“Marinar” Imami, nuk do të lejojmë të na shesësh pronat dhe historinë!

1169
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, kreu i shoqatës “Detaria”, ish- Kapiteni i rangut të dytë, Kasem Spahiu

Dega e shoqatës “Detaria” në Vlorë, përgatitet të fillojë protestat, nëse Ministria e Mbrojtjes nuk do të heqë dorë nga shitja e Kalasë së Ali Pashës, Akademisë së Marinës dhe nëndetësen, që është e vetmja në Pashaliman. Në një intervistë ekskluzive për “Telegraf”, kreu i kësaj shoqate, ish- Kapiteni i rangut të dytë, Kasem Spahiu rrethuar nga ish- ushtarakë të tjerë, anëtarë të kësaj shoqate, kanë shprehur indinjatën e tyre për vendimin e Qeverisë për të shitur objektet ushtarake që janë pasuri jo vetëm e brezave ushtarakësh, por e të gjithë popullit. Shoqata i ka dërguar një letër Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, që e cilësojnë “marinar” në rol, si dhe Neritan Cekës, që sipas tyre ndjehen të mashtruar nga premtimet që ai ka dhënë në cilësinë e kryetarit të komisionit.

Cili është shqetësimi juaj, teksa keni mbledhur kryesinë e shoqatës “Detaria”, që ju drejtoni?

Jemi të revoltuar, të indinjuar nga veprimet që po bën Qeveria shqiptare, duke shitur jo thjesht objektet e ushtrisë, por po përdhos historinë e Ushtrisë. Shoqata jonë është ndalur tek objektet që janë në territorin e Vlorës dhe jemi të vendosur që të kundërshtojmë këtë vendim duke organizuar protesta përpara Ministrisë së Mbrojtjes, përpara Qeverisë.

Mund të flasim më konkretisht, për çfarë objektesh bëhet fjalë?

E fillojmë me nëndetësen, që ka mbetur e vetme në bazën e Pashalimanit, që kërkojnë t’ia japin një private, që me siguri ka lidhje me zyrtarë të lartë që ta bëjë muze në Porto Palermo. Si mund ta lejojmë këtë akt, që për ne është i turpshëm, pasi historia, sakrifica, djersa dhe gjaku i ushtarakëve është këtu, në Pashaliman. Mirë që nëndetëset e tjera i bënë skrap, por edhe një që mbeti, kërkojnë ta marrin dhe t’ia japin dikujt, që nuk di se çfarë është, por thjeshtë e vetëm për të bërë ndere dhe për të fituar.   Askush nuk na e beson dhembshurinë që kemi ne ushtarakët për objektet, ku kemi kaluar një jetë të tërë, duhet të besoni që unë dhe shokët e mi që kemi shërbyer në nëndetëse, kemi qarë kur e pamë trupin e njërës që sharrohej në Pashaliman dhe u dërgua për skrap në metalurgji. Këta pushtetarë që firmosin shkatërrimin e kësaj pasurie kombëtare, nuk e dinë se janë shpenzuar aq të ardhura për blerjen e tyre, sa Vlora do të ndërtohej katër herë, por me një të rënë të lapsit e shndërrojnë atë në hekur, e shesin e bëjnë si të duan. Ne ish -ushtarakët, nuk mund të heshtim për këtë.

Në kufijtë e një skandali është edhe shitja e Kalasë së Ali Pashës. Kush do ta bëjë të tijën këtë kala historike, arkeologjike, arkitektonike?

Ajo i përket vetëm popullit të saj. Shitja e Akademisë së Marinës është gjithashtu një tjetër skandal.

Përse e konsideroni skandal?

Akademia e Marinës, të ndërrojë destinacion. Ajo është një shkollë me rëndësi të madhe, që përgatit jo vetëm oficerët tanë për marinën, por mund të shërbejë për të gjithë vendet e Ballkanit. Ka historinë e saj, ka përvojën, është në pozicionin e duhur. Nuk po zhduket Flota, që të shesim Akademinë, përkundrazi gjithçka vjen duke u modernizuar me mjete, për ruajtjen e kufirit detar. Ajo akademi ka nxjerrë nga gjiri i saj mijëra kuadro, që udhëtuan nëpër detet dhe oqeanet e botës, është e pajisur me një bazë materiale të admirueshme. Nëse do të ndodhë kjo, shumë shpejt aty do të ngrihen pallatet shumëkatëshe dhe fitimet do të jenë për privatët. Kjo nuk duhet lejuar.

Do të kontaktoni Ministrin Imami për problemet që ngrini?

I kemi dërguar një letër, ku i shkruajmë. “Ti zoti Ministër ke luajtur në film rolin e marinarit të nëndetëses tek filmi “Ballë për ballë”, ku sakrifikove dhe i shpëtove nga  ushtria ruse, që kërkonte t’i merrte. Si mundesh ti, tani ministër me dorën tënde të shkatërrosh dhe bësh si të duash, pa pyetur ushtarakët, ekspertët, specialistët, se cila është rruga e duhur për të vepruar? Letrën e përfundojmë duke i thënë: “Ju jeni i paaftë si ministër, por keni edhe një moral të dobët”. Shoqatat do të nis edhe një letër tjetër edhe më të ashpër.

Në adresë të kujt?

Të zotit Neritan Ceka, arkeologut, kryetar i komisionit dhe këshilltar i Kryeministrit, pasi ai na mashtroi. Në prezencën e ushtarakëve në Pashaliman ai premtoi se aty do të ngrihej një akuarium, pjesë të cilës do të ishte nëndetësja, gjuajtësi, dragamina, se godinat e shkollës do të bëheshin për armët e luftës së dytë botërore dhe në mjediset e jashtme do të vendosej një avion dhe një tank. Pra me një fjalë do të ishte një muze kompleks, kombëtar me hyrja do të bëhej nga kisha e Dukatit. Por gjithçka ndryshoi dhe ky premtim i z. Ceka, që ishte një shpresë për ne, tashmë mbetet një mashtrim. Shoqata jonë që ka 470 anëtarë me grada që nga kapiten të rangut të parë, të tretë, kolonelë, nënkolonelë që kanë mbajtur shpatulla sakrificën, kemi kaluar jetën atje. Shoqata e Detarisë e gjithë Shqipërisë që nis nga Shëngjini, Durrësi, Vlora Saranda, do të ngrihet si dikur në formacione, jo për të mbrojtur vendin si dikur, por për të mbrojtur pronën që po na e shet Qeveria jonë.

Ish ushtaraku Muhedin Brokaj

Ish- ushtaraku Muhedin Brokaj shprehet: “Ne ushtarakët jemi shumë të tronditur nga kjo që po ndodh dhe ne fajësojmë z. Neritan Ceka , që ka dy fytyra. Njërën si arkeolog , që ruan historinë dhe vlerat e kombit dhe tjetra si ushtar i Kryeministrit, ku merr këshilla. Si është e mundur që ka zbuluar enët prej balte prej shekujsh dhe po “zhduk” pasurinë kombëtare. Na premtove se do të bëje një muze model në Orikum, tani po na merr pasurinë tonë, shpirtin e ushtarakëve”.