Koncesioni i ri që do t’u kushtojë shqiptarëve 95 milionë euro

562
Sistemi i targave me çip ishte i panjohur në Shqipëri në fillim të vitit 2014, kur ministri i Transporteve, Haxhinasto e prezantoi si risi të së ardhmes, që do t’u jepte zgjidhje problemeve të pasigurisë në rrugët e vendit. Dy vjet më vonë, ky projekt rikthehet në formën e koncesionit më të ri të qeverisë shqiptare. Nëse miratohet, ai do t’u kushtojnë taksapaguesve më shumë se 95 milionë euro në 35 vjet. Ideja është përqafuar nga një kompania Porta Saber Albania (PSA), e cila i ka kërkuar Ministrisë së Transporteve të drejtën e një koncesioni 35-vjeçar për pajisjen me çip elektronik të çdo makine që qarkullon në rrugët e Shqipërisë. Në shtator 2015, kjo kompani ka dorëzuar në ministrinë e Transporteve edhe studimin e fizibilitetit të koncesionit dhe është në pritje të një vendimi për miratimin e tij. Studimi i fizibilitetit, parashikon që çdo pronar automjeti do të duhet t’i paguajë koncesionarit 48 euro (me TVSH) për instalimin e çipit elektronik. Mbas tre viteve të para ky çmim indeksohet sipas normës së inflacionit. Kompania Porta Saber Albania premton të investojë 6.259.853 euro në pesë vitet e para të koncesionit dhe parashikon të marrë mbrasht 95.9 milionë euro të ardhura në 35 vitet e operimit të tij. PSA është një kompani e re, e themeluar më 20 prill 2015 në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, QKR. Kompania administrohet nga Fitnete Sulaj, sipërmarrëse në fushën e Sigurimeve. Kompania zotërohet në 80 % tw aksioneve nga Gentian Sula, djali i administratores, ndërsa 20 % të aksioneve i ka kompania portugeze Porta Saber, e cila zotëron edhe të drejtën e tregtimit të targave elektronike. PSA është regjistuar me një kapital minimal prej 100 mijë lekësh në QKR, me objekt kryesor “prodhim dhe printim targash, me ose pa mjete elektronike të identifikimit…”. E njohur si drejtoreshë ekzekutive e kompanisë së sigurimeve Intersig, Fitnete Sulaj e devijoi aktivitetin e saj publik tek çështjet e sigurisë rrugore në vitet e fundit. Në shkurt 2014, ajo organizoi një tryezë për rritjen e sigurisë në rrugë, ku ishte i pranishëm edhe ministri Haxhinasto. E kontaktuar nga media për fazën e këtij projekti, Ministria e Transporteve pranoi se kishte marrë një kërkesë për koncesion nga kompania PSA dhe se kishte ngritur një grup pune. Ministria nuk sqaroi mënyrën se si do të vlerësohej kjo kompani, e cila ka përgatitur edhe projektin e fizibilitetit për koncesionin, por deklaroi se kërkesa ishte në fazën e shqyrtimit. “Kërkesa e kësaj kompanie është në fazën fillestare. Grupi i ngritur për trajtimin e kësaj kërkese ka filluar nga puna dhe sapo të ketë një raport përfundimtar, do ta bëjmë publike”, tha Arbër Hitaj, zëdhënës i ministrisë së Transporteve. Përveç kostove ekonomike, projekti i targave me çip pritet të shkaktojë debat edhe për shkak të cënimit të privatësisë përmes të dhënave personale që depozitohen në sistem. Studimi i fizibilitetit të PSA është dërguar nga Ministria e Transporteve tek Komisioneri i të Dhënave Personale, por nuk ka marrë ende dritën jeshile nga ky institucion. E kontaktuar nga media, PSA nuk pranoi të bënte komente mbi kërkesën që i ka drejtuar Ministrisë së Transporteve.
490 899 mijë makina të regjistruara deri në fund të 2014 
Shqipëria numëron 490 899 mijë makina të regjistruara deri në fund të vitit 2014, por vetëm 360 mijë prej tyre mendohet se janë në qarkullim. Në anën tjetër, çdo vit hyjnë mesatarisht në qarkullim rreth 40 mijë makina të reja. Studimi i fizibilitetit të PSA ka llogaritur çdonjërën prej këtyre makinave në bilancin e saj të të ardhurave dhe shpenzimeve për 35 vitet e kërkuara të koncesionit. Çipi elektrononik IVIS mundëson regjistrimin automatik të çdo makine që është duke qarkulluar në rrugë, në çdo moment të ditës dhe të natës. Sistemi parashikohet gjithashtu të gjenerojë alarme të veçanta për makinat që nuk i janë nënshtruar kontrollit teknik, makinat e vjedhura apo ato që nuk kanë paguar taksat vjetore. Sipas studimit, sistemi inteligjent i identifikimit të makinave realizon gjithashtu matjen non-stop të shpejtësisë dhe matjen e shpejtësisë mesatare të automjeteve, mundëson mbledhjen e të dhënave për trafikun e makinave dhe realizojnë gjurmimin e tyre. PSA parashikon që brenda tre vitesh të pajisë me çip elektronik targat ekzistuese, të cilat llogariten të jenë 360 mijë në total. Pas tre viteve të para, kompania parashikon të instalojë çdo vit 40 mijë çipe për makinat që hyjnë rishtaz në qarkullim. Sipas studimit, çdo çip i instaluar i kushton 7 euro kompanisë dhe 48 euro qytetarit. Diferenca e madhe në çmim justifikohet me kostot shtesë për blerjen e 200 lexuesve të të dhënave që do të instalohen në rrugët e Shqipërisë, ngritjen e një qendre të kontrollit me vlerë 120 mijë euro dhe blerjen e makinave apo pagesat për stafin që do të realizojë projektin. Në total, PSA parashikon të investojë rreth 6.2 milionë euro në pesë vitet e para dhe të marrë mbrasht si të ardhura mbi 95 milionë euro përgjatë 35 viteve të parashikuara. Nëse miratohet, kostot e këtij koncesioni rëndojnë direkt mbi xhepin e pronarëve të automjeteve në Shqipëri, të cilët do të duhet të paguajnë edhe 48 euro më tepër. Buxheti i shtetit është gjithashtu i humbur nga këto të ardhura, pasi parashikohet të përfitojë vetëm tarifën koncesionare prej 2 % të të ardhurave të kompanisë.
Sigal