Ligatinat e Shkodrës, Karavastasë, Nartës, Butrintit, Ohrit dhe Prespës

4043
Shqipëria është një nga vendet mesdhetare ku, deri në vitet 1940, ekosistemi ligatinor ishte krijuar mbi një rrjet të pasur dhe të lidhur zonash ligatinore. Në fillimet e viteve 1950-të, zona bregdetare e Shqipërisë përfshinte 250,000 ha hapësirash natyrore, prej të cilave 60,000 ha ishin toka kënetore. Pas viteve 1950-të, ligatinat shqiptare u ndryshuan rrënjësisht nëpërmjet nxitjes së reformës së tharjes së kënetave dhe shtrirjes së tokave bujqësore në zonat pyjore të bregoreve. Më shumë se 50% e ligatinave bregdetare si dhe pjesa më e madhe e zonave të thella moçalore humbën gjatë procesit të tharjes. Këto vepra çuan në (i) humbje dhe fragmentim të mjediseve natyrore (habitateve) dhe (ii) keqësim të habitateve e varfërim të florës dhe faunës. Më vonë, më 1992, strukturat administrative u rrëzuan duke çuar në zhvillime të pakontrolluara urbane, mbikullotje dhe praktika tëpaligjshme të cilat rezultuan në një tendencë të dytë rënieje. Sipas të dhënave zyrtare shqiptare, sipërfaqja e zonave me ujë natyral arrin në 2,3 % të territorit, ndërsa zonat me ujë jonatyral përfaqësojnë 0,5 % të territorit. Ligatinat zënë rreth 90,000 ha ose 3.2 % të territorit kombëtar. 
Pesë tipet e ligatinave
Në Shqipëri dallohen 5 tipe lagunash në bazë të origjinës së krijimit dhe funksionit të tyre. Zona me sipërfaqen më të madhe është formuar nga liqenet e hidroenergjisë, e ndjekur nga liqenjtë natyrore (të origjinës tektonike, glaciale, ose karstike) dhe (5) sistemet bregdetare ligatinore. Në këto territore gjenden më shumë se 70 % e vertebrorëve të vendit, në veçanti zogjtë, zvarranikët dhe sisorët. Rreth 65 prej vertebrorëve të ligatinave janë identifikuar si specie globalisht të kërcënuara si Pelikani Dalmat apo Karabullaku i vogël. Të paktën gjashtë zona të lagështa (Liqeni i Shkodrës, Laguna e Karavastasë, Laguna e Nartës, Liqeni i Butrintit, Liqeni i Ohrit dhe liqeni i Prespës) janë të mundshme për t’u përcaktuar vendodhje Ramsar; deri më sot vetëm tre prej tyre (Laguna e Karavastasë, Liqeni i Butrintit dhe Liqeni i Shkodrës) njihen si Ramsar. Ligatinat shqiptare përfaqësojnë mjedisin më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm në Shqipëri. Këto janë zona vlerash dhe dobishe ekonomike dhe ekologjike të shumëfishta, pasi ju sigurojnë peshqve dhe kafshëve të egra mjedise natyrore, mbështetin rrjetin e ndërlikuar ushqyes, thithin ujë duke reduktuar në këtë mënyrë përmbytjet dhe dëmet e stuhive, sigurojnë kontrollin e erozionit, përmirësojnë cilësinë e ujit dhe pajisin vendin me hapësira vlerash estetike. Lagunat bregdtare, duke qenë ekosisteme të veçanta mes detit dhe tokës, vlerësohen të jenë ekosistemet ujore më produktive.

313 lloje peshqish në ligatinat shqiptare
Llojet e peshqve në Shqipëri janë studiuar mirë dhe janë regjistruar rreth 313 specie. Prej tyre 64 rritën në ujra të ëmbla dhe 249 janë lloje detare. Grupimi i peshqve të Lagunave bregdetare të Shqipërisë është tipik i lagunave Mesdhetare i ndarë në dy gruplloje: peshq shtegëtues dhe peshq ndenjës. Sparidae, Mugilidae, Moronidae, Soleidae, Anguillidae, Belonidae janë grupet kryesore të peshqve shtegëtare, ndërsa Gobiidae, Cyprinodontidae, Atherinidae, Syngnthidae janë grupet kryesore të llojeve ndenjës – megjithëse disa lloje në këtë grup janë edhe shtegëtues. Në Shqipëri ka një aktivitet tradicional te mirëzhvilluar peshkimi, veçanërisht në lagunat bregdetare, mbështetur në organizatat e vetë peshkatarëve dhe njohurive të tyre tradicionale (dajlani, stavniku). Thellësia e vogël e lagunave normalisht i bën peshkatarët të qarkullojnë në zonë me barka të vogla (sandale). Sipërfaqja e përgjithshme e lagunave përgjatë bregdetit shqiptar e përdorur për peshkim është rreth 10,000 ha. Lagunat kanë karakteristika të ngjashme gjeomorfologjike me sedimente të buta në fundin e tyre të vendosura mbi argjile të ngjeshur dhe material organik. Shqipëria importon teknologji të akuakulturës detare dhe produkte nga Greqia, kryesisht për prodhimin e levrekut dhe të kocës.
Tërheqje interesante për turistët. 
Kërkesa e tregut të brendshem për këto produkte nxiti investimet në rritje të kultivimit në shporta dhe rezervuare. Akuakultura detare është e mirëzhvilluar në rajonin jugor të vendit, i cili ka ende më shumë shanse për zgjerimin e këtij aktiviteti. Zhvillimi i këtij sektori megjithatë po përballet me vështirësi në furnizimin me ushqim të peshqve dhe të vegjëlve (cironkave). Lagunat krijojnë mundësi të mira për zhvillimin e ekotourizmit. Peizazhet e bukura të kombinuar me mjediset natyrore dhe shpendët e veçantë përbëjnë një tërheqje mjaft interesante për turistët. Dielli i shndritshëm iShqipërisë ndriçon mbi rreth 450 kilometrat e një bregdeti relativisht të paprekur. Megjithatë, megjithëse së fundmi vihet re një përmirësim në rrugë dhe mjete të transportit, infrastruktura është ende e pamjaftueshme për t’i bërë ballë numrit në rritje të vizitorëve. Në ditët e sotme shtytja kryesore mbi sistemet natyrore ligatinore vjen prej popullsisë vendase në zonat e zhvillimit të pakontrolluar urban. Ndotja e lumit është po ashtu shkaktari kryesor i ndotjes së zonave bregdetare dhe kjo rrjedhimisht ndikon ne aspektet e shplodhjes dhe rezervat e peshkimit. Në disa laguna ka shkarkime të vashdueshme uji të ëmbël siç janë puset arteziane, kanalet komunikuese me lumenjtë ose prurje uji nga ujëmbledhësit. Në 10 vitet e fundit me ndihmën e komunitetit të donatorëve janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh për mbrojtjen dhe administrimin e zonave ligatinore. Për zonat e Kunë-Vainit, Karavastasë, Nartës dhe Butrintit janë përgatitur draft strategji për ligatinat dhe janë zbatuar një sërë aktivitetesh administrimi me qëllim mbrojtjen e biodiversitetit dhe rezervave natyrore, mbështetjen e njohurive kulturore dhe tradicionale si dhe edukimin e publikut dhe rritjen e vëmendjes. Janë arritur disa rezultate të mira, por ende është e nevojshme të bëhet shumë punë.
Sigal