Lejet e ndërtimit, edhe me katër kate shtesë!

616
Hetimet për dhënien e lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës janë përqendruar te shtimi i kateve në mënyrë abuzive nga shoqëritë apo edhe nga vetë zyrtarët vendorë. Prokuroria e kryeqytetit thotë se, bazuar në kallëzimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, thuhet se në disa raste bashkia ka lejuar shtimet e disa kateve, pavarësisht se planet vendore të urbanistikës nuk lejonin ndërtime të tilla. “Në një rast, Bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi për një subjekt me katër kate shtesë nga sa parashikohej në planet e urbanistikës”, pohojnë burimet, të cilat saktësojnë se do të caktojnë disa ekspertë privatë të urbanistikës, të cilët do të kryejnë akte ekspertimi në terren për të dalë në një konkluzion nëse është shkelur apo jo ligji. Megjithatë, betonizimi është bërë horizontalisht dhe vertikalisht, duke e kthyer Tiranën në qytetin më me pak parqe apo hapësira publike në rajon.
Tashmë, pas 25 vitesh, drejtësia fillon një procedim të mirëfilltë penal për ndërtimet pa kriter në Tiranë, ku përgjegjësia bie pikërisht te zyrtarët që kanë dhënë leje vend e pavend apo në një zonë të caktuar një pallat ekzistues mund të jetë deri në pesë kate dhe të tjerët janë me nga 8, 10 apo më shumë kate. Nisja e këtyre hetimeve të paktën mund të shërbejë për drejtuesit e rinj të bashkisë, që të unifikojnë praktikat për lejet e ndërtimit dhe të caktojnë një tavan për katet në zona të ndryshme.
Nga ana tjetër, burimet nga prokuroria pohojnë se kanë në proces verifikimi për disa shkelje të pretenduara për mosrespektimin e procedurave të miratimit të planeve të detajuara vendore në 129 raste. Hetimet po kryhen për mosrespektim të kërkesave ligjore për dhënien e lejeve të ndërtimit, mosushtrim i kontrollit të territorit në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës apo mosrespektim i ligjeve dhe planit të përgjithshëm vendor nga projektuesit përgjegjës për hartimin dhe projektin arkitektonik të planeve të detajuara vendore. Ish-drejtuesit e bashkisë, sipas kallëzimit, janë përgjegjës për dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim flagrant të ligjit dhe planit të përgjithshëm vendor të Bashkisë Tiranë.
“Nga verifikimet e para rezulton se 47.2% e lejeve të ndërtimit të miratuara nga Bashkia e Tiranës rezultojnë në shkelje të numrit maksimal të kateve të lejuara nga plani i përgjithshëm vendor, si dhe ka shkelje të distancave etj.”, thuhet në kallëzim, që po verifikohet nga organi i prokurorisë. Në dosjen e prokurorisë thuhet se për periudhën qershor 2013 deri gjatë kohës së kallëzimit, janë kontrolluar nga institucionet 35 leje zhvillimore. “Nga këto kontrolle rezultoi se 15 nga lejet zhvillimore të ndërtimit rezultojnë me shkelje të numrit të kateve të përcaktuara më parë nga rregullorja e planit të përgjithshëm vendor. Rezultojnë se 10 leje zhvillimore janë në tejkalim me një kat, tri leje zhvillimore janë në tejkalim me dy kate, një leje zhvillimore është me tejkalim tri kate dhe një leje zhvillimore është në takim me katër kate”, thuhet në kallëzim.
Sigal