Diferencim partiak për festën e Pavarësisë në Berat

578
Sigal

ATMOSFERA/ ‘Ndëshkim’ për socialistët, vetëm qytetet, ku qeverisin PD dhe LSI vishen kuq e zi

Të festosh 100-vjetorin e Pavarësisë nuk duhet vetëm motivi patriotik, por edhe simbolet kombëtare për t’i shtuar rëndësinë këtij jubileu të shumëpritur prej të gjithë shqiptarëve. Por mesa duket rëndësia e Flamurit kuq e zi po nënvlerësohet në disa qytet të vendit dhe kjo jo prej dëshirës, por nga mungesa e fondeve, të cilat nuk janë akorduar nga Qeveria për të krijuar atmosferën festive. E shpjeguar ndryshe ngjyrat partiake që qeverisin pushtetin lokal dhe që po bëjnë diferencimin ndërmjet tyre. Ky diferencim partiak vihet re edhe në qytetin e Beratit, ku pamundësia ka bërë që simbolet kombëtare, flamuj, banderola, stenda etj., të jenë në numër të kufizuar. Berati njihet si bastioni i Partisë Socialiste dhe sipas qytetarëve thuhet se është ky shkaku kryesor që Qeveria ka lënë pas dore qytetin muze edhe në këtë 100-vjetor. Përmendim këtu edhe bllokimin e gradit që iu bë bashkisë për llogari të Ujësjellësit para një muaji. Bllokimi, i cili paralizoj punën në administratë, duke sjell pasoja edhe në dekorin e qytetit. Nga një vëzhgim i kryer nga “Telegraf”, atmosfera krejt ndryshe është në qytetin e Urës-Vajgurore që qeveriset nga LSI. Aty dekori është për t’u marr shembull. Edhe qyteti i Kuçovës nuk ngelet pas, pasi me investimet e bashkisë është zbukuruar qendra e qytetit. Çdo gjë duket qartë, duhet të jesh me PD-në ose koalicionin qeverisës, LSI-në që të bësh të mira dhe investime për qytetin që drejton, në të kundërt ndëshkimi dihet dhe ndihet nga të gjithë.

Nisma

Edhe pse na ndajnë vetëm disa ditë nga Dita e Pavarësisë së Shqipërisë atmosfera e kësaj feste vazhdon të jetë shumë e vakët në rrethin e Beratit. Flamujt e simbole të tjera kushtuar Pavarësisë së vendit, janë vendosur në numër të pakët nga drejtuesit e institucioneve vendore, ndërkohë që nisma “Një dritare, një flamur” nuk është pasqyruar në familjet beratase. Lokalet dhe shtëpitë që kanë vendosur flamuj në dritaret e ballkonet e tyre janë të pakta, ndërkohë që, më të vëmendshëm kanë qenë drejtuesit e automjeteve që kanë zbukuruar me simbolet e festës makinat e tyre. Pothuajse në të gjitha apartamentet e banimit sheh tek-tuk ndonjë flamur që valëvitet në një dritare mes dhjetëra të tjerave. Qytetarët beratas shprehen se, të vendosësh një flamur në dritare është një gjë e rëndësishme historike në këtë 100-vjetor, por për shkak të pamundësisë së tyre ekonomike ata nuk e kanë bërë blerë dot, edhe pse të gjithë pohojnë se familjet beratase duhet ta prisnin këtë 100-vjetor me flamur siç bëri Ismail Qemali në Vlorë. Sipas banorëve beratas, atmosfera festive në këtë 100-vjetor të Pavarësisë lë shumë për të dëshiruar dhe ndihet shumë pak në rrugët e qytetit.