Nepotizëm te fituesit e tenderit dhe supervizorët

1375
Sigal

Dezinfektimi i bregdetit shqiptar nga mushkonjat. Ministri Beqja zgjedh vetë fituesit e tenderit

Edhe pse një proces i harruar, tashmë, dezinfektimi i bregdetit shqiptar nga mushkonjat ka lënë pas shumë pikëpyetje, përsa i përket procesit të prokurimit, fituesve, avionëve të spërkatjes, apo dhe monitorimit. Ndërsa dhe në këtë prokurim lakohet fenomeni i nepotizmit dhe konfliktit të interesit.

 Problematikat

 Shqetësimi i qytetarëve për një turizëm jo komod në bregdetin tonë për shkak të pranisë së mushkonjave, por për më tepër rreziku që sjell për shëndetin pickimi i tyre, solli domosdoshmërinë e dezinfektimit (spërkatjes) të gjithë bregdetit shqiptar. Qëllimi i kësaj iniciative, sipas ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, ishte rritja e sigurisë për shëndetin e qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë që duan të zhvillojnë turizmin. Ndërsa u cilësua nga specialistët si një iniciativë shumë e rëndësishme, pasi vendi ynë mbetet problematik për sëmundjet që përhapen nga vektorët, veçanërisht malaria. U bë e ditur nga autoritetet se ky dezinfektim do të bëhej si nga toka ashtu dhe nga ajri nëpërmjet avionëve. Por disa ditë para se të niste spërkatja nga ajri, një avion me drogë u rrëzua në Divjakë. Me gjithë skandalin e rrëzimit të avionit të drogës në Divjakë dhe debatin që e pasoi, mjete të ngjashëm fluturues vazhduan të fluturojnë në qiellin shqiptar. Avioni i Divjakës u bë kështu objekt romuzesh e batutash edhe në Parlamentin shqiptar, ku përpos tij u hodh dyshimi se edhe në Gjadër dhe Gjirokastër të kenë fluturuar avionë “mushkonjash”.

 Procedura e tenderit

Siç dihet, shërbimi publik për spërkatjen e bregdetit shqiptar nga mushkonjat u mbyll si proces dhe nga “Relacioni i monitorimit 6 mujorit 1 viti 2014” thuhet se u krye “Reduktimi me 50%  i  qarkullimit të vektorëve (mushkonjave) në fazën larvore të zhvillimit në zonat ligatinore të vendit”. Ky është i vetmi informacion zyrtar që na jepet në lidhje me këtë shërbim nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa asnjë detaj nuk jepet për procedurën e tenderimit të këtij shërbimi. Por, thuhet se prokurimi është bërë i drejtpërdrejtë, për pasojë, fituesi i tenderit është zgjedhur nga personi që ka shpallur aplikimin për tender, pra nga vetë ministri Beqja. Çuditërisht, këtë vit kemi pasur shumë prokurime të drejtpërdrejta në këtë ministri! Kjo çudi sjell domosdoshmërinë e hetimit të të gjitha proceseve të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë. Por le të kthehemi në tenderin për dezinfektimin e mushkonjave.

 

Kush e kreu shërbimin e dezinfektimit të mushkonjave?

Duhet të vërtetohet se cili është roli i personit fizik “Egian” që flitet se e ka T. Ulqinaku dhe ka marrë 185 milionë, në tenderin për dezinfektimin e mushkonjave?

Ndërsa flitet se një firmë italiane “ENG” ka marrë pjesën tjetër të parave prej 600 milionë lekësh për këtë shërbim.

Avioni

Aplikimi i spërkatjes është zhvilluar nga ajri me anë të sistemit të montuar në avion ANTONOV II. Kalibrimi i avionit është bërë në Aeroportin e Rinasit dhe më pas është zhvilluar procesi i dezinsektimit në bregdetin shqiptar. Ky ka qenë, pak a shumë, versioni zyrtar për dezinfektimin nga ajri me anë të avionëve. Sipas burimeve konfidenciale nga Autoriteti i Avionit Civil (AVC) thuhet për “Telegraf” se kompania SHEGA TRANS, e kontaktuar nga  Ministria e Shëndetësisë me një tender të drejtpërdrejtë për të bërë spërkatjen dhe dezinfektimin e bregdetit dhe pyjeve, ka marrë vetëm një herë leje për t’u ngritur lart në qiellin shqiptar. (Sipas Kodit Ajror, çdo mjet fluturues që ngrihet 30 metra nga toka duhet të pajiset me licencë dhe certifikatë të posaçme nga Autoriteti i Aviacionit Civil).  Nëse dikush thotë që është ngritur shumë herë (pra, spërkatja nga ajri është bërë më shumë se një herë), atëherë vetëm se rëndon situatën. Që do të thotë, jo vetëm që ka vepruar në kundërshtim me ligjin, sepse është lejuar fluturimi i tij nëpër të gjithë Shqipërinë pa u licencuar dhe certifikuar sipas Kodit Ajror, por na lind e drejta të themi se mund të kemi të bëjmë me ndonjë trafikim të mundshëm të drogës, siç në të vërtetë ndodhi në Divjakë, e cila u zbulua vetëm se ra avioni, në të kundërt askush nuk do kishte marrë vesh asgjë.

Monitorimi

Ajo çka përfundon gjithë këtë proces është edhe faza e monitorimit. Ky monitorim duhet të tregojë se cila ka qenë përbërja e lëndës dezinfektuese. A ka qenë brenda normave të OBSH-së? A ka dëmtuar biodiversitetin në vendet që është aplikuar dezinfektimi? A është marrë parasysh mbrojtja e florës dhe faunës, sidomos në parqet dhe në zonat e mbrojtura me ligj? Nuk dihet, gjithashtu, nëse është marrë leje nga AKU, si i vetmi autoritet në mbrojtje të konsumatorëve? Po leje veterinare duke pasur parasysh shumëllojshmërinë apo veçantinë e faunës në këto vende? Po leje mjedisore? Të gjitha këto përgjigje (por jo vetëm), duhet me patjetër t’i japë shefi i Programit të Monitorimit në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili së bashku me ministrin Beqja duhet të zbardhin disa pika të errëta dhe tejet të dyshimta përsa i përket marrëdhënieve që kanë ndërmjet tyre. Gjë e cila duhet të verifikohet nëpërmjet hetimeve të Krimit Ekonomik, Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë, pasi flitet se shefi i Programit të Monitorimit (ose supervizori, siç njihet rëndom) është njeri i afërt me kreun e shëndetësisë. Pra, a është kushëriri i afërt, apo siç thuhet djali i hallës së ministrit Beqja z. Genc Burazeri, i cili është njëkohësisht nëndrejtor i Shëndetit Publik, zv/dekan i Fakultetit të Shëndetit Publik, shef departamenti, njëkohësisht dhe pedagog. U takon të dyve të deklarojnë vërtetësinë apo jo të këtij fakti, për të qenë transparentë, sidomos me taksapaguesit shqiptar, nga të cilët dhe paguhen. A mos kemi të bëjmë me nepotizëm këtu dhe pozicionim të z. Burazeri, në konflikt interesi?