Nga Kakavija kalojnë 6 postblloqe, ndalohen në Fier 30 klandestinë!

540
Sigal

FIER/Klandestinët ishin nga Lindja e Mesme, synonin Malin e Zi. Ndalohen dhe 2 trafikantët

Janë futur ilegalisht në afërsi të Kakavijës, kanë kaluar pa asnjë problem 5-6 kontrolle policore gjatë aksit të rrugës nacionale, por janë bllokuar në një kontroll rutinë në thellësi të vendit, përkatësisht nga patrullat e shërbimit të policisë së Fierit. Njëkohësisht, sipas burimeve policore, janë ndaluar dhe dy trafikantët që shoqëronin klandestinët nga Lindja e Mesme për në kufirin me Malin e zi. Ditët e fundit, është shtuar ndjeshëm numri i klandestinëve arabë apo nga Lindja e Mesme që kapen nga policia e rretheve në thellësi të vendit, ndërkohë që, çuditërisht, nga kufiri me Greqinë, ata ‘nuk janë parë’ apo ndaluar në 5-6 postblloqe apo kontrolle policie!”

30 KLANDESTINËT

Sipas policisë, në orët e para të ditës së djeshme, 30 klandestinë u ndaluan nga policia e Fierit dhe u shoqëruan për në mjediset e Drejtorisë së Policisë për hetime të mëtejshme. “Patrulla e policisë i bëri shenjë për kontroll fugonit me targë AA-746-AI. Në furgon udhëtonin për në thellësi 30 klandestinë, mes tyre edhe gra dhe fëmijë. Klandestinët ishin nga Lindja e Mesme, përkatësisht nga

Siria, Somalia, Eritrea dhe Mali, janë futur nga Greqia dhe synimi i tyre ishte Mali i Zi. Pas kontrollit, bëmë shoqërimin e klandestinëve për hetime të mëtejshme dhe bllokimin e automjetit furgon me targë AA-746-AI. Gjithashtu, u bë dhe ndalimi i dy shoqëruesve, përkatësisht i Fran Gjergjit dhe Lok Lugjajt. Po vazhdojnë procedurat përkatëse të tyre në këtë rast të trafikut të qenieve njerëzore”- shtojnë drejtues të Fierit për gazetën “Telegraf”.

PARADOKSI

Përtej bujës e konfirmimeve zyrtare të numrit në rritje të klandestinëve të kapur nga policia, ‘paaftësia’ e bluve për t’i bllokuar ato që në kufi, në momentin që futen nga toka greke si dhe gjatë 5-6 postblloqesh që ka nga pika e kalimit kufitar në Fier, është disi e pabesueshme. Këtë e konfirmon për ‘Telegraf’ dhe një 42- vjeçar nga Libofsha, që kohë është marr me trafikun e klandestinëve nga kufiri grek. “Nuk besoj se, ka ndryshuar ndonjë gjë në këtë trafik nga ajo kohë që unë bëja këtë punë. Ne bashkëpunonim me policët, sigurisht, duke u dhënë atyre pjesën e tyre. Kështu, nuk na ngacmonin. Se është e pamundur të kalosh në rrugë nacionale në disa orë udhëtim e të mos të të ndalojnë policët. Unë e lashë këtë punë pasi më kapën në Fier dhe u dënova”,- pohon ai.