Ministri Gjiknuri kërkon ndihmën e eurokomisionerit Hahn, për të finalizuar linjën interkonjeksionit me Kosovën

592
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri i ka kërkuar eurokomisionerit për zgjerimin Johanes Hahn të ndërhyjë për interkonjeksionin me Kosovën. Ai ka marrë pjesë në ministerialin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Shkup, ku i pranishëm ishte dhe vetë Hahn. I njëjti shqetësim u përforcua në këtë takim edhe nga zv. ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z.Gani Koci. Gjatë reagimit të tij, ministri serb i energjisë pranoi se kjo është një çështje politike e cila po trajtohet si pjesë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Brukselit dhe do duhet të gjejë zgjidhje në këtë nivel. Në këtë takim, ministrat e Energjisë ngritën shqetësimin e javëve të fundit lidhur me sigurinë e furnizimit për shkak të çmimeve të larta të importit në rajon të cilat janë shkaktuar si pasojë e temperaturave të ulëta dhe thatësirës. Kjo situatë ka bërë që në disa vende si Serbia dhe Kroacia çmimi i energjisë së importuar të shkojë deri në rekordin e 200 euro për megavat. Referuar kësaj çështjeje, ministri Gjiknuri tha se Shqipëria e ka zbutur këtë situatë përmes shfrytëzimit optimal të rezervës së saj hidroenergjetike, duke u ekspozuar sa më pak ndaj kësaj krize energjetike në rajon. Ministrat u dakordësuan të mbështesin kryerjen e një studimi për potencialet hidroenergjetike të të gjitha vendeve të rajonit, studim i cili në kuadër të procesit të konektivitetit në Ballkanin Perëndimor do të identifikojë burimet e reja energjetike që mund ti shërbejnë në të ardhmen të gjithë rajonit.
Sigal