Në testimin fizik me aplikantët e rinj për në Shkollën e Policisë

2777

Dorina Beqiri, 26-vjeçarja nga Burreli: Kam mbaruar një fakultet, por dua të bëhem police

Janë me qindra djem e vajza nga gjithë vendi, shumica me një apo dy fakultete të tjera, që kanë aplikuar të ndjekin Shkollën e Policisë. I takuam dje, teksa po bënin testimin fizik në pistën e stadiumit “Qemal Stafa”…. Shkolla e Policisë kërkon një përgatitje fizike dhe aftësi të lartë, për të kryer funksionet përkatëse, duke ndikuar tek siguria personale dhe ajo publike. Përgatitja fizike qëndron në themel të aftësisë së policit për të kryer detyrat e zakonshme dhe ato kritike. Në rast se polici është nën nivelet minimale fizike të parashikuara, komprometohet performanca e tij në kryerjen e detyrave policore. Nivelet e larta të përgatitjes fizike shoqërohen me performancë më të mirë në kryerjen e detyrave fizike, që duhet të përmbushin punonjësit e Policisë së Shtetit shqiptar. Gjenerata e re e policisë vazhdon t’i nënshtrohet testimeve të radhës. Pas shpalljes së 390 aplikantëve si fitues në Shkollën e Policisë nga testimit me shkrim në datën 19 mars 2014, vazhdon testimi i tyre fizik.

TESTIMI FIZIK

Testimi fizik është një proces, i cili po zhvillohet në ambientet e stadiumit “Qemal Stafa”, që ka filluar ditën e hënë dhe do të vazhdojë deri në datën 9 mars. Nën mbikëqyrjen e organizatorëve dhe përgjegjësve përkatës, testimi fizik fillon rreth orës 7:00 të mëngjesit dhe përfundon me përfundimin e testimit të të gjithë kandidatëve, në varësi të ecurisë së procesit. Në varësi të ndarjes së qarqeve përkatëse, bëhet thirrja e emrave në hyrje të stadiumit, në bazë të renditjes alfabetike dhe më pas vijohet me procedurat e tjera, siç janë regjistrimi në komisionin përkatës, ku nevojiten dokumentet përkatëse. Në vazhdimësi, nën një mbikëqyrje të rreptë, vazhdohet me dorëzimin e raporteve mjekësore e deri në nisjen e procesit të testimit. Të pranishëm në këto ambiente, pavarësisht numrit të lartë të meshkujve, ajo çka të bën më tepër përshtypje është prania e një numri të madh femrash, vajza të reja me një arsim të lartë, të cilat kanë vendosur të provojnë të ndjekin pasionin dhe dëshirat e tyre për të  qenë pjesë e Policisë së Shtetit. Ashtu dhe si pohojnë, kjo është një sfidë për të thyer tabunë që ekziston për dekada. Kanë vendosur t’i tregojnë meshkujve dhe gjithë shqiptarëve se dhe ato kanë forcën dhe vullnetin për t’ia dalë. Disa vijnë nga një familje ushtarakësh e policësh, e disa të tjerë me pasionin e tyre dhe dëshirën për ndryshim. Duket se, procesi vijon normalisht, konform ligjit, rregullores dhe procedurave standarde. Të pranishëm në fushë janë dhe personeli prej rreth 20 personash, të ndarë në varësi të detyrave. Sigurisht, këtu nuk mungojnë dhe personeli mjekësor, apo dhe ai i FSHN-së, në rast  incidentesh që mund të ndodhin.

INTERVISTA

Ashtu si dhe na pohojnë dhe Administratori, Rakip Kazani dhe Mbikëqyrësi Arjan Ferri, pas mbarimit të çdo testimi, bëhet çregjistrimi elektronik dhe hedhja në sistem kompjuterik i të gjitha rezultateve, pavarësisht se, përgjigjja nga fituesi ose humbësi merret në moment. Për t’u informuar më tepër dhe për të qenë më afër këtij eventi, ne kemi biseduar dhe me Administratorin e këtij procesi, z. Rakip Kazani, i cili na tregon për procedurat dhe kriteret e këtij testi.

Z. Rakip, a mund të na tregoni më tepër rreth procesit të testimit fizik?

-Ky është vazhdim i aktivitetit të zhvilluar tek Pallati i Kongresit, i cili ishte testimi me gojë. Ky aktivitet ka filluar të hënën dhe përfundon në datën 9 maj. Çdo ditë testohen nga 130 veta. Ky është testi fizik, i cili fillon me momentin e çregjistrimit, me paraqitjen e dokumenteve të rregullta, me fletëpranimi të lëshuar nga drejtoria, ose nga qarku nga vjen personi përkatës…

A është kriter mosha për të konkurruar dhe cila është kjo moshë?

-Mosha në bazë të ligjit nuk ka kufij. Por nga ana logjike, nëse do të vijë një person i moshës 40 vjeç e lartë do ngelet, nuk do arrijë të kalojë testet. Pra, mosha përgjithësisht është nën 40 vjeç.

Në bazë të cilit, kriter bëhet renditja e kandidatëve?

-Jo, bëhet në bazë të qarqeve, p.sh. momentalisht jemi në Drejtorinë e Tiranës dhe më pas vijnë qarqet e tjera.

Cilat janë mjetet që nevojiten për këtë proces?

– Aplikantët duhet të paraqesin dokumentin, formularin e pranimit, kartën e identitetit ose mjet tjetër që vërteton që është personi dhe pas vërtetimit kalohet tek mjeku, ku paraqitet raporti mjekësor, i marrë nga mjeku i familjes, i cili vërteton aftësinë për t’u futur në këto teste që bëhen. Mbasi mbarojnë këto procese, futen në testet e tjera. Çdo test ka një normë të caktuar, si për meshkuj dhe për femra. Bëhet nxehja nga personat e duhur, fillon gara 300 m., mbasi mbarojnë ka një kohë të caktuar prej 15 min. për t’u qetësuar dhe fillon gara 2400 m.

Sot nuk janë më kriter pranimi pesha dhe gjatësia?

-Jo, nuk janë më kriter.

Sa është numri i grupeve dhe i personave përkatës për çdo grup?

-Janë gjithsej 130, ku 10 grupe kanë nga 13 veta, për çdo grup në ditë. Testimi fillon në orën 7 të mëngjesit dhe varet nga koha se kur mbaron, në varësi të kushteve atmosferike.

 

 

INTERVISTA

Dorina Beqiri: Ja pse do bëhem police!

Lidhur me testimin fizik, praninë e aplikantëve dhe veçanërisht të femrave ne kemi biseduar dhe me fituesen e garës 300 metra për ditën e djeshme. Ajo quhet Dorina Beqiri, 26 vjeç dhe është nga rrethi i Matit.

Znj. Dorina, cila është arsyeja që ju ka shtyrë të zgjidhnit Shkollën e Policisë?

– Arsyet janë të shumta, nuk ka vetëm një arsye realisht. Dëshira për të kontribuar është shumë e madhe, plus që avantazhet normalisht, aq më tepër mundësia që i jepet një të riu, për të pasur edhe një karrierë më të mirë, sepse unë kam mbaruar një fakultet tjetër, atë të historisë, këtu në Tiranë dhe këtë e shikoj si një mundësi më të mirë. Pra, janë shumë arsye që më kanë dhënë mua shtysën për t’u futur në polici. Nga ana tjetër kam dhe vullnetin për të kontribuar. Mund të them që e kam dhe si të thuash, trashëgimi në familje, pasi kam pasur dhe dy xhaxhallarë, të cilët kanë qenë punonjës policie, që momentalisht nuk janë më të tillë. Madje, disa vite më parë, edhe motra ime ka konkurruar tek Akademia e Policisë, por që nuk e fitoi në fakt.

Ju u shprehët se është kontribut. Çfarë kontributi është?

-Normalisht që e konsideroj si një kontribut, sepse si fillim, në një farë mënyre do të thyhen edhe mentalitetet, sepse numri i femrave në polici është shumë i ulët dhe këtë e konsideroj si një nismë që më ka shtyrë që të futem në polici.

Sa të vështira ju duken provat?

-Nuk janë shumë të vështira, janë të arritshme. Mund të arrihen nga një person që ka vullnet.

Mendoni se, meqenëse pretendohet balancimi i raportit meshkuj femra, do të ketë favorizime?

-Nuk e di nëse do bëhet favorizim, nuk mund të themi gjë, por që edhe ne femrat duhet të jemi më luftarake, që të arrijmë rezultate të barabarta me meshkujt, qoftë nga ana psikologjike, qoftë nga aftësitë tona intelektuale, por edhe nga ana fizike.

Kur flisni për karrierë, çfarë keni parasysh?

-Dëshira më e madhe është që të futem, pastaj për sa i përket karrierës, nëse një njeri i vë qëllim vetes do të arrijë atje ku do.

Deri ku e mendon veten me këtë profesion?

-Besoj shumë lartë. Mendoj se, pjesa më e vështirë ka kaluar  dhe ndoshta pas disa vitesh, shpresoj ta shikoj shumë lart. Gratë në polici fusin frymë të re, qytetari dhe këmbëngulje për zbatimin e ligjit. Dhe ne këtë do bëjmë.

Po për sa i përket konkurrencës me meshkujt. A ndjeheni të konkurruara?

-Jo, absolutisht. Nuk kemi arsye, pasi dhe ne e kemi forcën për t’ia dalë.