Përjashtohet 10 ditë nga Kuvendi se fyeu Tahirin, Noka: Edhe 100 herë të ndodhë ajo situatë unë atë gjë do të bëj

410
Sigal

Pas debateve një ditë më parë
në Komisionin e Sigurisë, Byroja e Kuvendit ka përjashtuar me 10 ditë deputetin
e Partisë Demokratike Flamur Noka nga punimet e Parlamentit. Mbledhja e djeshme
e Komisionit ku diskutohej buxheti i Ministrisë së Brendshme u shoqërua me
debate, dhe nuk munguan as fyerjet. Kreu i Komisionit, Spartak Braho i kërkoi
Byrosë së Kuvendit të merrte masa ndaj deputetit Noka, duke u shprehur se ky i
fundit fyeu atë dhe ministrin Tahiri.

Por pas këtij vendimi, ka reaguar vetë deputeti Flamur Noka, duke
u shprehur se nuk tërhiqet aspak nga mënyra sesi ka vepruar. Ai ka shtuar se
nëse do të ndodhej sërish në atë situatë, do të vepronte po njësoj.

“E theksoj edhe 100
herë po të ndodhë ajo situatë në atë Kuvend, edhe 100 herë të tjera unë atë gjë
do të bëj. Unë jam deputet dhe jam votuar për të mbrojtur të drejtat e
qytetarëve. Unë nuk jam deputet eunuk siç u treguan dje ministrat e
mazhorancës. Ministri i Brendshëm erdhi dje, aktroi, i injoroi, i përdhunoi dhe
iku. Është e papranueshme një arrogancë e tillë. Dje ai ka shprehur neglizhencë
të madhe për qytetarët e këtij vendi. Dje diskutohej buxheti për Ministrinë e
Brendshme. Qytetarët po vriten si lepuj në fushatë gjuetie, aeroportet e drogës
ia kanë kaluar për nga cilësia aeroportit të Rinasit; qytetarët ndihen më të
pasigurtë çdo ditë e më shumë. qytetarët prisnin të dëgjonin se çfarë do të
bëhet për të përmirësuar situatën, por ministri vepron si një karagjoz, si një
kloun. Sa kohë të jem parlamentar, unë nuk do të pranoj kurrë këtë situatë. Nuk
ndëshkohet ministri që u soll në atë mënyrë, apo kreu i Komisionit që nuk
reagoi për këtë sjellje, por ndëshkohet ai që kundërshton këtë arrogancë dhe
fyerje ndaj shqiptarëve”, tha Noka