Paratë e drogës përdoren te koncesionet

541
FORUMI/ Zef Preçi dhe Ornela Liperi flasin pas kritikave të FMN-së për Partneritetin Publik-Privat dhe bashkimin tatime-dogana
Kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për koncesionet në Shqipëri apo atë që cilësohet zyrtarisht si Partneriteti Publik-Privat kanë shkaktuar edhe shqetësimin e ekspertëve të ekonomisë. Ish-ministri dhe eksperti i njohur, Zef Preçi, u shpreh për “Telegraf” se problemi kryesor me Partneritetin Publik-Privat qëndron te transparenca. Të njëjtin mendim ndan edhe Ornela Liperi, gazetare dhe eksperte e ekonomisë. Megjithatë, Zef Preçi shkon edhe më tej kur shprehet se “rreziku është që në këto programe të zhvilluara me Partneritetin Publik-Privat të hyjnë paratë e fituara nga trafiku i drogës dhe të deformohen tregjet”. Ndërsa bashkohen për mënyrën e zhvillimit të PPP-ve në Shqipëri, Preçi dhe Liperi ndahen për projektin e qeverisë për bashkimin e tatimeve me doganat. 

1 – Si e vlerësoni qëndrimin e FMN-së për Partneritetin Publik-Privat? A duhet të vazhdojë qeveria në rrugën e nisur?
Zef Preçi: “Partneriteti Publik-Privat është kritikuar për mënyrën e realizimit të tij dhe veprimet pa transparencë që janë ndërmarrë, si dhe mungesën e efektivitetit. Lidhur me planet e ardhshme, unë mendoj se qeveria duhet të heqë dorë nga vendimet jotransparente dhe të ndjekë politika të tjera për të nxitur sektorin privat dhe thithur investimet. Qeveria nuk duhet të marrë borxh në këtë mënyrë, por nëse ajo vlerëson se ka nevojë, atëherë duhet t’i drejtohet tregut me format e njohura tashmë. Rreziku është që në këto programe të zhvilluara me Partneritetin Publik-Privat të hyjnë paratë e fituara nga trafiku i drogës dhe të deformohen tregjet”. 

Ornela Liperi: “Në parim, Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është kundër partneriteteve publike private, pasi ato janë forma financimi që përdoren në gjithë botën dhe për më tepër Shqipëria ka nevoja të shumta dhe burime financimi të kufizuara. Shqetësimi i Fondit lidhet së pari me transparencën e këtyre projekteve, që duhet pranuar që deri tani ka munguar thuajse tërësisht. Edhe vetë qeveria nuk ka ende një panoramë të qartë se sa koncesione janë dhënë në vite dhe cili ka qenë efekti i tyre në buxhet. Është e vërtetë që është krijuar një zyrë në Ministrinë e Financave për këtë qëllim, por ende informacioni nuk është i plotë. Shqetësimi i dytë lidhet me mungesën e një analize të qartë kosto-përfitime të këtyre projekteve. P.sh, a do të ishte më eficiente që një projekt të financohej me kredi, me fondet e buxhetit apo përmes partneritetit. Së treti, që është edhe shqetësimi më i madh, FMN mendon se ky mund të jetë një borxh i fshehur, sepse qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik.

Për të bërë një krahasim më të thjeshtë, kur merr një individ merr një kredi, për të blerë një shtëpi që kushton 100 mijë euro, vërtet ai mund të paguajë rreth 300 euro në muaj, apo 3600 euro në vit, por për 30 vjet ai duhet të paguajë gjithë shumën. Ajo që ndodh me qeverinë, është se ajo raporton vetëm shumën prej 3600 euro në vit, por fsheh stokun e madh prej më shumë se 100 mijë eurosh. Për t’iu përgjigjur pyetjes a duhet të vazhdojë qeveria rrugën e nisur: Duke pasur parasysh përvojën me koncesionet e mëparshme dhe mënyrën si po veprohet aktualisht (p.sh për koncesionin e laboratorëve sot nuk ka asnjë transparencë dhe analizë kosto-përfitime) do të ishte më mirë që qeveri atë shtyjë planet e saj, të rrisë transparencës, të bëjë mirë llogaritë, të zhvillojë konsultime publike me ekspertë dhe pastaj të zgjedhë se cilat mënyra financimi janë më eficiente”.

2 – Ideja e bashkimit tatime-dogana mori një goditje nga FMN. Çfarë efektesh mund të ketë një bashkim i tillë?
Zef Preçi: “Ideja e bashkimit të tatimeve dhe doganave është një ide e hedhur që në vitin 2002 dhe ka ardhur si vullnet i përpjekjeve për të mbyllur hapësirat për evazion fiskal. Një ide e tillë do të mundësonte realizimin e gjurmimit të mallrave, pasi do të ishte e mundur të dihej saktësisht p.sh. një anije e shkarkuar në Durrës në cilën magazinë do të përfundonte. Ky bashkim do të ndërpriste mundësinë për evazion nga shitjet me shumicë në ato me pakicë dhe do të bashkonte edhe bazën e të dhënave që kanë të dy strukturat. Unë e mbështes këtë ide dhe e vlerësoj atë si më të rëndësishme edhe se çdo përpjekje apo aksion për të luftuar informalitetin, që mund të ndërmarrë qeveria. Shqetësimi nga FMN vjen, për shkak se në Shqipëri ndryshimi apo bashkimi i strukturave nuk realizohet brenda një kohe optimale, duke shkaktuar probleme. Megjithatë, realizimi i bashkimit të tatimeve me doganat do të jetë testi i vërtetë, më shumë se çdo instrument tjetër ligjor, për të mbyllur hapësirat e evazionit dhe realizuar plotësisht procesin e gjurmimit të mallrave”. 

Ornela Liperi: “Qeveria shqiptare e kishte në plan që në mandatin e parë që të realizonte një bashkim të tillë, por u tërhoq pasi vlerësoi se ishte e pamundur për shkak të mungesës së burimeve njerëzore të specializuara dhe kompleksitetit që do të shoqëronte një proces të tillë. Shqipëria nuk ka arritur ende atë sistem sofistikimi administrate dhe automatizimi që do të mundësonte bashkimin e tyre pa kosto. Për më tepër që edhe përvoja e vendeve edhe më të zhvilluara sesa ne ka rezultuar e pasuksesshme. Një shembull është Danimarka, që e tentoi këtë bashkim dhe pastaj u nda sërish, apo dhe Kosova që sërish u tërhoq. Përpara se t’i komplikojë gjërat, qeveria shqiptare duhet të përqendrohet në lehtësimin e procedurave për biznesin dhe luftën e nisur ndaj informalitetit. Një proces bashkimi do të çorientonte administratën tatimore e doganore për një kohë të gjatë, ashtu siç po ndodh aktualisht sot me administratën qendrore, ku bashkimi i disa ministrive ka krijuar konfuzion dhe ka penalizuar aktivitetin normal”.
Sigal