Mall për Vëndreshën e Malit

547
Sigal

Bujqësia, mikpritja, dashuria, solidariteti për mikun dhe shokun janë tipare të spikatura të njerëzve në këtë zonë

Jo më shumë se 3 km në perëndim të Tendës së Qypit në rrethin e Skraparit, kufi me Dishnicën e Përmetit ndodhet Vëndresha e Malit (Vëndresha e III, Vëndresha e Vogël dhe Vinari). Në brezat e hershëm numëroheshin jo më shumë se 10 shtëpi, në 4-5 lagje. Në fund të regjimit komunist numëroheshin më shumë se 45 shtëpi banimi. Ndërsa sot atje banojnë vetëm 5 familje dhe janë larguar gati 90% e tyre. Pjesa më e madhe e të larguarve është vendosur në qytetin e Durrësit, kryesisht në rrethinat e tij, ndërsa pjesa tjetër janë vendosur në qytetet e Tiranës, Beratit, Sarandës, Vlorës dhe Përmetit. Gjithashtu, një pjesë e vogël emigroi si familje, në Greqi, Itali e deri në Kanada e SHBA. Me dëshirën dhe qëllimin madh të mbajmë gjallë e t’u lëmë të shkruar brezave që vijnë vlerat e padiskutueshme të Vëndreshës së tretë dhe njerëzve të saj, me breza deri në ditët e sotme po them këtu shkurtazi disa nga vlerat e saj më të rëndësishme.

-Vëndresha e Malit është shesh i luftërave të mëdha si, Lufta Italo-Greke, Lufta e Parë dhe Dytë Botërore etj.. Pjesëmarrja dhe qëndrimi i vëndreshallinjve në këto luftëra ka qenë për t’u marrë shembull. Lufta dhe përpjekjet e tyre kundër pushtuesve gjithmonë kanë qenë në maksimum dhe gjithmonë janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.

-Vëndresha e Malit, është vendi i prodhimit të rrushit me cilësinë më të lartë në vend.

-Vëndresha është vend koleksion i prodhimit të frutave.

-Vëndresha e Malit është vendi i dushkajës, është monument kulture.

-Është vendi më i përshtatshëm për mbarështimin e blegtorisë, veçanërisht për dhi e dele.

– Bujqësia, mikpritja, dashuria, solidariteti për mikun, shokun janë tipare të spikatura të njerëzve në Vëndreshën e Malit. Ata janë bashkë në punë, në gëzime, hidhërime, bashkë në pazare e mulli, bashkë edhe në zbore. Për të kujtuar të gjitha këto që thamë më sipër dhe për t’i mbajtur gjatë në memorie, në Durrës në lokalin e z. Ferdinant Musai, në 24 shkurt u organizua takim me përfaqësuesit familjeve vëndreshase me banim në Durrës e rrethina. Për këtë rast u ngrit grupi i punës i përbërë nga z. Nebi Musai, Rushit Kuçi, Asllan Duçellari, Reis Lula, Nazif Musai, Bilbil Musai, Myslym Musai dhe Hysn Kuçi.

Si fillim u shtruan këto detyra:

1.Evidentim i plotë i adresave të sakta të familjeve dhe personave të veçantë brenda dhe jashtë vendit.

2.Organizim i takimit të përfaqësuesve të familjeve në qytetin  Tiranës, Beratit e Çorovodës. Qendër kryesore e takimeve, e mbledhjes së dokumenteve dhe e informacionit u caktua lokali i z.Fredi në Durrës.

Është për t’u përshëndetur interesimi të gjitha familjeve të Vëndreshës për të përgatitur e botuar një libër historik modest mbi vendin e tyre.