Durrës, nisin gjyqet ndaj qiramarrësve

569
Sigal

BANESAT E ISH-PRONARËVE/ Kreu i shoqatës, Myftar Kurti: “Familjarëve nuk u jepet e drejta e ankimimit”

Në qytetin e Durrësit ka nisur seriali i gjyqeve kundër qiramarrësve dhe po formulohen urdhër ekzekutimet. Banorët, shumica prej të cilëve nuk plotësojnë as kushtet minimale të të ardhurave për të marrë banesa me kredi ndodhen në udhëkryq. Deri tani janë bërë 12 seanca gjyqësore për këto raste. Albert Veshi, banor i lagjes Nr. 5, rruga “Maliq Muço” banon në një banesë, për të cilën ai deklaron se, ka qenë në gjyq themeli, që do të thotë një gjykim mbi një problem të ngritur nga pronari pretendues pa dokumente të rregullta. “Pronari që pretendon banesën, ku banoj unë dhe që më duhet ta lë për të dalë me të gjithë fëmijët në rrugë bazohet i tëri në dokumente të falsifikuara dhe për këtë kam hapur gjyq. Në këtë banesë janë edhe dy familje të tjera”, thotë Veshi. Kundër tij është zhvilluar një gjyq në mungesë për lirimin e banesës, gjyq, i cili më pas është përsëritur dhe është marrë vendim që ai duhet ta lirojë banesën. “Kjo pasi pas daljes së aktit normativ, pronari fitoi pallatin, ku unë jetoj”, thotë Veshi megjithëse dokumentet nuk i ka të rregullta. “Enti i Banesave duke e ditur gjendjen nuk duhej që t’ja plotësonte formularët, por megjithatë ka bërë të kundërtën. Gjyqi i parë ndaj meje është bërë me datën 15 të këtij muaji dhe i dyti me datën 19”, u shpreh Veshi.

Shkelet akti normativ

Ndërkohë, shumë prej banorëve që janë në banesa pronarësh pa marrë më parë asnjë lloj kredie po u shkon titulli ekzekutiv për lirimin e tyre. Në nenin 3 të aktit normativ  thuhet se, duhet të zbatohet titulli ekzekutiv dhe më pas të pastrehët e mbetur të trajtohen nga qeveria dhe pushteti lokal. Në këtë gjendje situata e tyre është në kolaps të plotë. Shoqata e Banorëve në banesat e pronareve i ka kërkuar takim ditën e martë Prefektit të Qarkut të Durrësit, Genc Alizoti. Ata i janë drejtuar se po u kërkohet që të lirojnë banesat. Gjithashtu i kanë thënë se, ata nuk dalin nga banesat pa u zgjidhur problem i tyre. Nga ana tjetër shumë banorëve po u shkon Urdhër Ekzekutimi për lirimin e banesave.

Reagimi

Kreu i Shoqatës se Qiramarrësve, Myftar Kurti proteston kundër faktit se, pronarët po përfaqësohen në gjyq nga Enti Kombëtar i Banesave, një institucion që duhet të jetë asnjanës. Ai duhet të jetë thjeshtë ndërmjetës, ndërsa në rastin e pjesëmarrësve në gjyqe të përfaqësuesve të saj Kurti thotë se, kjo gjë e komprometon paanshmërinë e Entit. Deri tani janë bërë mbi 12 gjyqe të tilla. Po më e keqja, -thonë banorët është se u ka shkuar Urdhri i Ekzekutimit dhe atyre nuk u jepet as e drejta e ankimimit. Një e drejtë kushtetuese e çdo qytetari. “Madje për këtë problem ekziston edhe një shembull se si veprohet me 2 standarde”,- thotë Albert Veshi. Ministria e Mjedisit është në një banesë me ish-pronar, por është në proces gjyqësor dhe pa mbaruar gjyqi nuk del nga banesa. Ndërsa për familjarët është krejt ndryshe. Përfaqësuesit e shoqatës deklarojnë se, jo vetëm Gjykata Kushtetuese ka dalë kundër familjeve që jetojnë në shtëpi ish-pronarësh, por në anën tjetër edhe Banka Botërore i ka kthyer përgjigje negative Këshillit Bashkiak të Durrësit, për të favorizuar me 20 pikë këtë kategori në banesat sociale. Gjykata Kushtetuese të mërkurën e shkuar në datë 31 tetor vendosi që shtëpitë e ish-pronarëve t’u kthehen këtyre të fundit, pas apelimit që bënë banorët që jetojnë në këto banesa prej 30 apo 40 vitesh.