Lezhë, banorët braktisin banesat dhe bizneset e shembura nga rrëshqitja e tokës

236
Rrëshqitjet e tokës në pjesën e sipërme të autostradës së asaj që quhet ndryshe si “Rruga e Kombit” ka shkatërruar shumë banesa të fshatit Blinisht, në Orosh.
Vetëm katër ditë më parë, banorët thonë se janë parë shenja të vogla të rrëshqitjes së tokës, të cilat në 22 mars shkatërruan disa banesa, 10 prej të cilave të pabanueshme.
Pjetër Bunga është pronari i njërës prej këtyre shtëpive. Ai jeton në Durrës, por pasi mori informacion ishte në Blinisht për tëparë dëmet e shkaktuara nga rrëshqitja e tokës.
“Shtëpia ka humbur, nuk duket se ku është”, thotë Pjetri.
Banorët shprehen se kjo zonë ka pasur edhe më herët rrëshqitje.
“Shkaktarë janë ujrat dhe shpërthimet me mina që janë bërë në autostradë. Shtëpitë kanë lëvizur edhe më përpara, por toka jo”, thonë banorët.
Të kundërtën e asaj që thonë banorët pretendon inxhinieri-gjeolog Skënder Allkja: “Është zonë me qendrueshmëri të dobët. Rreziku është evident. Banorët duhet të evakuohen”.
I të njëjtit qëndrim ishte edhe drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro: “Është zonë e rrëshqitshme, e njohur nga Autoriteti Rrugor. Është aktivizuar për shkaqe natyrore”.