigal

Nga Albert Thoma, KLSH

Megjithëse me hapa të ngadaltë, procesi i prokurimit të fondeve publike është transformuar në vazhdimësi gjatë dy dekadave të fundit, si nga pikëpamja rregullatore ashtu dhe nga logjistika, kryesisht sistemi elektronik i prokurimit të fondeve publike. Procedurat e prokurimit, sidomos ato me ndjeshmëri si në veprat publike të infrastrukturës, monitorohen njëlloj, sipas kuadrit rregullator, si për çdo prokurim tjetër, përfshi dhe ato me vlerë të vogël. Monitorimi është lënë në kompetencë të autoriteteve kontraktore dhe mekanizmave të parashikuar në ligj, si Agjencia e Prokurimit Publik, Komisioni i Prokurimit Publik dhe Gjykata. Po a ka treguar përvoja e këtyre viteve se monitorimi dhe kontrolli kanë qenë eficentë dhe të pavarur? Shqipëria synon dhe aspiron të çelë negociatat me BE dhe në këtë kurs duhet të ishte imediate reformimi i sistemit të monitorimit dhe kontrollit të prokurimit publik dhe veçanërisht të realizimit të investimeve publike kryesisht veprat e mëdha të infrastrukturës. Dhënia e kontratave publike nga ose në emër të autoriteteve shtetërore duhet të jetë në përputhje me parimet e Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Evropian (TFEU), dhe në veçanti të lëvizjes së lirë të mallrave, lirisë së veprimtarive dhe lirisë për të ofruar shërbime, si dhe parimet që rrjedhin prej saj, të tilla si trajtimi i barabartë, mosdiskriminimi, njohja reciproke, proporcionaliteti dhe transparenca. Megjithatë, për kontratat e punëve publike mbi një vlerë të caktuar, dispozitat duhet të hartohen në koordinim  me procedurat kombëtare të prokurimit për tu siguruar kështu se këto parime kanë efekt praktik dhe prokurimi publik është i hapur për konkurrim. Prokurimi publik luan një rol kyç në strategjinë Evropa 2020, të përcaktuar në Komunikatën e Komisionit të 3 marsit 2010 me titull “Evropa 2020, një strategji për rritjen e zgjeruar, të qëndrueshme dhe përfshirëse”, si një nga instrumentet e bazë të tregut që do të përdoret për të arritur rritje të zgjeruar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, duke siguruar përdorimin më efikas të fondeve publike. Për këtë qëllim, rregullat e prokurimit publik, miratuar në përputhje me Direktivën 2004/17/EC dhe 2004/18/EC të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, duhet të rishikohen dhe modernizohen me qëllim rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, duke lehtësuar në veçanti pjesëmarrjen e shoqërive të vogla dhe të mesme (NVM) në prokurimin publik, dhe për t’i mundësuar autoriteteve kontraktore   përdorimin sa më të mirë të prokurimit publik në mbështetje të qëllimeve të përbashkëta shoqërore.  Aktualisht në fushën e prokurimit publik dhe të kontrollit të investimeve, impakt në drejtim të përmirësimit të procedurave dhe rritjes së monitorimit e kontrollit ka luajtur vetëm auditimi i jashtëm publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ai, në veprimtarinë audituese ka evidentuar jo vetëm shkeljet dhe kundravajtjet me pasoja financiare dhe ka rekomanduar masa deri dhe drastike, duke i referuar në institucionet ligj-zbatuese si prokuroria, por parësore është evidentimi i dobësive të sistemit si në prokurim, edhe në monitorim e kontroll të realizimit të investimeve me fondet publike.  Një nga dobësitë themelore për të cilat disa herë KLSH ka rekomanduar përmirësime ligjore, është vendosja e mekanizmave parandalues në sistemin elektronik të prokurimit në lidhje me bashkëpunimin korruptiv të KVO dhe rrjedhimisht të autoriteteve kontraktore me operatorët e tregut, ndarja e procedurës në fazën e kualifikimit dhe në fazën e vlerësimit të ofertave. Ende KVO kur hap procedurën e vlerësimit të ofertave ka në dispozicion si kualifikimin e operatorëve ashtu dhe ofertat ekonomike. Pasi ka informacionin e plotë, qëllon të hyjnë në bashkëveprim me operator të paracaktuar nga autoritetet duke ekspozuar dhe informacione të operatorëve të tjerë me qëllim krijimin e bazës për ankimime me qëllim skualifikim të operatorëve më ekonomik, në favor të operatorëve të paracaktuar. Nëse sistemi do të ndante në fillim vlerësimin e kritereve të kualifikimit dhe pas kësaj procedure të shfaqte ofertat ekonomike do të parandalohej bashkëpunimi korruptiv midis autoritetit kontraktor dhe operatorëve ekonomik në treg në drejtim të shmangies së konkurrencës së ndershme dhe sigurimit të efektivitetit të fondeve publike. Nga auditimet e KLSH ka rezultuar shpesh që kjo dobësi të krijoj kushte për zgjerim të bashkëpunimit korruptiv deri në hallkat e kontrollit me ligj siç është APP, KPP dhe gjykatat. Një dobësi tjetër themelore e evidentuar nga KLSH është procesi i mbikëqyrjes dhe kolaudimit të veprave publike të cilat janë liberalizuar dhe aktualisht kolaudimet kryhen nga operator privat të lincencuar për këtë qëllim. KLSH ka evidentuar raste kur kolaudatorët paraqiten në prokurim për kolaudim të veprave publike me shuma qesharake deri dhe në 1,000 lekë. Shtrohet pyetja për çfarë interesi kolaudatori privat do të japë garancinë e kryerjes siç duhet të punëve publike kur 1,000 lekë nuk arrijnë as për transportin deri në destinacion ku është vepra e ndërtuar? Natyrisht që ka një interes dhe ky interes është shpërblimi që ndërtuesit japin për mbikëqyrësit dhe kolaudatorët të cilët i përpilojnë aktet e kolaudimit në më të shumtën e herës në kafe duke rritur fiktivitetin dhe mbuluar vjedhjet dhe shpërdorimet në ndërtimin e veprave publike. KLSH ka rekomanduar për penalizim shumë operator të kësaj natyre dhe ka rekomanduar vënien në ngarkim dhe dëmet ekonomike të evidentuara dhe është i vetmi institucion që ushtron presion në këtë drejtim. Sipas ligjit autoritetet kontraktore pranojnë veprat publike në bazë të aktit të kolaudimit të këtyre operatorëve dhe përveç auditimit të jashtëm publik nuk i nënshtrohen asnjë lloji tjetër monitorimi apo kontrolli dhe shumica e veprave publike, sidomos ato të infrastrukturës, nuk janë efektive, degradojnë në një kohë të shkurtër madje dhe brenda periudhës së garancisë. Ka ardhur koha dhe është imediate të reformohet ky shërbim duke krijuar instrumente me përgjegjësi shtetërore të pavarura, si p.sh. institute, të cilat të marrin në dorë me kompetencë mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve për veprat publike dhe sidomos ato të infrastrukturës dhe të mos lihet në dorë të autoriteteve kontraktore marrja në dorëzim vetëm mbi bazën e një akti kolaudimi, fiktiv në më të shumtën e rasteve, nga operatorët privat të licencuar të cilët nuk kanë asnjë përgjegjësi ligjore dhe shtetërore të certifikojnë punimet sipas interesit të ndërtuesve apo furnizuesve të mallrave ku një pjesë e mirë e fondit të investimit vidhet apo shpërdorohet.