Maksim TUFA: Hashashi mësyn në shkolla

153

Gazeta Telegraf/

Prindërit: Situata alarmante, policia dhe drejtoritë e shkollave joshen
me para

Sikur të mos
mjaftonin problemet financiare dhe hallet 
e tjera, tashmë prindërve që kanë fëmijët e tyre nxënës në shkollat
9-vjeçare por edhe të mesme, u duhet të përballen edhe me një tjetër problem
madhor, social dhe alarmant, siç është blerja dhe pirja e hashashit edhe në
ambientet shkollore. Qindra e qindra SMS dhe email-e, kanë ardhur në redaksinë
e “Telegraf” nga prindër të shqetësuar për fatin e fëmijëve të tyre, për
situatën në të cilën gjenden sot shumica e shkollave, si pasojë e mungesës së
vëmendjes dhe kontrollit nga drejtoritë përkatëse, por edhe nga ortakëria dhe
mungesa e profesionalizmit të policisë. Prindër nga Elbasani, Durrësi, Korça,
Tirana, dhe mjaft qytete të vendit, kanë dhënë informacione dhe kanë ngritur
alarmin, se “në ambientet e jashtme  të
shkollave 9-vjeçare  dhe të mesme, po
shitet dhe po pihet hashash në formën e cigareve, madje hapur fare edhe nën
hundën e drejtuesve dhe mësuesve, dhe askush nuk ndërhyn, askush nuk denoncon,
pasi joshen me para nga shpërndarësit e drogave”. Situata paraqitet alarmante,
aq sa prindërit ndjehen të frikësuar për fatin e fëmijëve të tyre. Ka prej tyre
që i kanë fëmijët në klasat e ulëta të shkollave 9-vjeçare, apo në klasat e
larta të shkollave të mesme, por ka prej tyre që deklaruan se “ka disa ditë që
djali apo vajza më vijnë në shtëpi dhe ndjehen si të dehur, të bërë çakërrqejf,
rrinë si dru, dhe nuk na përgjigjen dhe nuk na shpjegojnë si qëndron situata,
kush i ka joshur, ndaj përgjegjësia bie mbi drejtoritë e shkollave, mbi
drejtoritë arsimore dhe mbi policinë”. Një grua nga Elbasani deklaroi për
“Telegraf” se “e kam vajzën time në klasën e pestë në një shkollë 9-vjeçare, e
cila mbahet se është shkollë me rregull, por këto ditë kam parë skena të
llahtarshme, kur kam vajtur në drekë ta marr, kam parë se si tek muret e
shkollës shisnin dhe pinin hashashin, ndaj dhe njoftova policinë, e cila në
telefon bënte lojëra me mua, jam shumë në merak, po na rrezikohen fëmijët  nga papërgjegjshmëria dhe ortakëria e shtetit
me drogaxhinjtë”. Një tjetër prind nga Durrësi ka deklaruar për gazetën, se
“djali im është në vitin e dytë në një prej gjimnazeve të qytetit dhe më ka
futur frikën, kur para disa ditësh ka ardhur me shenja në trup, pasi kishte
arritur të joshej dhe të pinte cigare hashashi, të blera në një lokal afër
bregdetit  tek shëtitore “Vollga”,
menjëherë kam njoftuar drejtoreshën e shkollës, por duket se edhe ajo ndjehej e
pafuqishme, kurse në polici kisha frikë të njoftoja, sepse e dija që do t’i
bëja keq djalit, jemi shumë të shqetësuar”. Një situatë e rënduar paraqitet
edhe në shkollat e Korçës, tek ato 9 -vjeçare dhe të mesme, duke detyruar
prindërit të ndjehen të shqetësuar dhe të vënë alarmin për fatin e fëmijëve.
Pavarësisht se punonjës policie janë të pranishëm në shkollat 9-vjeçare dhe të
mesme në orarin e mëngjesit, duket se shitësit e hashashit janë të vëmendshëm,
dhe shfaqen në muret e shkollave në orarin e pushimit ose në përfundimin e
orëve të mësimit. Por sipas një burimi të sigurt mësohet se “ka prej policëve,
që muajt e fundit janë bërë ortakë me shitësit e hashashit në lagjet dhe
shkollat e qyteteve, aq sa ndajnë edhe ndonjë lek me ata, duke u afruar atyre
qetësi në biznesin e drogës”. Kjo situatë dramatike, e sinjalizuar me shqetësim
maksimal nga shumë prindër nga qytete të ndryshme të vendit, i ka vënë ata në
dilemë, për t’i dërguar ose jo fëmijët në shkolla pasi nuk ndjehen të sigurt
për jetën dhe shëndetin e tyre. Krahas denoncimit në media, prindërit kërkojnë
nga drejtoritë e shkollave, mësuesit dhe drejtoritë arsimore në rrethe, të
nisin me urgjencë bashkëpunimin me organet e policisë, sepse  situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe
mund të ketë pasoja jete për nxënësit e joshur, gënjyer dhe mashtruar. Mungesa
e kontrollit dhe profesionalizmit, mungesa e ndërgjegjes njerëzore për t’i
trajtuar nxënësit si njerëz dhe jo si kavie, ka sjellë situata drastike në
shkollat e vendit. Edhe ndihma dhe ndërhyrja e policisë shihet me dyshim të
madh dhe të përligjur  nga prindërit e
alarmuar, sepse e dinë dhe e kanë faktuar se edhe uniformat blu prej kohësh,
janë ortakë jo vetëm në kultivimin e hashashit, por edhe në shitjen e tij në
ambiente të ndryshme kryesisht ato shkollore, duke marrë prej tyre para në
dorë.