Gjebrea: Ne kemi për qëllim të mbrojmë figurën e gruas

566
Një plan konkret veprimi për riintegrimin socio-ekonomik të grave dhe vajzave, viktima të trafikimit, u prezantua sot, ndërsa parashikohet që të ofrohet mbrojtje sociale dhe punësim për t’i dhënë mundësi kësaj kategorie për një jetë të sigurtë. Në këtë prezantim ishin të pranishëm zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea, zv/ministrja e Mirëqenies Sociale Bardhylka Kospiri, i ngarkuari me punë i Bashkimit Europian në Shqipëri, Jan Rudolf, përfaqësuesi në Shqipëri i UN Women, David Saunders dhe Alma Jani, përfaqësuese e Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit në Shqipëri. Gjatë fjalës së saj, zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea tha se “ky plan veprimi është përgatitur në emër të qeverisë shqiptare me mbështetjen e IOM”. “Për disa muaj kemi realizuar konsultime me partnerët, duke pasur si qëllim asistencën ndaj grave dhe vajzave, viktima të trafikimit si dhe integrimin e tyre në shoqëri. Dua të theksoj se rritja e numrit të femrave të trafikuara, ka bërë që këto dy vitet e fundit të sillen në vëmendje nisma konkrete në fushën e arsimit, sociale dhe ekonomike. Është shumë e rëndësishme që këto gra e vajza të futen në një mjedis të qëndrueshëm, ku të kenë mundësi për shërbime sociale. Mbrojtja e të drejtave themelore është përgjegjësi në çdo shoqëri”, tha ajo. Më tej, Gjebrea shtoi se “ky plan përfshin një skemë të detajuar, mbështetje financiare të bizneseve për punësimin e këtyre viktimave, si rifutja në sistemin arsimor etj”. Po ashtu, zv/ministrja e Mirëqenies Sociale, Bardhylka Kospiri tha se “kjo ministri është institucioni bazë që mbron të drejtat e këtyre viktimave dhe kontribuon në riintegrimin e tyre”. “Përgjegjësia më e madhe bie mbi ministrinë tonë. Ne kemi për qëllim të mbrojmë figurën e gruas ndaj çdo lloj diskriminimi si dhe të rregullojmë kuadrin ligjor e të ofrojmë mbrojtje sociale për viktimat e trafikimit. Zyrat e punës kanë filluar në ndërmjetësimin për punësimin e tyre”, tha ajo. Në kuadër të këtij plani veprimi, i ngarkuari me punë i Bashkimit Europian, Jan Rudolf u shpreh se “trafikimi i grave është i patolerueshëm ndaj duhet të adresojmë disa nga problemet e këtij fenomeni”. “Sot, prezantohet plani konkret për riintegrimin e këtyre viktimave, të cilat kërkojnë respekt dhe dinjitet duke i krijuar kushte për mbrojtje sociale. Në këtë plan, adresohen instrumente sesi mund të luftohen fenomene të tilla. Gratë dhe fëmijët nuk janë për t’u shitur ndaj, Shqipëria do t’i mundësojë atyre një jetë më të mirë”, shtoi ai. Po ashtu, Rudolf vlerësoi punën dhe bashkëpunimin me ministrinë e Brendshme dhe ministrinë Sociale. Ndërkohë përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, David Saunders tha se “Shqipëria ka bërë progres në drejtim të barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut”. “Lufta ndaj trafikimit është shumë e rëndësishme, por akoma më e rëndësishme është riintegrimi i tyre. Bashkëpunimi me dy ministritë ka qenë shumë i rëndësishëm për të adresuar problematikat. Qeveria ka për detyrë të mbështesë këto viktima për të nisur një jetë të re larg dhunës. Ata kanë nevojë për një mundësi të dytë”, tha ai. Ndërsa për Alma Janin, përfaqësuese e Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit në Shqipëri “një element i rëndësishëm i hartimit të këtij plani konkret ishte dhe përfshirja e viktimave të trafikimit gjatë procesit të konsultimeve”. Procesi i integrimit të këtyre viktimave kërkon bashkëpunim, duke ofruar për ta punësim, mbështetje ekonomike etj. Ky plan është financuar nga Bashkimi Europian, me asistencë teknike të IOM. 
Sigal