Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të diktaturës naziste e asaj komuniste

631
Sigal

Simon Mirakaj         

I nderuari President i Republikë të Shqipërisë z.Ilir Meta,

e nderuara zj. Ministre e kulturës Kumbaro,

i nderuari kryetar i Bashkisë Tepelenë z. Tërmet Peci,

e nderuara zj. Kryetare e AIDSSH Gentiana Sula,

e nderuara zj. Voltana Ademi Kryetare e Bashkisë Shkodër,

të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,të nderuar përfaqësues të medias, të nderuar pjesëmarrës,

të nderuar të mbijetuar të këtij kampi përqendrimi, të nderuar bashkëvuajtës e të pranishëm.

Zonja e zotërinj, vitet e fundit është folur e shkruar shume për kampin e përqendrimit Tepelenë, nga ata që kanë përjetuar disa vite të vështira në këtë kamp, por edhe nga ata që nuk kanë jetuar në këtë kamp por kanë dëgjuar për tmerret e këtij kampi internimi. Gjatë diskutimeve për ngritjen e memorialit muze ka pasur dhe reagime kundër, sigurisht demokracia pranon dhe zërat kundër, unë desha të ju drejtohem këtyre zotërinjve miqësisht se Tepelena ka historinë e saj të lavdishme në luftë kundra pushtuesve ashtu sic ka po aq të lavdishme dhe rezistencën për mos instalimin e diktaturës komuniste. Tepelena zotërinj të nderuar nuk është vetëm e juaja, Tepelena është e juaja është e imja është e të gjithë atyre që flasin e mendojnë shqip, ashtu siç është e imja dhe e juaja Shkodra, Gjirokastra, Tropoja e Skrapari, Korça e Përmeti, Dibra e Puka. Të nderuar zonja e zotërinj nuk janë fajtorë Matjanët për Burgun e Burrelit, nuk janë fajtorë Mirditorët për burgun e Spaçit, nuk janë ë Pukjanët për burgun e Qafë Barit, ashtu siç nuk janë fajtor Tepelenasit për ngritjen e këtij kampi në brigjet e Lumit të Bënçës. Ka një fajtor zonja e zotërinj, e kjo është diktatura komuniste e diktatori i saj Enver Hoxha me shokët e tij. Ne të mbijetuarit e këtij kampi kujtojmë me respekt popullin bujar e fisnik të Tepelenës për ndihmën që na kanë dhënë ne fëmijëve të këtij kampi kur i ngjiteshim kodrës për të shkuar në shkollë e ata zgjasin dorën duke na dhënë një copë bukë me gjizë, kur edhe ata ishin të varfër. Po kaq me respekt kujtojmë popullin fisnik të Beratit, të Lushnjës. Mendoj e ju them këtyre zotërinjve të ndriçojnë syrin e mendjes e të arsyetojnë me gjakftohtësi e t’i thonë, Jo urrejtjes, sepse urrejtja mbjell përçarje e varfëri, ne kemi shumë nevojë për njeri tjetrin, pavarësisht bindjeve politike. Merrni shembull nga ne ish-të përndjekurit politik, Po. Po, merrni shembull! Ne, edhe pse ecëm në një rrugë të gjatë e shumë të vështirë, të mbuluar nga terri i padrejtësisë i thamë: Jo hakmarrjes, kërkuam e pritëm që drejtësia ta thotë fjalën e saj. Zotërinj të nderuar, mos të harrojmë thënien e shenjtores, nobelistes Nënë Tereza: “Se ne i përkasim njeri tjetrit.” Ballafaqimi me të kaluarën ka shumë rëndësi për të pasur një demokraci të konsoliduar e një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë. Ju faleminderit!