Shkëlqim Cani*/Banka e Shqipërisë ka zgjedhur vartësinë e vullnetshme (vetëvarjen)

522
Sigal

*Ish- Guvernatori i BSH-së

Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për “Telegraf”, Shkëlqim Cani, ish-Guvernatori i BSH-së, skanon ekonominë tonë, duke evidentuar ato plagë që fshihen pas shifrave të INSTAT-it, duke i cilësuar ato, “pasiguria më e madhe”.  Ndërsa për rritjen e kufirit të borxhit mbi 60 %, zoti Cani arsyeton se shumë shpejt, nga humbja e aftësisë paguese, shtetit tonë do t’i mohohet dhënia e kredive. Zoti Cani shpjegon se, PS-ja, kur bën fjalë për heqjen e taksave të 95 për qind të shqiptarëve, bën fjalë për tatimet personale, të atyre që kanë të ardhura të vogla dhe të biznesit të vogël. Ndërsa për rolin e Bankës së Shqipërisë, ish-Guvernatori i saj, thotë se, tashmë, BSH-ja ka hequr dorë nga pavarësia që i jep ligji dhe ka zgjedhur vartësinë e vullnetshme.

-Zoti Cani, cili është vlerësimi juaj për ekonominë tonë?

– Ekonomia kombëtare, por dhe ajo familjare është keq e mos më keq sot dhe nuk ka asnjë shenjë përmirësimi nga kjo qeveri, as për të ardhmen. Kjo gjendje dhe pritshmëria për ‘të, ka bërë që shtetasit shqiptarë të ndjehen gjithnjë e më të pasigurt. Ndjehen të pasigurt për jetën, pasiguria është edhe më e lartë për të ardhmen e ekonomisë, qoftë ajo kombëtare, apo familjare. Por qytetarët shqiptarë janë sot të pasigurt edhe për pastërtinë e ujit që rrjedh në rubinetet e shtëpive të tyre, për voltazhin gjithnjë në ulje të energjisë elektrike në pajisjet tona, apo dhe më të pasigurt për mundësinë që fatura e radhës nuk do jetë edhe më e kripur nga paraardhësja, pasiguria na çukit në çdo blerje, për cilësinë e ushqimeve dhe ilaçeve, pasi shpesh na ndodh t’i kemi të skaduara e jashtë standardeve. Pasiguri edhe më e madhe është nëse të dhënat e INSTAT do të kenë edhe ndonjë saktësi. Po kështu, pasiguria është e plotë në atë që privatizimi i radhës nuk do të prodhojë dështimin e radhës dhe me kosto për popullin, edhe pse jo pak para në xhepat e miqve e familjarëve qeveritarë prej tyre. Të gjithë treguesit makroekonomikë, me të cilët mburreshim dikur, sot i kemi në pikën kritike dhe shumicën e tyre jashtë kontrollit. Statistikat janë të manipuluara. Kryeministri mburret se në 8 vite është dhjetëfishuar numri i turistëve, por të ardhurat prej tyre janë 5 herë më pak se 8 vite më parë. Pra, pas kaq vitesh nga një turist që shkel Shqipërinë marrim 5 herë më pak të ardhura dhe kjo nuk di si mund të ndodhë. Kryeministri, po kështu, deklaron se në 8 vite ekonomia është rritur mbi 50 për qind, kurse importet janë po aq sa ishin, pa as më të voglën rritje. Pra, nga njëra anë, thotë që kemi ndërtuar një pallat 15 -katësh (nga 10 kate që ishte ndërtuar më përpara), por materialet e harxhuara për ndërtimin e tij janë të njëjta sa për pallatin 10- katësh?! Kujtoj që kjo qeveri erdhi në pushtet me kryefjalën e luftës ndaj korrupsionit të qeverisë “Nano”. Kemi një qeveri që erdhi po në pushtet me premtimet për të rritur ekonominë me 6-7 për qind në vit dhe për të ulur borxhin publik, ndërkohë që sot me shifra zyrtare rritja ekonomike është 4 herë më pak nga premtimi, kurse borxhi është dyfishuar, pa llogaritur pjesën e tij të fshehur. Kjo qeveri erdhi në fuqi, sepse 8 vite më përpara premtoi shtimin e vendeve të punës, kurse sot raporton me shifra zyrtare ulje te vendeve të punës. Varfëria tashmë është ulur këmbëkryq në gjithë vendin dhe të varfrit janë bërë edhe më të varfër. Një në tre-katër kredimarrës gjendet në pamundësi financiare të shlyejë kredinë e marrë në banka.

Niveli i rritjes së borxhit mbi kufirin 60 %, në bazë të ligjit që miratoi Kuvendi,  si mund të ndikojë në ekonominë tonë?

– Supozojmë se shkon në një bankë për të marrë kredi një i papunë, me të ardhura zero dhe një biznesmen të themi me të ardhura 10 mijë euro në muaj. Mund t’ju shkojë në mendje se banka do t’u japë të dyve kredi me të njëjtën shumë, të themi 1 milion euro?!  Bankat si huadhënës vendosin mbi bazën e aftësisë paguese të klientit huamarrës, që është e ndryshme për kredikërkues të ndryshëm. Kështu siç po vepron kjo qeveri, shpejt do vijë dita të na refuzohet dhënia e borxheve nga tregu (ai i specializuari ka kohë që ka filluar refuzimin).

Në prezantimin e programit elektoral të PS-së,   thuhet se në qeverisjen e ardhshme,  do të hapen  300 mijë vendeve të reja pune. Në cilin sektor do t’i hapni vendet e punës? Sa në sektorin privat? Sa në administratë?

– Hapja e vendeve të punës, përgjithësisht është konceptuar në sektorin privat dhe me fare pak përjashtime në administratë. Sektorët bazë, ku do të hapen vendet e reja të punës do të jenë në bujqësi dhe agro-përpunim, industri prodhuese si p.sh material porositësi, në shërbime, ndërtim, etj..

– Duke ditur se kostoja e hapjes së një vendi pune është (afërsisht) 10.000 euro, ku mund të gjenden kapitalet  prej 3 miliardë euro, për të hapur 300 mije vende pune?

– Me këtë logjikë që përdorni ju për një vend pune filluam edhe ne llogaritjet tona, por kuptohet që pasi programi kaloi dorën e parë të hartimit, u kalua në llogaritje të detajuara dhe shumë më konkrete, të themi, për çdo vend pune (jo realisht pasi gjithnjë lind nevoja e ndonjë përafrimi). Kështu, pa hyrë në detaje, mund t’ju sqaroj se nuk rezulton kjo kosto për vende pune të shtuara në disa drejtime në bujqësi e blegtori. Po kështu, ka vende pune që shtohen në ndërtim e material porositësi, pa qenë nevoja e pothuaj asnjë investimi, pasi mund të jetë thjesht rikthim në punë, atje ku ka qenë investuar një herë më përpara. Por dhe hapja e vendeve të reja të punës, në këta sektorë, ka një kosto relativisht më të vogël. Pra, shifrat mesatare të kostos së një vendi pune në Shqipëri e BE, nëse do të shkojmë në llogaritje të detajuara, siç kemi bërë për programin, do të shohim që në total nuk na japin shumën që ju parashtroni (kuptohet mbi bazën e asaj që keni përzgjedhur t’u referoheni nga ekspertë ose opinionistë të caktuar). Por më lejoni të përgjigjem disi më ndryshe, tashmë, duke supozuar. Nëse kostoja do të ishte 3 miliardë euro, a duhej ndalur nga PS-ja me çështjen e punësimit? Mendoj që jo dhe duheshin bërë të gjitha përpjekjet që të realizohej punësimi i sa më shumë shqiptarëve, pasi papunësia është gangrena e kësaj shoqërie. PD-ja pretendon që e mori ekonominë me papunësi të lartë dhe pas 8 vjet qeverisje, nuk bëri tjetër veç nuk shtoi as edhe një vend të ri pune. Ndërkohë, armatës së të papunëve i shtoheshin dhe do i shtohen në të ardhmen çdo vit rreth 35-40 mijë të rinj, pa përfshirë emigrantët që po kthehen. Në këto kushte, a mund të bëhet indiferenti nga një parti sadopak serioze, që në program mendoj që ka treguar përgjegjshmëri serioze dhe logjikë. Paratë e buxhetit, doemos që kanë parësi përdorimi dhe ne, në gjithë debatet tona për programin, e kemi vlerësuar shumë parësor punësimin si për të rinjtë, gratë, të papunët aktualë dhe ata që do marrin moshën e punës, por edhe nga këndvështrimi i luftës kundër varfërisë etj..

– Kur premtoni se do të ulni taksat për 95 % të shqiptarëve, për cilat taksa flitet?

– Nuk mendoj se duhet hyrë në detaje që e lodhin lexuesin e një gazete, por në një renditje të shpejtë. Bëhet fjalë për tatimin mbi të ardhurat personale të shtetasve me paga të mesme e të ulëta, taksa për biznesin e vogël si dhe heqja ose ulja e disa taksave për makineri e pajisje dhe për lëndë të para dhe inpute për bujqësinë (fshatarin).

– Kur thoni se biznesit të vogël do t’i hiqni taksat, bëni fjalë për taksat, apo për tatim- fitimin, tatimin mbi të ardhurat?

– Bëhet fjalë saktësisht për taksën mbi biznesin e vogël.

– Banka e Shqipërisë a e luan rolin e saj në situatën e sotme?

– Banka e Shqipërisë në vend të pavarësisë, që i kërkohet me ligj, ka zgjedhur prej vitesh vartësinë e vullnetshme (vetëvarjen). Pra, është shumë fajtore qeveria, por më shumë janë strukturat drejtuese dhe qeverisëse të Bankës së Shqipërisë, që e kanë kthyer këtë institucion në papagall të qeverisë. Herë pas here, me shumë vonesë dhe pasi merr leje nga qeveria, del në media Guvernatori për të thënë diçka që presupozohet si kritikë, por e artikuluar me shumë kujdes dhe në një gjuhë të pakuptueshme nga publiku.

 – Bankat tashmë favorizohen që të konfiskojnë pasurinë e patundshme të kreditorëve në rast mosshlyerjeje, duke shitur pasurinë e patundshme deri në 50 % të vlerës të tij, për një shumë të vogël të papaguar, në bazë të ligjit, i cili është miratuar vite më vonë nga kontrata klient – bankë. Kjo a nuk është një shkelje e të drejtës të klientit, ku kontrata ndryshohet me ligj?

– Në këtë rast e kam disi të vështirë përgjigjen, pasi është një çështje më shumë juridike, se sa ekonomike. Duke pranuar që nuk është as e dëshiruar, as oportune, që të ndryshojë me ligj kontrata, në mes të kohës së ushtrimit të saj, por nuk duhet harruar që bëhet fjalë për raste kur klienti sillet si i parregullt në shlyerjen e detyrimeve për një kredi të marrë. Për më tepër, që rastet e mosshlyerjes nuk besoj të jenë të shumta për një pjesë të vogël të kredisë. Dua të besoj që ligjvënësi në miratimin e këtij ligji, por paraprakisht edhe qeveria e Banka e Shqipërisë, kanë dëgjuar argumentet pro dhe kundër, si nga bankat tregtare ashtu dhe nga klientët e tyre kredimarrës dhe pas kësaj, kanë konkluduar, natyrisht duke patur parasysh edhe efektet tek grupet e interesit.

– Problemi i sotëm për nxitjen e ekonomisë është ulja apo heqja e taksave, apo menaxhimi i taksave të mbledhura dhe fondeve?

– Para se të përgjigjem për pyetjen, m’u kujtua diçka në formën e një ushtrimi të thjeshtë për të pyetur. Nëse dikush arkëton 2 lekë në muaj dhe shpenzon 1 lek në muaj fiton/kursen 1 lek në muaj. Dikush tjetër, që arkëton 10 lekë në muaj (pra 10 fish krahasuar me të parin), por është dorëshpuari i familjes dhe shpenzon 11 lekë, jo që nuk fiton/kursen, por humbet 1 lek në muaj. Kështu dhe tek ne, problemi i sotëm i ekonomisë është keqqeverisja. Për të nxitur ekonominë, për momentin, mund të duhet diçka nga ulja e tatim-taksave, por më e shumta do të duhet të vijë nga mirëmenaxhimi i taksave e fondeve të mbledhura. Kjo qeveri me keqdashje po shteron dita-ditës edhe ato pak mundësi që kishin mbetur për të vepruar në ulje të ndjeshme apo heqje të taksave. Por ende ka mundësi, sidomos ndaj biznesit të vogël dhe disa nëndegëve të caktuara të ekonomisë, e sidomos bujqësisë. Por pjesa e luanit i takon mirëmenaxhimit të parave të mbledhura. Korrupsioni dhe kapja e shtetit janë galopante. Jashtë propagandës çjerrëse të qeverisë, vetëm nga evazioni apo vjedhjet në dogana në 8 vitet e kësaj qeverie, buxheti ka humbur së paku 2-3 miliardë euro, ose një buxhet të tërë vjetor.

– Taksa progresive a e frenon interesimin e investitorëve të huaj dhe vendas?

– Besoj se kemi mirëkuptim me lexuesin, nëse shprehem që janë thuajse inekzistente rastet kur biznesi apo individët ngrenë zërin dhe protestojnë me kërkesa për rritje taksash (përveç disa manjantëve amerikanë, gjermanë etj., por në kuadrin specifik të krizës ekonomike). Në të kundërtën, sidomos në Shqipëri, janë të shumtë ata që duan t’u shmangen taksave. Por, a është taksa elementi bazë në vendimmarrjen për investitorin e huaj? Kjo nuk ka qenë thuajse asnjëherë ndër 5 elementët parësorë nga investitorët e huaj e vendas. Sidomos për vende si yni, ku informaliteti, korrupsioni, kapja e shtetit, krimi i organizuar, arbitrariteti i administratës etj., janë dominuese, nuk ka se si të jetë taksa progresive ajo që vendos parësisht për realizimin ose jo të një investimi. Për më tepër, që varet shumë, cila është shkalla e progresivitetit që vendoset në sistemin e taksave.  Meqë më bëtë këtë pyetje, (edhe pse ju nuk e adresuat drejtpërdrejt), më duhet të sqaroj që dhe aktualisht nuk është se ne zbatojmë sistemin e pastër të taksës së sheshtë në Shqipëri.

– Për investitorët dhe investimet a duhet të bëhet një diferencim në politikën e taksave?

– Po dhe në fakt zbatohet një diferencim i tillë. Me propozimet e programit ekonomik të PS-së, duket do të ketë edhe disa diferencime shtesë, gjithnjë për t’u ardhur në ndihmë biznesit të vogël dhe të mesëm dhe disa degëve të ekonomisë si bujqësia etj., që dhe janë goditur më pa mëshirë nga kriza ekonomike në të cilën notojmë.

Evazionin fiskal, si do ta luftoni, kur dihet që do të jetë po kjo administratë që sot, është përgjegjëse, sipas oponencës tuaj?

– Me ndonjë përjashtim të rrallë, në çfarëdo familje, pavarësisht nëse prindi është ose jo i ndershëm, kërkesat ndaj fëmijës janë që ai të mos vjedhë. Por shumë të vështirë e ka për ta realizuar prindi hajdut, pasi pavarësisht nga morali që dëgjon përnatë fëmija, sytë i shohin sendet e vjedhura nga prindi. Ne do t’na duhet që t’i lidhim duart politikanit hajdut dhe pastaj lehtësohet shumë barra e punës për të mbajtur në fre atë pjesë të administratës që ka vese. Me pjesën e administratës së inkriminuar dhe përgjegjëse për evazionin fiskal kuptohet që do të duhet operuar dhe terreni duhet pastruar pasi janë vatra të këqija infeksioni. Një qëndrim i prerë dhe jopartiak ndaj evazionit që ditën e parë të qeverisjes, do të ishte një sinjal i qartë ndarjeje ndaj të shkuarës së kompromentuar, por dhe për të ardhmen. Rëndësi parësore në këtë rast merr eliminimi i praktikave favorizuese, që kanë krijuar precedentë të shumta në këto vite për evazion fiskal (politika që i kanë trajtuar bizneset si: “ca të nënës e ca të njerkës”).

Vendit i shkaktohen miliona euro dëme nga evazioni dhe shpërdorimi i  lejeve për mospagesa të akcizave të naftës. A mendoni se ka ardhur koha që asnjë mall të mos kalojë pa akcizë?

– Shteti ligjor duhet të veprojë jo më vetëm në të ardhmen, sapo të marrë qeverinë PS-ja, por duhet të shohë edhe për shkeljet e së shkuarës. Gjithkush duhet të marrë pa hezitim atë që i takon. Nuk mund të ketë dy standarde, siç edhe nuk mund të pranohet që të shkelet “pak” ligji. Ligji dhe aktet nënligjore shkelen aspak dhe zbatohen me korrektesë e devotshmëri njëlloj nga të gjithë.

Premtimi i PS-së për të ndihmuar biznesin

 – Cila do të jetë politika ekonomike favorizuese e PS-së, për të stimuluar kredinë për bizneset?

– Këto politika janë të larmishme dhe dinamike. Politika më parësore është ulja e normës së interesit për kredinë, si kryefaktor në vendimmarrjen bankë- klient për të realizuar ose jo një kredi. Këtu ka punë për të bërë si banka qendrore me politikën monetare që ajo ndjek, po ashtu edhe qeveria me çlirimin e bankave nga disa kosto e pengesa, do të thoja të panevojshme, në kreditim. Konkurrenca e përmirësuar në sistemin bankar doemos do të çonte në më shumë kredi dhe me interesa më të ulëta. Shtimi i institucioneve të mikrokredisë, duke liberalizuar disi më shumë këtë treg, do të qe ndikues i mirë në shtimin e mikrokredive për bizneset e vogla dhe të mesme dhe sidomos në bujqësi. Nuk do të doja të futesha në hapësirat e gjera të stabilitetit makroekonomik të vendit, ku rol parësor pengues dhe negativ ka deficiti buxhetor dhe borxhi publik, pasiguria në vend, korrupsioni, informaliteti, krimi i organizuar në ekonomi, niveli tejet i lartë i kredive të këqija (ku jo pak është fajtore Banka e Shqipërisë, pavarësisht se sot rri e sillet si spektatore apo kritizer si të ishte një vëzhgues i huaj) etj.. Të gjitha këto dhe të tjera çështje, duhet dhe do të duhet të sistemohen për të nxitur kreditimin në ekonomi, që është as më shumë as më pak, por baza e rritjes së ardhme ekonomike të vendit.

 – Ju faleminderit!