Ndue Gega: Rrësheni, qyteti i hijshëm i Veri-Lindjes

2670
Sigal

Reportazh/ Flet kryebashkiaku i Rrëshenit Ndue Gega: “Të huajt janë fort të interesuar për historinë e qyteteve të reja, sic është dhe ajo e Rrëshenit”.

“Më i bukuri qytet që kemi hasur deri më tash. Na u hapën mushkëritë nga ajri i freskët. Pastërtia, gjelbërimi kaq i pasur, rregulli si askund dhe një jetë kaq e socializuar…”!

Janë fjalët e një grupi profesorësh nga Graci i Austrisë, që kanë ardhur të vizitojnë vendin tonë për disa ditë. Ata i kanë rënë gjithandej, dhe njëfarë mënyrë kryq e tërthor Veriut, duke u ndalur qytet më qytet, por Rrësheni për ta ka qenë befasia e këndshme.

Na ka rënë të bisedojmë gjëra e gjatë për historinë e Mirditës në përgjithësi, e quajtur ndryshe si “Toka e Katedraleve”, për t’u endur në histori të panumërta të kësaj krahine krenare shqiptare, dhe për të ardhur në Rrëshenin e ditëve të sotme.

Të huajt janë fort të interesuar për historinë e qyteteve të reja, siç është dhe ajo e Rrëshenit, edhe pse ne me pa të drejtë, kemi një epje të pashpjeguar për “ti djegur etapat historike”!

Me grupin e të huajve mbërrijmë në zyrën e kryebashkiakut Ndue Gega, një fakt më tepër për t’i intriguar të huajt, përse ky qytet i vogël por kaq i bukur, shpërfaqet kaq i hijshëm dhe i mirëmbajtur për vizitorët vendas apo të huaj. Lidhet kjo dhe me faktin e dashurisë që kryeqytetasi ka për vendin ku ka lindur, bash këtu në Rrëshen. Ata dëgjojnë me kërshëri historikun e shkurtër të thënë aty për aty nga kryebashkiaku.

-Qyteti 65 vjeçar

Qyteti i Rrëshenit u krijua më 15 prill 1949, si qendër e rrethit të Mirditës, e cila, deri në atë kohë, kishte qenë në Shpal, si Nënprefekturë. Më parë, Rrësheni ishte jo vetëm një nga fshatrat më të mëdhenj të zonës së Kthellës, por edhe një qendër e vogël tregtare, zejtare, me 3-4 dyqane që administroheshin nga vendësit, në bashkëpunim me tregtarë shkodranë e krutanë.

Trashëgonte një shkollë fillore qysh nga fillimet e shekullit të 20-të, kurse në vitin 1949 do të hapej shkolla 7-vjeçare dhe në vitin 1960 gjimnazi i Rrëshenit. Më 1964, do të dilte matura e parë.

Në vitet ‘60 –‘70, qytet krijoi fizionominë e tij, me pallate, rrugë, sheshe, parqe, lulishte, etj. Një përmbajtje të re i dhanë pallati i kulturës, muzeu, godinat e reja shkollore, pallati i sportit, stadiumi, stacioni i trenit – i mallrave, etj. Rrësheni, tashmë, kishte ansamblin e vet “Mirdita”, ekipet e “Minatorit” në futboll, volejboll, basketboll, etj.

Ndërmarrjet e shumta ekonomike të rrethit, të përqendruara këtu, i kishin dhënë një gjallëri të veçantë qytetit dhe periferisë së tij, nga Ura e Fanit te Ura e Zmesë, duke krijuar punësim për punëtorët dhe punonjësit e shumtë të administratës.

Bashkia e Rrëshenit u krijua në vitin 1992, duke mbuluar qytetin dhe fshatrat përreth, si Tarazh, Malaj, Lurth, Ndërfushaz, Ndërfanë, Gëziq, Bukmirë, etj., me rreth 15 000 banorë gjithsej. Me gjithë lëvizjet e shumta të popullsisë mirditore, kjo e qendrës është ruajtur si në qytet, ashtu dhe në territorin tjetër të Bashkisë. Në vitin 1996, Rrëshenit iu shtua Dioqeza dhe me 2002 Katedralja, si dhe shkolla profesionale “Shën Jozefi Punëtor”. Po kështu, tashmë veprojnë një varg shoqatash, bankash dhe njësish të tjera të sektorit privat. Qyteti ynë dallohet për solidaritet qytetar, -vijon më tej kryebashkiaku Gega, -për mirëkuptim dhe bashkëpunim mes njëri-tjetrit.

-Pamje gjeografike e Rreshenit

Qyteti i Rrëshenit e ka sipërfaqen 65 ha dhe popullsinë 8127 banorë. Rrësheni ka një ekspozicion të veçantë, me lartësi që variojnë nga 83 – 118 m mbi nivelin e detit. Ka privilegjin natyror, pasi rrethohet nga tre përrenj me ujë të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit, të cilët janë: Zmeja, Lumthi dhe Përroi Ferraz. Kufizohet nga lagjet tradicionale që përbëjnë fshatin Fushë – Lumthi: Kaçorraj, Reç dhe Kolsh. Ka një klimë mesdhetare kodrinore. Sasia mesatare vjetore e reshjeve është 1600 mm me temperaturë mesatare vjetore 13.3 oC.

Rrësheni është qyteti i dy unazave përgjatë përrenjve Zme dhe Lumth. Qyteti ka “pronë”  6 ura mbi tre përrenjtë (rast unikal për përmasat e këtij qytetit).

Qyteti fillon me urë dhe përfundon po me urë. Dikur qyteti është quajtur qyteti i “busteve” (kanë qenë 6 të tillë), qyteti i gjelbërimit, i lulishteve dhe i luleve gjatë gjithë stinëve të vitit. Qyteti i kurorës me mollë, kumbulla dhe pemë të tjera frutore.

-Ëndrra e trenit
Duke iu qasur një shënimi të gazetarit Fatos Baxhaku, duhet theksuar fakti se Rrësheni, qyteti i ri, me sa duket ka qenë i destinuar për ato që të gjitha politikat i quajnë me rëndësi kombëtare. Njësoj si sot, me rastin e rrugës Rrëshen-Kalimash, edhe disa dekada më parë Milot-Rrëshen-Klos ishte një hekurudhë, që synonte të bashkonte krejt Veriun në një nyje të përbashkët, të madhe hekurudhore. Treni mbërriti vërtet në Rrëshen, por shumë mirditorë tashmë ia kanë harruar tingullin e mprehtë sirenës së hareshme të lokomotivës. Shinat janë shitur për skrap, ndërsa disa malësorë kanë gjetur një zgjidhje më origjinale: kuptuan se ato ishin fort të mira, edhe për të ngritur gardhe.

Rrësheni duhet shënuar dhe si qyteti, ku vijimësia e udhëve të hekurta u ndërpre dhe fishkëllima e trenit të fundit vjen si vegim i para 20 e kusur viteve. Por nëse pakkënd kanë mbetur gjurmë të udhës së hekurt (për kohën më modernia në Shqipëri), ka mbetur një simbol i veçantë në të dalë të qytetit, në Tarazh, Ura e Madhe e Tarazhit, urë historike tashmë, më e madhja e 50 viteve socializëm! Në njëfarë mënyrë josh të huajt për të bërë foto, teksa në fasadën e lartë të saj gjenden parullat e kohës, ende të pashuara

-Muzeu i Rrëshenit, pasuri e vyer kombëtare

Që prej 26 tetorit të vitit 1976 në Bashkinë Rrëshen ushtron aktivitetin Muzeu Historik i rrethit.

Çfarë mund të vizitosh në Muzeun e Mirditës?

Eksponatet nisin me periudhën ilirike, ku pasardhësit e mirditasve të sotëm pirustët, kanë qenë luftëtarë por edhe zejtarë të zotë. Këtë e vërtetojnë shumë gjetje arkeologjike si tjegulla, prodhime të tjera nga balta, por edhe stoli të ndryshme të grave, të gjetura në Përlat, Prosek, Bukël, Kacinar, Blinisht etj. Por më e rëndësishme është gjetja e përkrenares ilire në Përlat, ndërkohë që në këtë muze gjenden edhe argumente të themelimit të shtetit të parë të Arbrit, në fshatin Gezicq të Bashkisë Rrëshen.

Një hapësirë të konsiderueshme zë edhe pavijoni i Rilindjes Kombëtare, ku mirditasit kanë me çfarë të prezantohen. Figura të tilla mirditorësh si Ambroz Marlaska. Abati i shquar Prend Doci, Prenk Bib Doda, Zefi i Vogël, Preng Marka Prenga, Kol Toma i Velës etj, zënë një vend të posaçëm në këtë pavijon. Edhe tavolina e punës e Abat Docit është një vlerë e patjetërsueshme që ruhet ende në këtë muze, ndërkohë që nuk mungojnë fotografi të hershme të Abacisë së Oroshit, kishave të Rubikut, Geziqit, Kalivares, etj.

Gjithashtu janë ekspozuar edhe pjesë nga angazhimi i mirditasve në luftën nacionalçlirimtare dhe viteve që pasuan këtë luftë. Mjaft interes paraqet seksioni etnografik ku janë të ekspozuar veshje të burrave dhe grave mirditorë që janë përdorur gjatë shekujve, si dhe një odë tipike mirditase me oxhak dhe orendi të tjera. Vijimi i eksponateve mbyllet me pavijonin e rezistencës kundër regjimit komunist, ku vihen në dukje sjelljet e pushtetit komunist kundër mendimit ndryshe dhe shumë prej atyre që ishin cilësuar si kundërshtarë të regjimit.

-Rrësheni në kalendar historik

-Varreza të mesjetës së hershme shqiptare janë zbuluar në Shperdhet, Nderfande, Tenë, Shtanë, Kodër – Rrëshen (ish – lagje te katundit Rrëshen).

-Në mesin e shekullit XVII: Fillon veprimtarinë kisha e Shna Premtes  në Rrëshen.

-Në mesin e shekullit XIX: Kthella bashkohet me bajrakët e tjerë të Mirditës.

-Në vitin 1900: Hapet e para shkollë shqipe në Rrëshen.

-Gusht 1910: Ngrihet posta në Rrëshen (Fushë – Lumth).

-Mars 1911: Në lagjen Kodër – Rrëshen (Fusha e Liqenit), mblidhet kuvendi i përfaqësuesve të bajrakëve: Selitë, Kthellë e Rranzë. Ata vendosën të mos dorëzonin armët, të mos paguanin taksën për bagëti dhe të mos shkonin në ushtrinë turke.

-25 Dhjetor 1912 : Popullsia e bajrakëve te Kthellës, në mbledhjen e organizuar në Malaj, ngriti flamurin kuq e zi të kombit.

-Në vitin 1931: U ndërtua rruga automobilistike Milot – Rrëshen.

-1938: Fillon puna në minierën e bakrit Derven.

-Në vitin 1940: Ndërtohet godina e shkollës në Fushë  Lumthi.

-Në vitin 1941: Ndërtohet vepra e parë publike në Fushë – Lumthi (kati i parë i komisariatit të policisë) për zyrat e komandës së vendit.

-18 tetor 1944: Beteja e Urës së Fanit (lumi Fani i Vogël) ndërmjet forcave partizane dhe atyre gjermane.

-Në vitin 1946: Krahina e Kthellës nga pikëpamja administrative u bashkua me Mirditën (kishte qenë në vartësinë e nënprefekturës së Matit).

-15 prill 1949: Me dekret të Presidiumit  të KP të RPSH, dt. 11,03.1949, Rrësheni bëhet qendër administrative e rrethit Mirditë dhe fillon jetën si qendër urbane.

-17 prill 1949: Në Fushë – Lumth (Rrëshen) vendosen 5 familjet e para që themelojnë qytetin: familja e Bardhok Bibës,e Mhill Doçit,e Baftjar Ukës, e Pal Gjokës dhe e Ndue Kosovës.

-Shtator 1949: Hapet shkolla 7 – vjeçare në Rrëshen.

-1 maj 1950: Instalohet motori i parë elektrik për të furnizuar me energji Rrëshenin.

-Në vitin 1950: Rrësheni ngriti ekipin e futbollit.

-Në vitin 1950: Aktiviteti i parë zyrtar kulturor me pjesën koncertale “Dasma mirditore”.

-Në shtator 1952: Hapet konvikti i shkollës 7 – vjeçare (në një barakë tek ish – reparti ushtarak).

-Në vitin 1952: Ndërtohet rruga automobilistike Rrëshen – Kulme (rruga e vjetër).

-Në vitin 1952: Ndërtohet ujësjellësi në Rrëshen.

-1957: Ngrihet kooperativa bujqësore “Pal Melyshi” në Fushë – Lumthi (Rrëshen).

-Shtator

1960: Hapet shkolla e mesme.

-1961: Ndërtohet godina e konviktit.

-1961: Fillon puna në spitalin Rrëshen me 2 mjekë, 6 infermierë dhe 40 shtretër.

-1962: Ndërtohet godina e shkollës së mesme.

-1967: Fillon puna në ofiçinën e SMT së – Rrëshen.

-1968: Përurohet kinemaja “26 – tetori”.

-1968: Fillon veprimtarinë NB- ja (ndërmarrja bujqësore) Rrëshen, në territorin e ish – kooperativës bujqësore.

-1970: Përurohet pallati i kulturës.

-1972: Përurohet shkolla 9-vjeçare “Pashko Vasa”.

-1972: Fillon puna në parkun e mallrave.

-1973: Përurohet spitali tre katesh në Rrëshen.

-5 maj 1973: Përurohet banda muzikore e qytetit.

-1974: Përurohet godina e muzeut historik.

-Maj 1975: Ngrihet ekipi i volejbollit “Minatori” për vajza me trajner Haki Halilin.

-1975: Ndërtohet godina 4 katëshe e komitetit PPSH për rrethin (sot godina e bashkisë).

-Maj 1976: Ekipi i futbollit “Minatori”, kampion në kategorinë III.

-1978: Ndërtohet rruga automobilistike Rrëshen – Kulme (rruga ekzistuese).

-Tetor 1978: Ansambli folklorik “Mirdita” fiton çmimin e parë në festivalin e kombëtar të Gjirokastrës.

-1982: Përurohet shkolla 9 – vjeçare nr. 2.

-1983: Fillon nga puna fabrika e pasurimit të bakrit Rrëshen (afër Urës së Fanit).

-1986: Përurohet stadium i futbollit.

-Nëntor 1987, gazeta e parë “Mirdita”

-1988: Ndërtohet pallati i sportit “Arjana Arapi”.

-1991, krijohen partitë politike (Pluralizmi)

-1993. Mesha e parë

-1994, vihet emri sheshit kryesor “Abat Doci”

-1994, licencohet shtëpia botuese “Mirdita”(botimi i pare 1997, sot 300 tituj)

-Dhjetor 1996, krijohet dioqeza Rreshen.

-Janar 2000: Botohet gazeta e pavarur MIRDITA

-Shkurt 2001: Fillon veprimtarinë televizioni “Mirdita” me qendër në Rrëshen.

-2001, digjitalizohet Telekomi Rreshen.

-9 tetor 2002: Përurohet katedralja.

-Shtator 2004: Fillon mësimi në shkollën profesionale “Shën Jozefi Punëtor” në Rrëshën.

-2004: Fillon nga prodhimi kantina e verës “Arbëri”.

-2010-2011, ekipi Minatori në volejboll për femra, fiton Kupën e Republikës dhe Kampionatin Kombëtar.

-Qytetarët e Nderit, nga Bamir Topi tek Adem Jashari

Me propozimin e një pjese anëtarësh të këtij këshilli, ose e faktorëve të ndryshëm të interesuar, këshilli bashkiak i Rrëshenit ka dhënë disa tituj të tillë që nga nderimi për ish presidentin e vendit Bamir Topi, për priftërinjtë imzot Rrok Mirdita, Angelo Masafra, Carlo Cafferra , Kristoforo Palmieri, Lino Nikolai për ringjalljen e besimit në këtë komunitet, por dhe për Franz Winsauer, humanist austriak me kontribute në këtë zonë, po ashtu mjekut italian Carmine Malzone, për mjekun historik të zonës Paulin Shqalsi dhe Kolë Doda, apo gjeneralin e kohës së luftës Gjin Marka Toma; studiuesin akademik Mark Tirta e deri për luftëtarin e madh të Kosovës, Adem Jashari.

-Kush do të jetë Rrësheni i nesërm?

Nga biseda me kryebashkiakun Ndue Gega, ai le të kuptojë se Rrësheni do të vazhdojë të bëhet akoma më i hijshëm, do të ruajë konfiguracionin e një qendre administrative në mes të Pellgut të bukur të Rrëshenit, por duke u bërë sa më kreativ e mikpritës. Si “zemra e Mirditës”, Rrësheni, do mund të organizohet gjithnjë e më mirë në pikëpamjen urbane, sistemimit të plotë të nyejve lidhëse qoftë me Udhën e Kombit apo udhën e re Rrëshen-Klos i Matit, rrugën e Lurës turistike e me radhë.

 -Zoti Gega, si e shihni të ardhmen e qytetit Rrëshen?

Si një qytet gjithnjë e më të bukur, gjithnjë e më të gjelbër, të mirëmbajtur, me akse hyrje moderne,  me zhvillimin ekonomik më të qëndrueshëm, pasi kemi projekte bashkëpunimi dhe disa binjakëzime të spikatura që do të luajnë rol në zhvillimin ekonomik të zonës.

-Vizitorë vendas apo të huaj, u ka rënë në sy gjelbërimi dhe mjediset e shumta çlodhëse. Si është arrit deri këtu?

Qyteti i vogël i Rrëshenit ka patur një trashëgimi modeste në fushën e gjelbërimit. Janë kultivuar para viteve 1990 mjaft drurë dekorativ me vlera të larta dekorative dhe me ndikim pozitiv në mjedis si: blini, pisha, selvija, albicia, ligustra, panja, cedrusi, manjola etj. Për vetë shtrirjen e qytetit të Rrëshenit dhe zhvillimet e asaj periudhe sipërfaqet e gjelbërta kanë qenë rreth 7000 m2 si dhe drurët dekorativ rreth 300 copë.

Por këto vite kemi bërë ndërhyrje të studiuara decizive, për t’i shumëfishuar sipërfaqet e gjelbra duke mbjellë pemë e shkurre dekorative rreth 3000 copë. Ndërsa sipërfaqja e gjelbër shkoi në mbi 25 000 m2. Janë bërë lulishte të reja pranë çdo pallati dhe grup pallatesh, para lokaleve dhe institucioneve si askund në Shqipëri.

-Shpesh përmendët se Rrësheni është shndërruar në një qytet social të admirueshëm, përse?

Është e vërtetë. Ne jo vetëm kemi rritur sipërfaqet e gjelbra dhe shtuar lulishtet, por kemi sjellë përmirësim të dukshëm për jetën e banorëve dhe sidomos të moshuarve. Kemi vënë qindra stola modern në të gjitha lulishtet, para pallateve dhe mjedise të tjera, gjë që shihet në mbrëmjet e vona apo orë të tjera, ku gjithë të moshuarit kanë ku të rrinë, nëpër stola e lulishte për të mos u mbyllur brenda. Duhet përmend fakti tjetër se ne kemi krijuar një unazë mjedisore me një perimetër të largët, që nga varrezat e qytetit, të cilave u kemi kushtuar kujdes në mirëmbajtje, ndërtimin e Kapeles së re atje etj., etj.

-Bashkia ka në përbërje të vet dhe fshatrat, çfarë projektesh janë aplikuar deri më tash?

Edhe pse na kanë munguar, pothuaj, tërësisht donacionet shtetërore, nuk kemi qëndruar duarkryq, por duke shfrytëzuar çdo mundësi të ardhurash nga vetë biznesi vendas, nga shoqata të ndryshme e me radhë. Janë një sërë lulishtesh të reja, trotuare të reja të bëra; është ndërhyrë në rrugën e Ndërfushasit duke e asfaltuar atë, po ashtu Kodër Rrëshen, rrugën e Zallit Zme, rrugën e Kolshit, kanalin vaditës në Sheshaj dhe Jezull, riparime të shkollës dhe qendrës shëndetësore Malaj, suvatime dhe rregullime të dy blloqeve me pallate në qytet dhe projektin e ri të nisur për pallate të tjera,etj.

Gjithashtu në tratativa jemi për projektin me mjaft rëndësi për Unazën e Qytetit, kemi nisur punën për trotuaret e rinj, në lidhjen Varreza-hyrje të qytetit, etj.

 -Rrësheni përmendet për aktivitetet kulturore, madje ndër më aktivët në Shqipëri, si e keni arrit këtë?

Është shumë e vërtetë kjo. Kemi një rigjallërim të ansamblit Mirdita, të bibliotekës, të Muzeut, gjithçka e sjellë me forcat tona në këtë nivel, nga donacione shoqatash apo emigrantët që janë kthyer në asht  të zhvillimit kulturor. Ndër qindra aktivitetet të organizuara, dua të përmend dy momente, Mirdita në Metropol në Tiranë, koncertet me ansamblin e Shtetit, dokumentarët televizivë për rajonin turistik, promot e forta të ansamblit në kanalet televizive kombëtare, e me radhë dhe festimi i 15 prillit, ditës së Themelimit të Qytetit. Është risi kjo festë në kremtimet zyrtarë ne vendin tonë që angazhon gjithë tragetin njerëzor të këtij komuniteti.

Ndaj dhe në të ardhmen do t;i japim rëndësi këtij aspekti edukues, argëtues të qytetarëve tanë, por dhe afirmues për qytetin dhe rajonin.

 Gjergj Marku