Nëse “Saranda TV” kërkon të mbyllë sytë, kjo nuk do tregojë se qyteti është verbuar

570
Sigal

Në qoftë se ne luftuam dhe u mundëm prej padrejtësisë, kjo nuk do të thotë se padrejtësia paska të drejtë. Nëse dikush në mes të rrugës u tremb për të thënë deri në fund të vërtetën, kjo nuk do të thotë se ne duhet të besojmë domosdoshmërish, gënjeshtrat. Dhe aq më keq, nëse dikush kërkon të mbyllë sytë para kësaj të vërtete, kjo nuk do të thotë kurrsesi se qyteti i Sarandës është verbuar. Të nderuar qytetarë të Sarandës, i thashë të gjitha këto, për shkak të reagimit negativ, nga ana e televizionit “SarandaTV”, për intervistën time të botuar në gazetën “Telegraf”. Në qoftë se, keni ndenjur para ekranit të “Saranda TV”, mund të keni vërejtur që prej katër ditësh ky ekran po transmeton një lajm përgënjeshtrues, ndaj një shkrimi të botuar tek gazeta, “Telegraf”, më datën 21 mars, ose më saktë një intervistë të qytetarit, Vilson Jorgo, Kosta, ku ky qytetar konteston intervistën e tij… Them edhe njëherë se ç’do fjali është e saktë, e thënë nga vetë zoti Jorgo dhe e kërkuar për botim,  pas një sorollatjeje për problemin e një kioske. Por këtu ka ndodhur një paradoks, nga ato që ndodhin vetëm në komeditë e Molierit, ose në dramën “Mbreti lakuriq”. Sepse pas lakuriqësisë dhe vërtetësisë së këtij lajmi, filluan presionet e shantazhet. Kështu, ditën e nesërme, më datë 21, pra një ditë pas botimit të shkrimit, ky zotëri më merr në telefon dhe më thotë, se nuk duhej botuar se kanë marrë inat dhe se atij i prishet punë. Unë i thashë se këtë nuk mund ta besoj, pasi sapo kisha folur me z.Stefan Çipa dhe ai më kish thënë se pavarësisht nga botimit i intervistës, Vilsoni, pra personi i intervistuar nuk do të pësonte apo nuk do të kishte asnjë pasojë. Sqaroj gjithashtu, se me Kryebashkiakun, z.Çipa, kam pasur marrëdhënie korrekte. Po kështu edhe me z.Jorgo marrëdhëniet dhe komunikimet e mia kanë qenë shumë miqësore. Por tërheqja e personit në fjalë, mendoj se erdhi nga presioni dhe shantazhi që i bë zotit Vilson për ndërtimin e kioskës së tij. Por ajo që më bëri përshtypje në të gjithë këtë histori, është fakti që njeriu i njohur me nofkën, “bixhozxhiu” që fshihet pas tyre, nxjerr asin nën mëngë, emigrantin e sapokthyer, që endet rrugëve dhe kafeneve të qytetit. Emrin e tij po e paraqes me iniciale sepse nuk e meriton të dalë në gazetë, qoftë edhe për keq. Ai quhet K.T dhe për çudi del e flet dhe përgënjeshtron gjoja me status gazetari. Këtu spekulimi dhe mashtrimi kalojnë kufijtë. Ndërsa për ekranin e “Saranda TV”, nuk po zgjatem, sepse kjo pjesë përbën një turp. Të gjithë e njohin administratorin për problemet që ka me qytetarët dhe shtetin, por edhe me mua. Unë megjithëse kam një vit që jam larguar nga ky ekran, ku punova pesë vjet, akoma nuk më ka paguar rrogën time. Pse u dha ky lajm për disa ditë rresht dhe çfarë fshihet pas turpit të këtij manipulimi. Kjo bëhet për shkak të borxheve të papaguara ndaj meje, për shkak të servilizmit ndaj bashkisë dhe për faktin se ai ka lidhje gjaku me z.Jorgo Kosta. Të nderuar bashkëqytetarë, ju them edhe njëherë, se gazeta “Telegraf”, në lajmet e saj të publikuara për Sarandën, ka thënë të vërtetën dhe do të thotë të vërtetën, pavarësisht, nga shantazhet që bëhen. Ju vetë keni qenë dhe jeni dëshmitarë për këtë fakt, si edhe për shumë e shumë të tjera, që janë pasqyruar në faqet e saj.

Me respekt për qytetarët e Sarandës!

Agron Mema