Naço: Shqipëria e vendosur në luftën kundër korrupsionit

143
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka pritur sot në një takim bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jonathan Evans dhe Andrej Hunko.
Temë qendrore e diskutimit me bashkëraporterët e Këshillit të Europës, të cilët po zhvillojnë në Tiranë një vizitë fakt-mbledhëse, ndër të tjera ishte edhe ndjekja dhe zbatimi i rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (KiE), për respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë, veçanërisht për “Reformën në Drejtësi dhe për Luftën Kundër Korrupsionit”.
Ministri Naço është ndalur në ecurinë e deritanishme të reformimit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe atij gjyqësor në veçanti, ndërsa ka shprehur vendosmërinë dhe vullnetin e qeverisë shqiptare në drejtim të luftës kundër korrupsionit.
unnamed (1)Naço vlerësoi se element me rëndësi në garantimin e suksesit në luftën kundër korrupsionit është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht mes atyre organizmave që kanë në fokus të punës së tyre evidentimin dhe luftën ndaj këtij fenomeni.
Bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë shprehur interes në lidhje me funksionimin dhe rezultatet e arritura nga Portali Antikorrupsion, fillimisht ai i ministrisë së Drejtësisë e më pas portali i integruar, si dhe janë ndalur edhe në rëndësinë që paraqet evidentimi i zërit qytetar lidhur me çdo rast të shprehur në lidhje me fenomenet korruptive.