Në bibliotekën e Beratit, 40 mijë libra, drejt shkatërrimit nga lagështia

535

Flet për “Telegraf” drejtoresha e bibliotekës “Vehxhi Buharaja”, Valbona Zylyftari: “Nuk po zbatohen projektet!”

Lagështira po rrezikon 40 mijë libra të ndryshëm letrarë, të cilët gjenden në bibliotekën “Vehxhi Buharaja” në qytetin e Beratit. Godina 40-vjeçare e bibliotekës, ku është ky thesar i madh është e amortizuar dhe lagështia po prish një numër të madhe librash. Këto dy vjet përveç katit të dytë edhe kati i parë ka filluar të preket nga lagështia. Gjendja e kësaj godine sa vjen e po përkeqësohet. Librat që ndodhen në katin e dytë të kësaj biblioteke kanë probleme serioze me lagështinë, pa përjashtuar dhe problemet e tjera. Shkak i të gjithave është fakti se biblioteka ndodhet e ndërtuar në një ambient moçalor. Lajmin e bënë të ditur për “Telegraf” drejtoresha e bibliotekës, Valbona Zylyftari, e cila ka konfirmuar se, në këto ambiente janë në rrezik 40 mijë libra të ndryshëm. “Kjo bibliotekë ka 4 mijë lexues të rregullt, të regjistruar me kartelat përkatëse. Ne jemi të shqetësuar për gjendjen e krijuar, pasi godina është e amortizuar dhe librat që ndodhen këtu rrezikohen të dëmtohen nga lagështia e madhe e krijuar gjatë dimrit. Edhe pse ne kemi bërë ndërhyrje në disa pjesë të tarracës dhe tek muret duke përdorur hidroizolim kjo nuk ka qenë e mjaftueshme. Ne si drejtori kemi në dispozicion 480 mijë lekë të reja që jepen nga bashkia, të cilat nuk mjaftojnë për të kryer shërbimet që kërkon biblioteka”, tha Zylyftari.

Problemi

Lagështia po rrezikon edhe bashkëpunimet me shkollat dhe kopshtet. “Periudha e dimrit është problematike për ne. Lagështia e madhe dhe ambientet e ftohta veçanërisht në sektorin e fëmijëve, po kushtëzon mos qëndrimin e tyre në këtë dhomë dhe po prish planet tona, pasi ne si drejtori, kemi një bashkëpunim me kopshtet dhe shkollat 9-vjeçare të qytetit, të cilat zhvillojnë orë mësimore të hapura me nxënësit. Ndërsa me fëmijët e kopshtit tregohen dhe përralla të ndryshme, ku fëmijët argëtohen për disa orë në këto ambiente”, tha drejtoresha e bibliotekës “Vehxhi Buharaja”.

Projekti

Të dhjeta ambientet e frekuentueshme të kësaj godine dykatëshe janë nën presionin e lagështisë, e cila një pjesë të madhe të librave i ka prekur dhe vijnë era myku. Sipas drejtoreshës, Valbona Zylyftari bëhet e ditur se, bashkia para tre vjetësh ka bërë një projekt për restaurimin e godinës së bibliotekës si dhe rehabilitimin e plotë duke përfshirë edhe rrjetin elektrik që është 40-vjeçar, i cili në shumicën e vendeve është i paizoluar. Ka qenë pikërisht shkëndija elektrike që shkaktoji zjarrin dy vjet më parë në bibliotekë, ku u dogjën 5 mijë libra. Projekti përmban edhe izolimin e tarracës, mureve etj…”, tha Zylyftari. 40 për qind e librave të kësaj biblioteke vijnë era myk, ndërsa pjesa tjetër është gati në mykjen pasi lagështia i ka prekur prej vitesh këto libra, të cilat do të shkojnë drejtë dëmtimit nëse nuk do të investohet për këtë godinë.