Mirditë, militantët partiakë uzurpojnë repartin e zjarrfikëses

603
Sigal

SERVILAT E PUSHTETIT/ Komandanti i Repartit të Zjarrfikësve, Gjokë Gjoka prej 10 vjetësh nuk vendos asnjë fletë gjobe

Në këto 3 vitet e fundit  të stinë së verës, ku temperaturat kanë qenë të larta ka pasur shumë vatra zjarri, të cilat kanë shkaktuar dëme kolosale, sidomos në pyjet e dendura të Mirditës. Përmendim këtu verën e vitit 2012 që i ngjan atij fillim -shtatori të vitit 2001, ku një ‘dorë e zezë’ i vuri flakë tregut të Rrëshenit dhe për tregtarët e Bashkisë së Rrëshenit solli dëme kolosale. Ky rast u shoqërua me një furtunë shkarkimesh, procedime penale e largime nga puna për turnin e repartit zjarrfikës, përfshirë dhe komandantin Nikoll Markun. Ndërsa për më shumë se 5000 hektar pyje të djegura në Mirditë, kryesisht në zonat: Orosh, Vjollcë, Kthellë e Epër etj., në verën e vitit 2012, ku u shënua një dëmi kolosal, nuk u veprua ashtu siç veproi pushteti i Partisë Socialiste, por Prefektura e Lezhës e drejtuar nga z. Pal Dajçi si dhe Ministria e Pushtetit Qendror me drejtues z. Flamur Ndoka, kanë heshtur ndaj personave përgjegjës, të cilët me sa duket janë simpatizantë të Partisë Demokratike, të cilët duhet të shkarkoheshin për dëmin ekonomik që i kanë shkaktuar rrethit të Mirditës.

Rasti

Rasti më unikal i ndodhur në Mirditë është rasti i ish-komandanti i zjarrfikëseve  z. Nikoll Marku i emëruar nga PD-ja që sapo kishte marrë pushtetin në vitin 1992, i cili vazhdoi të mbajë këtë post edhe me ardhjen e PS-së në vitin 1997dhe ndoshta do ishte ende në këtë detyrë nëse nuk do të digjej i gjithë tregu i qytetit në vitin 2001, vit që solli shkarkimin e tij. Vendin e tij e zuri ish-ushtaraku i dalë në lirim para kohe, për paaftësi z. Gjok Gjoka i marrë nga Partia Socialiste, por edhe kur në pushtet erdhi PD-ja në vitin 2005, çuditërisht ky mundi t’i shpëtojë rokadës politike të pushtetit, duke u shndërruar në militant i PD-së. Besoj se është i vetmi institucion që për më shumë se 20 vjet ka bërë vetëm një ndërrim.

Shkelja e ligjit

Zëvendësimi i z.Nikoll Marku me z. Gjok Gjoka është bërë kur 4 muaj më parë se ky i fundit të emërohej në krye të zjarrfikësve që me ligjin nr. 8766 e nxjerr jashtë çdo kriteri këtë emërim, pasi në kreun 2 neni 11 të këtij ligji, thuhet: Punonjësit e policisë e të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, i nënshtrohen formimit dhe trajnimit në kurse pranë Shkollës së Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe në qendrën e trajnimit të emergjencave civile. Në nenin 13 të ligjit 8766 të dt. 08.04.2001 pika 2 germa C thuhet: Largohet kur është pranuar në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në këtë ligj. Sigurisht se emërtesa e lartë mund të mos ishte në dijeni të këtij ligji, por ajo e prefekturës dhe n/prefekturës kanë qenë në dijeni e duhej ta kundërshtonin dhe pas gabimit të emërimit të z. Gjok Gjoka në këtë detyre, duke zbatuar nenin 13 të këtij ligji, për ta larguar si person i pa kualifikuar dhe jashtë profilit të tij. Neni 12 i ligjit në fjalë pika 2 thotë : Marrja e titullit oficer i policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe shërbimi (PMNZSH ) dhe heqja e këtij titulli bëhet nga Ministri i Pushtetit Vendor në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 8643 dt. 20.07.2000 për gradat e policisë së shtetit. Pra personat që janë në këtë detyrë, duhet të titullohej nga Ministria e Pushtetit Vendor. Po qe se emërtesa e Prefekturës Lezhë do të zbatonte ligjet e lartpërmendura, nuk do kishte drejtues militantësh apo servilësh të ofruar miqësisht nga deputet e të dy krahëve dhe nuk do kishin nga këto që pohohen nga drejtues të ndërmarrjes pyjore, që deklarojnë se pyje të djegura vetëm këtë vit janë mbi 5000 hektar që janë dëme kolosale të pa paguar nga askush.

REPARTI QË S’KA ASNJË PROCESVERBAL

Gjatë një vëzhgimi të bërë në Bashkitë Rrëshen dhe Rubik, nuk gjendet asnjë gjurmë, të paktën për këto 10 vitet e fundit që në këtë detyrë është Gjokë Gjoka, të ketë kaluar të paktën një herë tek bizneset si:  lokalet, dyqanet, zdrukthëtaritë etj.. Nuk gjendet asnjë akt kontrolli, procesverbale, urdhra e udhëzime dhe instruktazhe, jo vetëm prej tij, por as nga komanda e zjarrfikësve të prefekturës nga ku, ky varet. Gjithashtu, nuk gjendet asnjë fletë gjobe dhe s’ka se si të gjendet, ku ky drejtues që paguhet nga shteti, nuk ka kaluar asnjëherë.

PLATFORMA E GABUAR DHE ZJARRET E SHUMTA

Përveç kësaj mangësie, Komandanti i Repartit të Zjarrfikësve  z. Gjokë Gjoka, duhet të kishte bërë atë që është e domosdoshme për çdo qytetar, që i nevojitej në rast zjarri. Në çdo cep, e në vende të dukshme duhej të publikonte numrin e telefonit të zjarrfikës, ku çuditërisht nga shumë këto njësi të vrojtuar dhe njerëz të veçantë, nuk dinë numrin e telefonit të zjarrfikëses. Në qoftë se do vazhdojë të ndiqet kjo platformë, sigurisht se do kemi plot zjarre të tjera në vitet në vazhdim dhe plot dëme ekonomike ndaj qytetarëve.