Martirët e Lirisë dhe Demokracisë

233
Reshat Kripa

Në 70-vjetorin e ekzekutimit
Nata e 14 janarit të vitit 1948. Një natë e zezë. Qielli qante pa pushim. Retë nxinin mbi Gjirokastër. Gjëmimet ushtonin me forcë. Dukej sikur Zoti me këtë donte të ndalonte gjëmën që po ndodhte. Por djalli në ato kohëra ishte më i fortë. Ai e kishte futur në kthetrat e tij Shqipërinë e gjorë. Ajo nuk kishte më zë. Kishte vetëm urdhra mostruozë, të dhënë nga njerëz mostruozë. Në të gjithë vendin hidheshin vallet e vdekjes. 14 janar, katërmbëdhjetë burra ecnin me kokat lart të lidhur dy nga dy. Rreth e rrotull një tufë hienash të kuqe, me sytë e skuqur nga etja për gjak dhe uria për mish kufomash. Zoti me gjëmimet dhe vetëtimat e tij mundohej t’i ndalonte, por ata nuk besonin në Zot. Zoti i tyre ishte vetë djalli. Në krye të kolonës qëndronin krenarë Syrja bej Vasjari dhe Zenel Shehu, dy ish udhëheqës të luftës kundër pushtuesit, i pari komandant i batalionit ballist “Tafil Buzi“. Ndërsa i dyti komisar i batalionit partizan “Baba Abaz“, Ecin dhe kujtojnë betejat e zhvilluara së bashku kundër pushtuesit italian në Mogila dhe Miricë, në Qafën e Kiçokut dhe në Malin e Bardhë, në Shkallën e Zezë dhe në Buz.. Dy familje të mëdha të krahinës, dy miq të mëdhenj që nuk mund të luftonin ndryshe veçse në krah të njeri tjetrit, pavarësisht nga bindjet e secilit prej tyre. Nuk kishin si shkonin ndryshe edhe në vdekje.

– Po shkojmë në varr së bashku! – foli Syrjai.
– Si në luftë. – u përgjigj Zeneli.
– Pushoni, nuk keni të drejtë të flisni! – u ndie zëri i njërës prej hienave.
– E ç’mund të na bëni më tepër? – u përgjigj i qetë Zeneli.
Pas tyre vinin të lidhur dy robër të Zotit, At Gjergj Suli dhe Baba Shefqeti. Edhe ata ecin dhe kujtojnë. At Gjergjit në ato momente i kujtohen vargjet e një kënge të vjetër: 
Papa Kristonë e vranë,
Dhe për të s’ra një kambanë! 
Ndryshimi i vetëm ishte se ndërsa Papa Kristonë e helmuan andartët grekë, At Gjergj 

Sulin po e vrisnin vëllezërit e tij shqiptarë. Edhe për vdekjen e tij nuk u dëgjua asnjë kambanë. Thuhet se një prift i Leklit i ra kambanave në një orë jo të zakonshme. Një gjë e tillë i kushtoi 

disa vite burg. Baba Shefqeti ecte i menduar. Jo se i vinte keq për vdekjen. Tashti i kishte kaluar të pesëdhjetëeshtatat. Në dorën që e kishte të palidhur, mbante një palë tespie, të cilat i numëronte duke u lutur. Edhe në vdekje donte të shkonte me bekimin e Zotit, të cilit i kishte shërbyer për gjithë jetën. Një nga hienat e pa, ia rrëmbeu dhe i vërviti në errësirën e natës. – Zoti ta faltë gjynahun, se edhe ti vetë nuk di se ç’bën! – i tha babai me qetësi. Në rreshtin e tretë ecte i qetë Baba Aliu, një tjetër shërbëtor i devotshëm i Zotit. Kur shkuan ta marrin për ta pushkatuar një roje u përpoq ta mbante për krahu. Mendonin se Babai do të trembej para vdekjes. Kurse ai i qetë i tha: – Mos kij merak se mbahem vetë, biri im! 

Ja si e përshkruan momentin e ekzekutimit të Baba Aliut historiani dhe shkrimtari Novruz Shehu: 
Njeri nga pushkatarët rrëzohet, i bie të fikët. Nuk mund të qëllojë.
– Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!… Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut.
Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.
– Do të të heq taçin Baba
Është dervish Resuli.
– Hiqe bir!
Dervishi u ul, i puthi këmbët.
– Falmë Baba!
– Të kam falur bir!
– U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!
– Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë! 
Një batare tjetër u dëgjua dhe Baba Aliu ra me emrin e Shqipërisë në gojë. 
Cili ishte qëndrimi i këtyre burrave në natën e fundit të qëndrimit në qelitë e burgut të Gjirokastrës? Lexojmë librin e Ibrahim Vasjarit, birit të Syrja Beut:
Sapo kishte kaluar mesnata. Errësirë. Jashtë, nëpër qiellin e grisur, përpëliteshin mes resh të largët, të ftohtë. Palcë dimri.
– Kot vrasim mendjen, Syrja! – tha Baba Shefqeti. – gjithçka është ëndërr. E vërteta është vetëm Perëndia., që është “Një“ dhe shokë tjetër nuk ka.
– Ashtu është Baba, kemi bërë gjumë të keq, – tha Syrjai.
– Gjumë? Pothuaj e kemi harruar fare gjumin, – tha Zeneli – sa shokë na janë vrarë?
– Dhe sa do të vriten akoma! – tha me një ironi të hidhur At Gjergji.
– Po kjo është ndryshe, krejt ndryshe, – iu përgjigj Zeneli – kjo është e pakuptueshme.
– Nuk ia vlen të kërkosh arsye, – tha Baba Shefqeti, – e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë.
Të katër heshtën për një çast të mbyllur secili në veten e tij.
Po kush ishin këta burra që shkonin kaq krenarë drejt vdekjes? 
Syrja Bej Vasjari lindi në Vasjar të Tepelenës më 13 tetor 1898, në një familje me tradita të pasura patriotike. Stërgjyshi i tij Veiz Vasjari ishte një nga kapedanët më në zë të kryengritjeve antiosmane të viteve 30 dhe 40 të shekullit XIX. Syrjai mbaroi arsimin fillor dhe atë unik në qytetin e Tepelenës. Pastaj i ati e dërgoi në Gjirokastër dhe më pas në liceun e Korçës, ku u regjistrua në klasën e shtatë. Kjo ndodhte në vitin arsimor 1922-1923. Si mbaroi liceun, në vitin 1924 i kërkoi të atit të vazhdonte studimet e larta në Francë. I ati nuk nguroi dhe ia plotësoi dëshirën. Studioi dhe u diplomua për inxhinieri agrare në universitetin e Alfortit, pranë Parisit. Kthehet në Shqipëri në vitin 1932 dhe filloi punë si kryeagronom i nënprefekturës së Tepelenës Pushtimin fashist e priti me indinjatë të thellë. Shpejt ra në kontakt me eksponentë të Ballit Kombëtar në krahinë. Filloi me organizimin e çetave nacionaliste të zonës Krahës-Tepelenë, deri sa arriti të marrë detyrën e komandantit të batalionit “Tafil Buzi“. Të gjitha këto i bënte sipas udhëzimeve të marra nga qendra, duke pasur lidhje sidomos me Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon në Vlorë. Mbante lidhje të ngushta me batalionin partizan “Baba Abaz“ , ku komisar ishte miku i familjes së tyre Zenel Shehu. Të dy batalionet së bashku kanë luftuar krah për krah në disa beteja, të cilat i kam përmendur më sipër. 1-2 gusht 1943. 
Vijon nesër