Me 90 vota pro, 4 kundër dhe 7 abstenime Parlamenti ka miratuar koncesionin e ri të aeroporti i Rinasit, duke kaluar nga firma kineze në atë shqiptare Kastrati Group.
Parlamenti votoi sot “Projektligj “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së konçesionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport” Shpk “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Tiranë, ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004 të ndryshuar””.
Marrëveshja e koncesionit nga 22 në 35 vjet si dhe do të bëhen ndërhyrje për modernizimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve në Aeroport.
Më konkretisht, parashikohet zgjatim i pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit si dhe investime të tjera shtesë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ndryshimet në kontratën koncesionare me “Tirana International Airport” parashikojnë ulje të tarifave për pasagjerët, investime në vlerën 99.350 milionë euro, që përkthehen në shërbime më të mira, si dhe shtim të nivelit të sigurisë së operimit dhe kapacitetit.
Gjatë diskutimit të kontratës së kalimit të aksioneve nga investitorë të huaj te shoqëria shqiptare “Kastrati Group” në seancën plenare të Kuvendit, Balluku tha se një tjetër element shumë i rëndësishëm i arritur në këtë kontratë është vendosja me nene përkatëse e penaliteteve në vlerë monetare e deri në heqje të së drejtës së koncesionit ndaj shoqërisë, nëse nuk realizon angazhimet e marra në kontratë.
“Investimi në infrastrukturën e aeroportit parashikohet mbi 99 milionë euro. Përcaktohet ulja e vlerës ekonomike të biletës për qytetarët që do të fluturojnë nga dhe drejt këtij aeroporti, duke reduktuar tarifat me 20-25% (për të rriturit) dhe 40% për fëmijët”, deklaroi Balluku.
Po ashtu, theksoi ministrja, shteti përfiton në fund të kontratës shndërrimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, që do të operojë avionë të kategorisë 4E, dy kategori më e lartë se ajo aktuale 4C, duke bërë të mundur për herë të parë lidhjen e drejtpërdrejtë transoqeanike, të cilat janë konsideruar strategjike për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Sipas ministres Balluku, në kontratë është negociuar edhe lidhur me liberalizimin e shërbimit të tokës, i cili do të krijojë kushtet për krijimin e një kompeticioni në fushën e këtij shërbimi, duke u dhënë mundësi disa kompanive të konkurrojnë dhe duke dhënë ndikim në çmimin e biletave.
Balluku deklaroi se liberalizim do të ketë edhe për sa i përket furnizimit me karburant të avionëve.
“Çmimi i furnizimit të avionëve me karburant është shumë i lartë, pasi është përgjegjës koncesionari për këtë shërbim. Nëse në rajon lëviz 730-760 euro për metric ton, në Shqipëri është 1060 euro për metric ton, diferencë ekstraordinare që ka qenë e reflektuar në biletë. Koncesionari ka marrë angazhimin për ta sjellë këtë nivel në të njëjtat referenca, sa e kanë vendet e tjera”, deklaroi Balluku,.
Në të njëjtën kohë, ndikim në uljen e tarifave të biletave për pasagjerët do të ketë edhe vendosja e linjës së drejtpërdrejtë me Neë York-n, Detroit apo Kanadanë, pse jo edhe Australinë, pasi pasagjerit nuk i duhet më të marrë një avion tjetër nga një aeroport tjetër europian.
Balluku theksoi se për shkak të goditjes që ky sektor pati nga pandemia e COVID-19, bazuar në të dhënat e EUROCONTROLL-t është vendosur shtimi i afatit kohor të këtij koncesioni me 13 vite.
Përmbushja e kërkesave të sigurisë, u shpreh Balluku, është detyrim që do të kryhet nga koncesionari në fazën e parë.
“Për herë të parë shteti shqiptar ka përforcuar pozitat e tij maksimalisht në këtë koncesion. Në kontratën e koncesionit të parë, investimi fillestar nuk ishte shprehur kurrë, nuk ishte shkruar një shifër financiare, thjeshtë thuhej se koncesionari do të zbatojë një masterplan në disa faza. Ky ishte një nga koncesionet më të rëndësishme, ishte porta ajrore e Shqipërisë për botën dhe ishte lejuar të sillej si të donte në Republikën e Shqipërisë”, tha ministrja Balluku.
Ministrja vuri në dukje se fakti që aksionet po kalonin nga një partner te një tjetër dhe ligji e bën të detyrueshme aprovimin nga shteti të këtij kalimi, i dha shtetit mundësinë të ndërhyjë për të rregulluar këtë kontratë në favor të qytetarit dhe shtetit.
“Shtyrja në kohë e afatit të koncesionit është e mirëanalizuar si nga ana financiare edhe ajo juridike duke marrë në konsideratë edhe pandeminë, e cila do të afektojë këtë sektor për rreth 7-8 vite. Po ashtu, rritet siguria kombëtare e cila është kompromentuar disa herë në këtë aeroport”, tha Balluku.
Sipas ministres, në kontratën e re të gjitha problematikat e nxjerra në raportin e BDO-së janë adresuar. Kompania kineze China Everbright Limited, tha Balluku, nuk pranoi gjetjet e këtij raporti.
Ky projektligj rregullon marrëdhënien e shtetit shqiptar me shoqërinë koncesionare për një nga asetet më të rëndësishme e strategjike të Republikës së Shqipërisë, aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Marrëveshja e koncesionit “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë”, është ratifikuar në vitin 2004.
Në vitin 2005, kohë e cila përkon edhe me fillimin e operimit të marrëveshjes së koncesionit, në aeroportin e Rinasit trajtoheshin rreth 785 mijë pasagjerë në vit. Menjëherë pas realizimit të investimeve të para dhe implementimit të politikave të tërheqjes së kompanive ndërkombëtare të fluturimeve, numri i përpunimit të avionëve dhe pasagjerëve u rrit ndjeshëm.
Në vitin 2019, që përkon edhe me vitin më të suksesshëm të operimit të objektit të kontratës, aeroporti i ofroi shërbime me shumë se 3.3 milionë pasagjerëve, duke u konsideruar nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare vlerësuese, si një portë modeme për vendin, duke ndryshuar imazhin e Shqipërisë.
Që nga viti 2005, vetëm 70 milionë euro janë investuar në zhvillimin e zgjerimin e aeroportit. Amendimi i parë i kësaj marrëveshjeje daton më 1 prill 2016.
Në këtë datë, qeveria shqiptare dhe TIA nënshkruan një amendament të marrëveshjes së koncesionit, duke ndërmarrë një hap shtesë të konsiderueshëm drejt zhvillimit të transportit ajror dhe liberalizimit të fluturimeve ndërkombëtare në Shqipëri. Si rezultat i këtij ndryshimi, afati i koncesionit të TIA-s u zgjat për dy vite të tjera shtesë, përkatësisht deri në prill 2027.