Për herë të parë në Shqipëri, bizneset angazhohen zyrtarisht për fuqizimin e grave në vendin e punës

569
Sigal

11 biznese
kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe social të Tiranës, u angazhuan sot vullnetarisht për të integruar
Parimet Globale të Fuqizimit të Grave në praktikat e tyre të punës. Në
ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e UN Women,
Drejtorët Ekzekutivë të kompanive të ndryshme në fushën e IT-së, ndërtimit, operimit bankar dhe telekomunikacionit, nënshkruan
një deklaratë ku zyrtarizojnë mbështetjen e tyre për avancimin e barazisë midis
grave dhe burrave.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë kësaj
ceremonie u shpreh: “Sfida jonë është krijimi i modeleve të suksesshme, duke
filluar me këto 11 biznese që sot firmosin të parat Parimet e Fuqizimit të
Gruas, të cilat duhet të ndihmohen të kthehen në histori suksesi sepse kështu
do të kenë bërë një punë shumë herë më të madhe për fuqizimin e gruas
shqiptare, se sa studimet apo strategjitë apo qoftë edhe ligjet që kalojmë”.

 

Parimet e
Fuqizimit të Grave përfaqësojnë shtatë hapa se si mund të kryhet fuqizimi i
grave në vendin e punës, treg, ekonomi dhe komunitet. Ato kanë të bëjnë me
promovimin e barazisë gjinore në punë, mosdiskriminimin, shanse të barabarta
dhe trajnime për të gjitha gratë, shëndet dhe siguri në punë.

 

Përfaqësuesi i
UN Women në Shqipëri, David Saunders, theksoi: “Duke përdorur këto shtatë parime,
shoqëria shqiptare mund t’i kundërvihet çështjeve kokëforta të pabarazisë dhe të
promovojë zgjidhje krijuese, gjithëpërfshirje dhe ndryshim sistematik”.

 

Disa nga
veprimet konkrete që këto kompani do të ndërmarrin për promovimin e barazisë
gjinore janë: politika me tolerance zero ndaj diskriminimit dhe dhunës ndaj
grave në vendin e punës, trajnime për punonjëset e tyre dhe gratë sipërmarrëse
apo përdorimi i indikatorëve për të matur zhvillimin profesional të punonjëseve
gra.

 

Bashkia e Tiranës,
me mbështetjen teknike të UN WOMEN në Shqipëri, ka zhvilluar gjatë vitit një seri trajnimesh për dhjetëra biznese të
cilat operojnë në Tiranë. Ata u njohën me hapat konkrete që duhen ndërmarrë për
të përfshirë Parimet e Fuqizimit të Gruas në strukturat e tyre, praktikat
reale se si mund të përmbushen këto parime, matjen e progresit dhe ‘objektivat gjinore’.

 

Parimet e Fuqizimit të Grave janë
rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet UN WOMEN dhe Kompaktit Global të Kombeve
të Bashkuara. Këto parime janë miratuar dhe pasqyrojnë gjithashtu, dhe
interesat e Qeverisë Shqiptare dhe shoqërisë civile pasi arritja e barazisë
gjinore kërkon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve.

 

Kjo nismë e ndërmarrë për herë të
parë në Shqipëri është mbështetur financiarisht nga Agjencia Ndërkombëtare
Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Që nga viti 2010, më shumë se 1 mijë
liderë biznesi nga e gjithë bota kanë nënshkruar mbështetjen e tyre për Parimet
e Fuqizimit të Grave.