Nis mbledhja e fondeve për Teatrin/ Artistët: Ju thamë se do vinin në shtëpitë tuaja

487
Sigal

“Të ruash shtetin, që të mos vjedhë vetveten, kjo mund të ndodhë vetëm këtu”. Regjisori Robert Budina është i lodhur nga netët e gjata pa gjumë në ruajtje të Teatrit Kombëtar, por, siç pohon, nëse humbin këtë kala shprese, do të ketë një thyerje të madhe besimi.

Prej agorasë së protestave, ai rrëfen se terri dhe amullia politike e krijuar pas zgjedhjeve njëpartiake të 30 qershorit për bashkitë mund të shfrytëzohet për të ndërmarrë ndonjë hap jo të moralshëm.

Po ashtu, Budina tregoi për transformimin që i kanë bërë Teatrit gjatë këtyre ditëve që godina është në administrim të tyre.

“E kemi kthyer shumë më mirë se ç’ishte, madje kemi gjetur dëmtime për të cilat do të bëjmë një kallëzim penal”, u shpreh regjisori.

Pas 24 korrikut, kur njerëzit e thjeshtë panë se si mund të goditej edhe artisti, Budina tregon se ka pasur një sensibilizim të gjerë. Për ta forcuar edhe më këtë “betejë”, Budina shprehet se është e nevojshme një pjesëmarrje më e madhe, ku njerëzit nuk duhet të nxiten nga ideologjitë, por nga besimi se e drejta mund të triumfojë.

Regjisori, gjatë protestës së djeshme, bëri me dije se është ndërmarrë një nismë për të mbledhur fonde që “monumenti i kulturës i mbrojtur nga populli” edhe të mund të restaurohet po nga populli.

“Ne do t’ia arrijmë kësaj pune”, tha Budina. Shkrimtari Rudi Erebara, i cili si artisët e tjerë, prej ditës kur u dha alarmi për zhvendosjen e rekuizitës, ka lënë dorëshkrimet e përkthimet mënjanë, duke kaluar orë të gjata pa gjumë në ruajtje të godinës, thotë se ka ardhur koha që shqiptarët të vetëndërgjegjësohen:

“Unë nuk u kërkoj asgjë. Shqiptarët, nga çdo vend i Shqipërisë, duhet ta bëjnë vetë atë që duhet bërë”.

Erebara, gjatë fjalës së tij, tha se në një situatë të tillë edhe opozita nuk duhet të jetë më me pushime.

“Kemi qëndruar këtu me ditë të gjata, por do të vijojmë ta mbajmë zgjerimin gjallë. Asnjë polic s’ka për të ardhur! Ne s’kemi dalë për të shpëtuar veten, por për të jetuar këtu”, tha Erebera.

Ndërhyrjes së një prej qytetarëve, që u shpreh për shkatërrimin që, sipas tij, Veliaj po i bënte Teatrit dhe Tiranës, Erebara iu përgjigj: “Por Veliaj është nga Tërpani”.

Erebara theksoi se Teatri Kombëtar është vetëm fara, pasi, sipas tij, është e gjithë Shqipëria që ka nevojë për shpëtim.

“Ne ju thamë një vit e gjysmë se do të vijnë në shtëpitë tuaja, ja ku erdhën.”, tha shkrimtari.

“ARTURO UI” SHQIPTAR: KUJTIMET DHE VLERAT T’I MBROJMË

Aktori i njohur Shkëlqim Basha zgjodhi dje që të shprehte mbështetjen ndaj kauzës së Teatrit përmes një videopoezie, ku flet për ngjitjen në majat e pushtetit dhe ambicien për të zgjeruar ndikimin, duke lënë mënjanë idealet.

Ndër të tjera, aktori thekson se kujtimet dhe vlerat duhen mbrojtur me fanatizëm.